Kozmologjia – Si u krijua bota?
Si u krijua bota?
1. Krijimi i Botës
Tani do të zhvendosemi nga Krijuesi tek krijimi. Nga Mjeshtri tek puna e dorës së Tij. Nga Teologjia tek Kozmologjia që merret me kozmosin, i cili është krijim dhe vepër e Perëndisë, dhe që na tregon sesi u krijua bota e dukshme dhe e padukshme; gjithçka që mund të shihet – qiejt dhe toka, dhe gjithçka që nuk mund të shihet – Engjëjt dhe frymërat qiellore. Prandaj ne thamë që Perëndia, për shkak se Ai është i mbushur me dashuri, urtësi dhe fuqi, me bekim dhe lumturi, dëshiron ta transmetojë këtë lumturi të plotë dhe këtë bekim të madh tek qeniet e tjera: tek krijesat dhe veprat e duarve të Tij; tek engjëjt dhe tek njerëzit. Në këtë mënyrë Ai do të shprehte dhe të shfaqte jashtë Vetvetes këto atribute të gjithë-përsosura të Tij. Kështu Perëndia: Ati me anë të Birit dhe me Shpirtin e Shenjtë krijuan botën. Në Dhiatën e Vjetër, Vet Perëndia thotë: “Unë jam Zoti që kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun, me duart e Mia kam shpalosur qiejt dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre” (Isaia 44:24;45,12). Që do të thotë, Unë, Perëndia i bëra të gjitha gjërat, krijova tokën dhe njeriun për të jetuar në të, Unë me duart e Mia i bëra qiejt të qëndrueshëm, dhe vendosa yjet dhe caktova vendin e secilit prej tyre. Edhe “Ti o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të Tua” (Hebrenjve 1:10).
2 – Krijimi i botës nga asgjëja (ex nihilo)
Thamë që Perëndia krijoi botën. Por nga e krijoi atë? A kishte Ai në dispozicion të Tij, para se të niste, lëndë, tokë dhe ujë, ose materiale të tjerë me anë të së cilave më vonë Ai do të transformonte dhe do ta modelonte me anë të urdhrit të Tij të gjithë-fuqishëm, duke i dhënë formë, dhe në këtë mënyrë të shfaqej bota? A e krijoi botën nga vetja kështu që bota e ka prejardhjen nga esenca e Perëndisë? Jo. Asnjë prej këtyre premisave nuk është e vërtetë. E para është e gabuar, sepse Perëndia nuk mund të quhet Krijues, por Ai që i dha formë botës. Edhe e dyta është plotësisht e gabuar përndryshe bota do të ishte e përjetshme dhe e paprishëshme siç është Perëndia, ndërsa për ditë shohim që ajo është e prishëshme dhe fundore. Gjithashtu, me këtë shembull, Perëndia dhe bota do të ishin identikë dhe kështu do të kishim panteizëm.
Por si u krijua bota atëherë? Bota u krijua nga asgjëja, nga hiçi. Asgjë nuk ekzistonte para krijimit të saj përveçse Perëndisë. Më pas Perëndia krijoi botën. Kjo e vërtetë vërtetohet nga Shkrimi i Shenjtë fillimisht në Librat e Makabenjve: “Po të përbetoj, biro, shikoj qiellin e tokën e gjithçka është në ta e dije se Perëndia i ka krijuar nga asgjëja dhe se po në këtë mënyrë ka qenë krijuar edhe gjinia njerëzore” (II Makabenjve 7:28). Dhiata e Re citon gjithashtu: “Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen” (Hebrenjve 11:3).
Pra bota u krijua nga asgjëja nga Perëndia triadik. Dhe si e krijoi Ai? Si e krijoi Perëndia botën? Vetëm me anë të fjalës së Tij. “Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së Tij; Sepse Ai foli dhe gjëja u bë; Ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq” (Psalmi 32:6,9). “Pastaj Perëndia tha: ‘U bëftë drita’ dhe drita u bë… Dhe Perëndia tha: ‘le të jetë një kupë qiellore..dhe ajo u bë” (Zanafilla 1:3, 6). Dhe Perëndia tha…..Dhe Perëndia tha. Dhe çdo fjalë, çdo urdhëresë u shndërrua në vepër sepse fjala krijuese nuk është një fjalë njerëzore, por fjalë e gjithëpushtetshme e Perëndisë Pantokrator., një fjalë e mbushur me fuqi dhe autoritet hyjnor. Kështu që sapo jepet urdhri, i krijon të gjitha gjërat dhe asgjë nuk është e pamundur për fjalën e tërëfuqishme të Perëndisë.
