06/08/2019 06/08/2019 Një nga gjërat më shokuese dhe që na dëshpëron kohët e fundit, është që herë pas here dhe gjithmonë e më shumë po dëgjojmë që miqtë tanë ndahen, ose janë afër një divorci. Kemi dëgjuar gjithashtu edhe shumë të tjerë që kanë qenë të martuar për disa vite dhe tani janë divorcuar. Pse? Çfarë po...
06 Αυγούστου, 2019 - 18:24
Τελευταία ενημέρωση: 06/08/2019 - 18:34

Shoqëri dashurie – “Zot, mision, bashkëshort / e”

Διαδώστε:
Shoqëri dashurie – “Zot, mision, bashkëshort / e”

Një nga gjërat më shokuese dhe që na dëshpëron kohët e fundit, është që herë pas here dhe gjithmonë e më shumë po dëgjojmë që miqtë tanë ndahen, ose janë afër një divorci. Kemi dëgjuar gjithashtu edhe shumë të tjerë që kanë qenë të martuar për disa vite dhe tani janë divorcuar.

Pse? Çfarë po ndodh në shoqërinë tonë? Mos është diçka që duhet bërë PARA martese që mund të ndihmojë? Po PAS martese, a ka diçka që duhet bërë që të na ndihmojë për të evituar tundimin?

Ne kemi mësuar disa gjëra nga martesa jonë 9 – vjeçare:

– Martesa është një nga bekimet më të mëdha, por si çdo gjë e mirë, ajo kërkon shumë përpjekje që të përparojë.

– Kurrë mos mendoni që martesa është e çliruar nga rreziku, dhe kurrë mos mendoni që ju vetë jeni jashtë tundimit. Kujtoni, i ligu mund të na vërë pengesa atje ku jemi të dobët, madje edhe në pikat ku mendojmë se jemi të pathyeshëm; disa nga çiftet dhe lidhjet që ne i kemi admiruar kanë përfunduar në divorc.

– Martesa kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe të pandërprerë;  mos mendoni kurrë që e njihni mjaft mirë bashkëshortin/en tuaj, por vazhdimisht mëso si të rritesh më afër tij/saj dhe ta ndihmosh atë të rritet.

– Gjithmonë vështro veten dhe mendo sesi ti mund të bëhesh një bashkëshort/e sa më i/e mirë. (Kujto, i vetmi që ju mund të ndryshoni në lidhjen tuaj është vetja juaj, jo tjetri!

Ajo që dua të flasim sot është si të fillojmë, mbajmë dhe kultivojmë një lidhje dashurie të krishterë. Do të diskutojmë dashurinë si ndjenjë, dashurinë si vendim, dashurinë si një lidhje e rregullt dhe dashurinë si plotësim i vullnetit të Perëndisë.

Dashuria si ndjenjë

Gratë e Ueinsbergut

Kjo histori ka ndodhur në Gjermani, rreth vitit 1141. Një komandant i famshëm ushtarak, i quajtur Volf, kishte mbetur i rrethuar në kështjellën e tij, nga forcat e një komandanti tjetër të famshëm të quajtur Konrad. Vjen koha kur Volf duhej të pranonte humbjen dhe të dorëzohej. Korrierët vraponin lart e poshtë, bëheshin bisedime dhe marrëveshje të ndryshme. Ushtarakët brenda kështjellës përgatiteshin për t’u dorëzuar. Por gratë e tyre, brenda kështjellës së Ueinsbergut nuk ndieheshin të gatshme për të dorëzuar gjithçka. Ato i dërgojnë një mesazh Konradit, duke i kërkuar atij që t’i lejonte të dilnin pa i penguar nga kështjella dhe që ato të merrnin me vete aq objekte të çmuara sa mund të mbanin. Kërkesa pranohet dhe dyert e kështjellës hapen. Zonjat fillojnë të dalin dhe… nuk kanë me vete objekte të çmuara. Të gjitha janë të përkulura nga peshat e rënda të burrave të tyre, duke shpresuar se mund t’i shpëtojnë nga hakmarrja e kundërshtarëve. Komandanti Konrad e sheh këtë gjë dhe preket thellë nga përkushtimi dhe guximi i paparë i këtyre grave.

