FOTO/ Rikonstruksioni i Kishës së Ristozit në Korçë, një destinacion i denjë drejt turizmit religjioz
Kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila daton në fund të shek. XIV është tashmë një destinacion i denjë drejt turizmit religjioz. Në këtë kishë është realizuar rikonstruksioni i saj, me një fond prej rreth 3,9 milionë lekësh nga buxheti i shtetit.
“Sa herë që vizitoj Kishën e Ristozit, po aq herë më mahnit mënyra e ndërtimit, simbolika e afreskeve, intimiteti që ofrojnë ambientet e brendshme e të jashtme. E kënaqur me punimet që janë realizuar për rikonstruksionin e saj, me një fond prej rreth 3,9 milionë lekësh, nga buxheti i shtetit. Besimtarët janë rikthyer sërish aty dhe do të doja të tregoheshin më të kujdesshëm në çdo qiri që ndezin e vezë Pashke që thyejnë mureve, me qëllim që ky monument i rrallë t’u përcillet edhe brezave të ardhshëm”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila zhvilloi një vizitë në këtë kishë.
Kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila bën pjesë në variantin e kishave në formë kryqi të brendashkruar me kupolë, pa mbështetje të brendshme, datohet në fund të shek. XIV.
Mbishkrimi mbi portën perëndimore të naosit na njeh me kohën e ndërtimit dhe pikturimit të kishës në vitin 1389, me porosinë e peshkop Nimfonit.
Brendësia e naosit është e zbukuruar me afreske të një cilësie mjaft të lartë artistike, që i përkasin rrymës së Rilindjes Paleologe. Me afreske është veshur dhe faqja e jashtme e murit perëndimor, të cilat i përkasin një faze të dytë më të vonshme.
– ATSH
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.