3 -Krijimi i botës në kohë.
Kur u krijua bota? Në çfarë kohe e mori ajo fillesën dhe substancën? A mund ta përcaktojmë këtë kohë? Pa dyshim që ideja dhe vendimi për të krijuar botën gjithnjë ekzistonte përjetësisht në mendimin e Perëndisë por ajo u bë e mundur në një kohë të caktuar. Por kur ishte kjo kohë? Mendja jonë nuk mund ta konceptojë atë. Ne vetëm mund të themi që koha dhe bota janë të njëkohëshme dhe pak a shumë identike. Ashtu si bota erdhi në ekzistencë po kështu erdhi edhe koha. Koha filloi me krijimin e botës. Para krijimit të botës, edhe para krijimit të kohës, nuk ekzistonte asgjë tjetër përveç përjetësisë, përveç Perëndisë. Ashtu si thërret Profeti David: “Para se të kishin lindur malet dhe para se Ti të kishe formuar tokën dhe botën madje nga mot dhe përjetë Ti je perëndia” (Psalmi 89:2). Para se të krijoje malet dhe tokën, Ti, Perëndia im, ekzistoje, shekuj dhe shekuj më parë, që nuk mund të matet nga askush. Këtë thotë Profeti me Psalmin e Tij. Por Zoti ynë gjithashtu, si Perëndi-njeriu (Theanthropos) i lutet Atit ta përlëvdojë me lavdinë e përjetshme që e kishte më parë duke thënë: “Tani, pra, më përlëvdo o Atë, pranë Teje, me lavdinë që Unë e kisha pranë Teje para se të bëhej bota” (Joani 17:5). Edhe Shën Pavli dëshiron të thotë të njëjtën gjë kur deklaron: “Sikurse na zgjodhi në përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri” (Efesianëve 1:4). Ai na zgjodhi ne për të na bërë të Krishterë dhe për të na dhuruar mbretërinë e Tij të përjetshme para se bota të krijohej dhe madje para se ne të lindnim. Me fjalë të tjera, koha nuk ekzistonte gjithnjë, po kështu as bota; dhe që në një moment të caktuar – dhe ne nuk e dimë tamam se kur- koha filloi me krijimin e botës. Këto dy gjera që tashmë ekzistojnë (kozmosi dhe koha) u krijuan së bashku njëkohësisht. Kështu, zanafillës së botës i vihet shenja e barazimit me zanafillën e kohës. Këtë nënkupton Shkrimi i Shenjtë kur thotë në fillim të librit të parë të Biblës, Zanafillës “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën”. Bota nuk ekzistonte. As koha nuk ekzistonte atëherë. Me anë të fjalës së Perëndisë, bota u krijua dhe nisi të ekzistojë. Atëherë në mënyrë të menjëhershme nisi gjithashtu koha. Kështu bota dhe koha janë në mënyrë kronologjike identike dhe bashkekzistuese.
4 – Shkaku dhe qëllimi i krijimit
Njeriu nxitet nga disa motive për të realizuar veprat e tij. Dhe në çdo gjë që bën ai vendos një qëllim të caktuar; ose për përfitimin e tij apo shenjtëri personale, ose për përfitimin dhe shenjtërinë e të tjerëve. Perëndia krijoi botën dhe në krijimin e Tij ekziston një qëllim. Atëherë për çfarë qëllimi e krijoi Perëndia botën? A e krijoi atë për nevojat e Tij, për të kënaqur dëshirat dhe qëllimet e Tij? Jo. Ne nuk mund t’ia atribuojmë në asnjë mënyrë këto motive të qarta njerëzore Perëndisë, sepse Perëndia nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë. Këtë na e thotë Profeti David në Psalmin e tij, dhe të gjithë njerëzit e perëndishëm e thonë këtë: “Ti o Zot, Je Krijuesi dhe Sundimtari i të gjithave. Ti posedon çdo gjë me tepri, dhe nuk të nevojiten dhuratat e mia”. Atëherë a e krijoi Ai botën për ta shijuar të tjerët? Po. Ai e krijoi atë me qëllim që të shfaqet nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të Tij hyjnor. Kjo është arsyeja e parë. Së dyti, ai e krijoi atë, duke u nxitur nga dashuria e pafundme, për të treguar këtë dashuri dhe mirësi të Tij duke e ndarë gëzimin, bekimin dhe lavdinë e Tij me krijesat e Tij. Me cilat krijesa? Me krijesat e Tij racionale (të arsyeshme): engjëjt dhe njerëzit. Kjo është arsyeja dhe qëllimi i krijimit të botës nga Perëndia. Dashuria është zanafilla dhe forca motivuese. Qëllimi është lumturia dhe bekimi i krijesave të Tij racionale. Por gjithashtu njohja dhe lavdia e Tij nga ana e njeriut dhe e tërë botës. Këtë kishte në mendje Shën Pavli kur tha: “Sepse prej Tij, me anë të Tij dhe për Të janë të gjitha gjërat” (Romakëve 11:36). Të gjitha për lavdinë e Tij, për shprehjen e besimit, për shfaqjen e dashurisë së zjarrtë dhe mirënjohjes nga ana e njeriut, i cili shijon dhe përfiton kaq shumë nga vepra dhe bujaritë e krijimit të botës. Në veçanti për ne njerëzit Shën Pavli thotë: “duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jisu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e Tij” (Efesianëve 1:5,6), me qëllim që ne njerëzit të mund të himnojmë dhe lavdërojmë madhështinë e pafundme të Hyjnisë së Tij. Për këtë arsye Psalmisti pohon: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij” (Psalmi 18:1) – dhe i gjithë krijimi është thirrur të shprehë besimin e tij, dashurinë e tij, mirënjohjen e tij.