Menjëherë u premton grave se burrave të tyre nuk do t’u prekej as qimja e flokut dhe se do të liroheshin. Më pas komandanti Konrad i fton të gjithë në një banket të madh dhe nënshkruan paqen me komandantin Volf. Kështjella tani njihet me emrin Kështjella e Besnikërisë së grave të Ueinsbergut.

Dashuria e një bashkëshorti

Një histori prekëse tregon për një prift, i cili ishte i martuar dhe kishte shtatë fëmijë. Pas tridhjetë vitesh martesë gruaja e tij sëmuret rëndë. Ajo kishte tumor në kokë. Kjo do të thoshte se ajo mund të largohej nga shtëpia, pa e kuptuar se çfarë po bënte. Kështu që i shoqi duhej ta ruante atë natë e ditë. Ndërsa sëmundja vinte e bëhej më e rëndë, ishte më e vështirë për të të fliste dhe të ecte. I shoqi duhej ta ndihmonte për çdo gjë. Ai duhej ta ushqente, ta vishte, ta lante. Kjo vazhdoi për pesëmbëdhjetë vjet me radhë. Disa herë miqtë i kishin sugjeruar priftit që ta çonte gruan e tij në ndonjë azil ose spital për të sëmurë, pa shpresë shërimi, por prifti nuk kishte pranuar kurrsesi. “Ajo është gruaja ime dhe nëna e shtatë fëmijëve të mi”- thoshte prifti. “Nuk mund ta dërgoj as në azil e as në spital”. Pak para se ajo të vdiste, një shoqe e saj vjen për ta parë. Atë ditë ajo ndihej pak më mirë dhe mund të fliste disi. Ajo i thotë shoqes së saj: “Sa herë që ti dhe burri yt do t’u tregoni të tjerëve për dashurinë dhe për martesën, u thoni atyre se burri im ndien po aq dashuri për mua sa ç’ka ndjerë ditën që unë u bëra nusja e tij”.

Të dyja këto histori reflektojnë dashuri të thellë midis burrit dhe gruas.

Por çfarë është dashuria?

Dashuria është një fjalë që prek zemrat. Ajo mbart shumë emocione. Ajo krijon imagjinata të nostalgjisë dhe romantizmit. Ajo është tema e shumë novelave, filmave dhe këngëve. Ajo është gjithashtu një nga virtytet e krishtera më të rëndësishme. Gjithsesi, zakonisht dashuria është keqpërdorur dhe keqkuptuar. Prandaj është thelbësore që të rinjtë ta kuptojnë mirë dashurinë e vërtetë, që të dinë të marrin vendimin e rëndësishëm të zgjedhjes së një partneri në jetë.

Si është kur bie në dashuri? Flutura në stomak, një ndijim i ngrohtë gjatë gjithë kohës, ju zgjoheni duke menduar për atë që doni dhe numëroni minutat derisa ta shihni.

Të qenët në dashuri është një përvojë e bukur.  Ajo është faktori kryesor në një martesë të suksesshme. Kur njerëzit dështojnë kur duan ose kur duhen problemet personale bëhen mbizotëruese, miqësitë dëmtohen, të martuarit veçohen dhe familjet shpërbëhen.

Edhe pse shumë prej nesh mund të bien dakord se për të patur një martesë të mirë të dy njerëzit duhet të duhen me njëri-tjetrin, kuptimi ynë mbi dashurinë shpesh është i ndryshëm. Pyetni 10 njerëz të ndryshëm për një përkufizim mbi “dashurinë” dhe ju do të merrni 10 përgjigje të ndryshme – përgjigje që shpesh reflektojnë një kuptim jo realist apo të pamjaftueshëm të asaj se çfarë është dashuria e vërtetë.

Disa na kanë thënë që dashuria e vërtetë nuk mund të shpjegohet.  Ajo vetëm mund të përjetohet. Të dyja këto janë të vërteta dhe fallso. Është e vërtetë, sepse lloji i dashurisë së Perëndisë shkon përtej shpjegimit. Është fallso se ky Perëndi që i di të gjitha gjërat na ka dhënë disa deklarata në Bibël për natyrën dhe esencën e dashurisë.

(Fj.Urt.10:12; Mt.5:43-48; Rom.13:8-10; Rom.14:14,15; Gal.5:13-15; Efes.5:25; 1Thes. 4:9,10; 1Tim.1:5; Tit.2:3,4; 1 Jn.3:16-18)

Në fakt, mesazhi kryesor i Biblës është dashuri. Sigurisht, dashuria pa kushte e Perëndisë është mjaft sfiduese dhe shumë e ndryshme nga dashuria për të cilën flet bota.

Krahaso dashurinë e Perëndisë me dashurinë e botës ashtu si portretizohet ajo në muzikë, filma, revista dhe libra.

Dashuria e botës                                 Dashuria e krishterë

Dashuri egoiste                                Dashuri sakrifikuese                                                                                                                                               për të tjerët

Dashuri do të thotë                           Dashuri do të thotë

“të marrësh” nga të tjerët                 “t’u japësh” të tjerëve

Dashuri = epsh                                 Dashuri = pastërti

(plotësim i pasioneve të tua)         (kontrollim i pasioneve

të tua)

Dashuri =

ruaj veten nga të tjerët                          Dashuri = ji i hapur me

të tjerët, madje edhe

kur je lënduar; fal të

tjerët.

Ti duhet të shërbehesh                    Ti duhet të shërbesh

Mund  të jetë fodulle                                   Është e durueshme

krenare, mburravece                             e mirë, e përulur dhe sakrifikuese

Zhduket kur nuk plotëson                   Rritet vazhdimisht, duron

interesat tuaja  (divorci)                  është e përjetshme

Shpjegimi më i mrekullueshëm mbi dashurinë e krishterë ndodhet tek 1Kor.13.

Dashuria është zemërgjerë, bën të mira, dashuria nuk ka zili,  dashuria nuk krekoset, nuk fryhet, nuk bën të shëmtuara, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen, nuk gëzohet për padrejtësi, por bashkëgëzohet për të vërtetën; të gjitha i mbulon, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron. Dashuria kurrë nuk bie poshtë. Qofshin profeci, do të shfuqizohen; qofshin gjuhë, do të pushojnë; qoftë dituri, do të shfuqizohet; sepse pjesërisht njohim dhe pjesërisht profetizojmë. Por kur të vijë e përkryera atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.

Si të rinj të krishterë në një botë të infektuar, ju duhet të dalloni dhe të zgjidhni midis dashurisë sipas botës dhe dashurisë sipas Perëndisë.

Dashuria si vendim

“Zot, Mision, bashkëshort/e”

Kur isha i ri e kisha shumë të vështirë të vendosja të martohesha sepse:

– Dëshiroja një person të përsosur.

– Doja të isha 100% i sigurt.

– Mendoja që ‘ndjenjat’ e dashurisë të ishin me mua gjatë gjithë kohës.

– Si përfundim dëgjova bisedën: “Dashuria, marrje e një vendimi”.

Bota, nëpërmjet filmave, muzikës dhe novelave romantike, thekson që dashuria e vërtetë është e bazuar vetëm te ndjenjat për tjetrin. Nëse këto ndjenja largohen, dhe duket shumë e vështirë për t’i zotëruar ato, atëherë kemi “të drejtën” të largohemi dhe ta gjejmë dashurinë diku gjetkë, ose me dikë tjetër.

Perëndia na mëson diçka krejt ndryshe. Jemi thirrur të duam Perëndinë me gjithë shpirtin, fuqinë dhe mendjen tonë, dhe të duam të afërmin tonë. A është e lehtë kjo? Sigurisht jo! A kërkon kjo shumë përpjekje? Patjetër! A do të arrijmë ndonjëherë në pikën ku mund të themi që e duam Perëndinë dhe të afërmin 100%? Ndoshta jo, por ne marrim vendimin ta ndjekim Atë. Ky vendim do të thotë që sa herë të rrëzohemi, të ngrihemi përsëri. Ky vendim do të thotë që s’ka rëndësi se çfarë ndodh, s’ka rëndësi si ndihemi, s’ka rëndësi se çfarë surprizash na sjell jeta, ne do të përpiqemi gjithmonë të rritemi në dashurinë për Perëndinë dhe për tjetrin.