“Lëvdojeni Perëndinë në shenjtëroren e Tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij. Lëvdojeni për mrekullitë e Tij, lëvdojeni sipas madhështisë së tij. Lëvdojeni me tingullin e borive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. Lëvdojeni me cimbale tingëlluese, lëvdojeni me cimbale kumbuese. Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin” (Psalmi 148).
5 – Rregulli i Krijimit
Siç dimë nga libri i parë i Shkrimit të Shenjtë, Zanafilla, Perëndia e krijoi botën në gjashtë ditë. Sigurisht duke qenë i tërëfuqishëm Zoti mund ta krijonte botën në një ditë ose madje në një çast. Në vend të urdhrit “U bëftë drita” dhe “drita u bë”, Ai mund të thoshte “U bëftë bota” dhe e tërë bota do të krijohej; do të kishte qenë “shumë mirë”, ashtu siç ishte në ditën e gjashtë të krijimit, dhe ashtu siç bota është sot “shumë mirë”. Por gjithëurtësia e Perëndisë dëshironte ta krijonte këtë botë në gjashtë ditë. Dhe kur Shkrimi i Shenjtë thotë gjashtë ditë, “kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi; dita e parë”, dhe “dita e dytë” dhe “dita e tretë” dhe kështu me radhë, nuk thotë se këto ditë ishin ditë diellore, që përmbajnë njëzet e katër orë, sepse dielli nuk ishte shfaqur ende për të ndarë ditët nga netët. Dielli u shfaq në ditën e katërt. Kështu që këto “ditë”nuk janë ditë njëzet e katër orëshe siç janë ditët tona. Më saktë ato janë të gjata – shumë të gjata – periudha kohore, ndoshta qindra apo mijëra, madje ndoshta miliona vjet. Këto Shkrimi i Shenjtë i quan ditë. Ato nuk ngjajnë aspak me ditët e jetës sonë së përditshme. Ato janë ditë të krijimit hyjnor. Dhe secila prej këtyre ditëve janë shekuj të tërë. Psalmisti i drejtohet Perëndisë: “Sepse njëmijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë” (Psalmi 89:4). Dhe në këto periudha të gjata kohore në gjashtë ditë, Perëndia krijoi qenie të ndryshme me një rregull të caktuar. Ai nisi nga të papërsosurat dhe vazhdoi me më të përsosurat; nga inorganiket me organiket; nga të palëvizshmet me gjallesat; duke nisur fillimisht me inorganiket, me lëndën e pa formë dhe duke vazhduar me bimët, kafshët dhe në fund me njeriun, për shkak se njeriu është kulmi dhe kurora e krijimit të Tij; sepse Perëndia i dha njeriut frymë që është shpirtërore dhe e pavdekshme, megjithëse krijimi i Perëndisë buron nga asgjëja. Prandaj ekziston një rregull në krijimin e botës, një rregull që dëshmon dhe vërteton gjithashtu urtësinë e pakufi të Perëndisë, duke qenë se Ai krijoi çdo qenie dhe bëri çdo vepër krijuese me një akt krijues të veçantë. Prandaj ky rregull shkakton habi dhe mrekulli tek krijesat e Tij racionale, tek engjëjt dhe tek njerëzit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.