Ideja e marrjes së një vendimi është thelbësore për udhëtimin tonë për të kultivuar një “lidhje dashurie”, e cila  nuk do të mbarojë….

Cilat janë vendimet më të rëndësishme që duhet të marrim?

Vendime për:

– Zotin tonë

– Misionin (qëllimin) tonë në jetë

– Bashkëshortin/en tonë (partneri me të cilin do të udhëtojmë në jetë për të plotësuar misionin tonë dhe për të takuar Zotin tonë).

1. Zoti yt – çfarë të motivon ty në jetë? Kush do të të drejtojë ty në jetë? Cili do të jetë Perëndia yt i vërtetë?

– Të ndjekësh një status?

– Dëshira për një shtëpi të madhe dhe jetë të rëhatshme?

– Dëshirë për emër, famë dhe respekt?

Edhe pse ti mund të jesh një prift, ose dikush që i shërben Perëndisë në mënyrë tjetër, mos mendo që je i paprekshëm ndaj këtyre idhujve të jetës. Shumë të krishterë, madje dhe punëtorë të kishës, bien pre e këtyre “zotërve” të rremë në jetën e tyre.

A do të jenë këta idhuj zoti yt, apo do të jetë Perëndia i gjallë? Perëndia i vërtetë me të Cilin ti mund të zhvillosh, kultivosh dhe ushqesh një lidhje të gjallë dhe të fuqishme çdo ditë e çdo moment.

2. Lidhur ngushtë me zotin që ti do të zgjedhësh, do të jetë misioni (qëllimi) që ti ke në jetë. Cilat janë qëllimet e jetës sate?

– Qëllime profesionale?

– Qëllime arsimore?

– Qëllime materiale?

– Si lidhen këto qëllime me zotin që ti zgjodhe?

3. Pasi more dy vendimet e para, pastaj ti je në gjendje të fillosh të marrësh një vendim për të zgjedhur se kush do të jetë bashkëshorti/ja yt/jote (partneri yt). Një nga gabimet më të mëdha dhe më të zakonshme është zgjedhja e bashkëshortit/es, pa menduar për këtë person në lidhje me zotin dhe misionin tënd.

– Bashkëshorti/ja yt/jote mund të jetë ndihmesa më e madhe që të të afrojë më shumë te zoti yt dhe të përmbushësh misionin tënd.

– Bashkëshorti/ja yt/jote mund të jetë pengesa dhe tundimi më i madh që të të mbajë larg zotit dhe misionit tënd.

Zoti yt, misioni yt, bashkëshorti/ja yt/jote – secili prej këtyre vendimeve do të ndikojë shumë tek tjetri. Nëse ti dhe bashkëshorti/ja yt/jote nuk plotësoni njëri – tjerin në zotin tuaj dhe misionin tuaj, atëherë njëkohësisht ju nuk plotësoni njëri – tjetrin si bashkëshortë në jetë.

Dashuria si lidhje e rregullt

Si mund të gjej personin e duhur?

Nga ta di që i dashuri ose e dashura ime është personi i duhur për mua?

Si të mësoj cili është vullneti i Perëndisë për jetën time me një respekt ndaj martesës?

Si do ta mësoj që jam me të vërtetë në dashuri?

Çfarë është dashuria e vërtetë?

Të gjitha këto janë pyetje të duhura dhe të vështira. Ne do të përpiqemi t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve duke ofruar disa sugjerime që mund të ndihmojnë çdo person të nxjerrë konkluzionet e veta.

Le të fillojmë me pyetjen e dashurisë.

Cilësitë në zgjedhjen e partnerit të duhur dhe si të bëhem partneri i duhur.

Çfarë do të kërkoj unë nga një partner i ardhshëm  “ideal”?

Si mund të jem unë një partner i denjë?

Një herë lexova dy citime lidhur me këto shqetësime konkrete. E para thoshte: Para se të martoheni, duhet t’i mbani të dy sytë hapur. Pasi jeni martuar, duhet të mbyllni njërin sy”.  E dyta thoshte: “Mos shikoni vetëm që të gjeni partnerin e duhur në jetë; përpiquni të bëheni partneri i duhur në jetë”. Unë mendoj se që të dyja këto citime janë të vlefshme për t’u reflektuar.

 Ju djem, çfarë cilësish kërkoni tek një vajzë?  

– Bukurinë fizike?

– Inteligjencën?

– Një person argëtues dhe tip i hapur (që del, që dëfrehet)?

– Një person, sjellja e së cilës është besnike dhe e përkushtuar ashtu si përshkruhet tek Fjalët e Urta:31?

Shumë burra kërkojnë një Miss Shqipëria shpirtërore!!! (Kjo mund të ndodhë ndonjëherë, por jo shpesh!) Unë kam njohur djem të krishterë të sinqertë që pohojnë se kërkojnë një vajzë që ka zellin shpirtëror të një

murgeshe, por që duket si “Miss Shqipëria”. Djema, libri i Fjalëve të Urta ka një kapitull të tërë për gjetjen e një gruaje “ideale”.

Vajza, çfarë kërkoni tek një djalë?

– Tërheqjen fizike?

– Aftësi atleti?

– Dikë që do t’ju japë siguri?

– Dikë që do t’ju sigurojë një jetë të rehatshme?

– Dikë i cili do të jetë një shembull shpirtëror dhe drejtues në familjen tuaj?

Kur zgjedhim një partner, nuk duhet ta shohim atë si një aventurë biznesi, komoditet apo një romancë Hollivudi, por duhet ta shohim partnerin tonë më tepër si një shok (mik) në këtë jetë, i cili do të na drejtojë për në jetën e përjetshme.

Është e natyrshme të kërkosh disa cilësi në bashkëshortin/en tënd/e të ardhshëm/me, por duhet t’i kujtojmë vetes për bukurinë e brendshme të vërtetë dhe potencialin e brendshëm të çdo personi.

Shën Joan Gojarti, në një nga predikimet e tij të famshme mbi martesën, imagjinon një dhëndër të ri i cili i flet gruas së tij në këtë mënyrë: “Kam rënë në dashuri me përsosmërinë e shpirtit tënd, e cila është më e vlefshme se i gjithë ari. Me një grua të re, e cila është e kujdesshme dhe e pafajshme, zemra e të cilës është bazuar në shenjtëri, dhe që është e vlefshme në të gjithë botën. Për këto arsye, u njoha me ty dhe të dua”.

Sa prej jush kanë menduar rreth “përsosmërisë së shpirtit të personit” si një cilësi të cilën ju e kërkoni në partnerin/en e ardhshëm/me?

Si të kuptojmë që jemi në Lidhjen e Duhur?

Këtu janë disa teste të rekomanduara:

Testi mbi ndarjen e gjërave: Dashuria e vërtetë dëshiron të ndajë, të japë dhe të arrijë tjetrin. Dashuria përfshin së pari dhënien pastaj marrjen. Shpeshherë njerëzit thjesht duan të marrin nga një lidhje, ose më keq akoma, të marrin sa të munden nga një lidhje. Duhet edhe të jepni. Të ndarit e gjërave përfshin të gjitha fushat e jetës suaj – shpirtëroren, emocionalen, shoqëroren dhe intelektualen. Pyet veten: A kam një lidhje ku ne të dy japim dhe marrim? Apo jam unë ai/ajo i/e  cili/a jap gjithmonë?

Testi i fuqisë: Dashuria influencon edhe në qenien tonë fizike. Disa njerëz në dashuri ankohen se ata nuk mund të hanë, flenë ose punojnë. Ky mund të jetë rasti në hapat fillestarë të ngacmimit, por më vonë dashuria e vërtetë nuk duhet të na largojë fuqinë e vërtetë. Përkundrazi, dashuria e vërtetë duhet të na japë energji dhe forca të reja. Duhet të na mbushë me gëzim dhe të na bëjë njerëz krijues dhe të gatshëm për të arritur më shumë. Ne themi se: “Gëzimi ynë do të dyfishohet dhe shqetësimet do të përgjysmohen”, kur çifti është bashkuar në një. Pyet veten: A më jep dashuria forca të reja apo më dobëson fuqinë dhe energjinë?

Testi i respektit: Dashuria nuk mund të ekzistojë pa respektin. Një vajzë mund ta admirojë një djalë kur ai luan futboll, por ajo duhet të pyesë veten, a dua që ky djalë të jetë babai i fëmijëve të mi? Gjithashtu, një djalë mund ta admirojë një vajzë kur ajo kërcen, por duhet të pyesë veten, a dua unë që kjo vajzë të bëhet nëna e fëmijëve të mi? Duhet të jeni krenarë/e t’i tregoni familjes dhe miqve tuaj të ngushtë partneren/in tuaj dhe duhet të ndiheni i/e respektuar dhe i/e vlerësuar në lidhjen tuaj. Pyet veten: A kam mjaft respekt për personin tjetër? A jam krenar/e për partneren/in tim? A i respekton ai/ajo idetë dhe ndjenjat e mia?

Testi i zakoneve: Dashuria e pranon tjetrin me zakonet e tij/saj. Mos u martoni duke menduar se do ta ndryshoni partnerin tuaj. Ju nuk duhet vetëm ta doni personin me të cilin do të martoheni, por gjithashtu të jini në gjendje të jetoni me zakonet e tij/saj. Mos bëni një nga gabimet më të zakonshme – mos mendoni “ai/ajo do të ndryshojë pas martesës”.

Testi i komunikimit/grindjeve: Nuk ka asnjë lidhje ose martesë pa mosmarrëveshje. Si kundërpërgjigjemi ndaj grindjeve tona? A kemi aftësinë që të pajtohemi me njëri – tjetrin? A jam unë apo partneri im kokëfortë, kryeneç, që nuk fal? A mund të jetoj me këto vese në martesë? Komunikimi i mirë dhe i vlerësuar është thelbësor për një lidhje të shëndoshë. Pyet veten: A jam në gjendje të grindem në mënyrë të dobishme? A jemi në gjendje të falim njëri – tjetrin? A jemi në gjendje të sakrifikojmë për njëri – tjetrin?

Testi i kohës: Është mirë që t’i jepni lidhjes suaj kohë për t’u rritur dhe jepni kohë të shihni njëri – tjetrin në të gjitha rrethanat. Mos e shihni njëri – tjetrin vetëm në ditë festash me veshjet tuaja më të mira, por shiheni mikun tuaj në punë, në jetën e përditshme, me flokë palarë dhe në situata të stresit dhe dëshpërimit. Ekziston një thënie e vjetër: “Kurrë mos u marto pa kaluar të 4 stinët. Në rast se dyshon për ndjenjën e dashurisë, do të ta tregojë koha”.

Koha do të të tregojë, por jini të kujdesshëm që të mos e zgjasni shumë. Nëse koha e tepërt ka kaluar dhe ju ende nuk jeni të sigurt, kjo ndoshta do të thotë se njëri ose të dy po kaloni kohë të vështirë për marrjen e një vendimi. Lidhjet e gjata zakonisht nuk i shërbejnë asnjë qëllimi konkret. Pyet veten: A është testuar mjaftueshëm dashuria jonë në situata konkrete?

Testi i seksit: Testi i seksit është i panevojshëm. Marrëdhënia seksuale nuk teston dashurinë, por është fryt i një dashurie të pjekur dhe të plotë që është dhënë për jetën. Për një të krishterë, dashuri e tillë vjen në kohën e betimit para Perëndisë dhe njëri – tjetrit, – pas martese. Seksi i parakohshëm nuk tregon durim, respekt dhe bindje për të cilën të krishterët janë thirrur. Dashuria nuk rritet nga marrëdhëniet seksuale.

Të gjesh dashurinë në vendet e duhura

Vendi më i rëndësishëm për të kërkuar për bashkëshortin/en tuaj të ardhshëm/me është në lutjet drejtuar Perëndisë. I kërkoni në mënyrë të vazhdueshme Atij që t’ju drejtojë tek personi i duhur. Kur hyni në kishë ndizni një qiri për bashkëshortin/en tuaj të ardhshëm/me, dhe kërkojini Perëndisë t’ju drejtojë në kërkimet tuaja dhe t’ju japë hirin për të qenë të duruar. Jini të hapur ndaj përgjigjes së Perëndisë, për po ose jo, ose për pritje. Mos kini turp për të takuar partner të mirë në kishë, ose në komunitetin e krishterë ku jetoni. Atje ju mund të gjeni njerëz të cilët kanë të njëjtin zot dhe mision në jetë.

Dashuria si përmbushje e dëshirës së Perëndisë

Të njohësh dëshirën e Perëndisë është shqetësimi më i madh dhe më i vështirë për t’u formuar plotësisht.

– A do Perëndia që unë të martohem?

– A do Perëndia që të mbetem beqar/e ose të bëhem murg ose murgeshë?

– A është ky personi me të cilin Perëndia dëshiron që unë të martohem?

– Kur do Perëndia që unë të martohem?

Për këto shqetësime mund të luteni dhe të diskutoni me persona të cilët i beson shpirtërisht dhe që ju duan dhe dëshirojnë që të bëni dëshirën e Perëndisë në jetën tuaj. Gjithashtu duhet të kujtojmë që dëshira e Perëndisë përmbushet në kohën e duhur.

Si përfundim, vendimi për martesë, të bëhesh murg/esh, ose të jetosh si beqar/e në këtë botë lidhet me qëllimin tonë në jetë si të krishterë. Cili është ky qëllim?

– Shenjtërimi ynë

            – Udhëtimi ynë drejt Perëndisë

– Bashkimi ynë me Perëndinë

Në diskutimet tona mbi martesën dhe bashkëshortin/ten tonë të ardhshëm/me, duhet të kujtojmë qëllimin e martesës sonë nga tradita jonë Orthodhokse. Cili është ai?

1. Të ndihmoni njëri – tjetrin në udhëtimin drejt shenjtërimit për në Mbretërinë e Perëndisë

2. Të keni fëmijë. Judenjtë e Dhiatës së Vjetër mendonin se kuptimi thelbësor dhe qëllimi i martesës ishte në trashëgiminë e fëmijëve.

Shenja e bekimit të Perëndisë ishte vazhdimësia e racës. Një shembull është bindja e Abrahamit dhe besimi i tij te Perëndia, i cili solli premtimin e trashëgimtarit të lavdishëm: “Unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit, dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit” (Zan. 22:17).

3. Të kontrollojmë pasionet tona

Nga këto të trija, e para është qëllimi kryesor i martesës. Qëllimi themelor i martesës është të kesh një bashkëshort/e që do të ndihmojë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë.

Në botën tonë sot, shumë njerëz, martohen së pari dhe mbi të gjitha për të përmbushur dëshirat e tyre, që të jenë vetë të lumtur.

Sa njerëz njihni që u martuan për t’u shenjtëruar? Madje, ky duhet të jetë faktori kryesor për ne në zgjedhjen e bashkëshortit/es tonë të ardhshëm/me.

Shën Grigor Theologu shkroi: “Martesa nuk na largon nga Perëndia, por na afron më pranë Tij, sepse Vetë Perëndia na afron në martesë”.

Që martesa (ose lidhja jonë) të jetë një rrugë drejt shenjtërimit, ajo duhet të përfshijë rritje shpirtërore. Mënyra kryesore që të ushqejë rritje të shëndetshme është thellimi i jetës sonë shpirtërore personalisht dhe së bashku.

Si mund ta bëjmë këtë me partnerin/en tonë?

1. Të shkojmë bashkë në kishë

2. Të përgatitemi dhe të marrim pjesë bashkë në mistere (rrëfim dhe kungim)

3. Të lexojmë së bashku Biblën

4. Të kreshmojmë së bashku

5. Të lutemi së bashku

6. Të bëjmë vepra mikpritëse së bashku

7. Të japim bashkë lëmoshë

8. Të inkurajojmë dhe të jemi shembull reciprok

9. Të lexojmë së bashku shkrime shpirtërore

Përgatitën: Atë Luka dhe Fotini Veronis

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων