10/08/2019 10/08/2019 Kisha na mëson për ekzistencën e demonëve. Çfarë janë demonët? Demonët ashtu si dhe engjëjt janë frymëra; jomateriale dhe patrup, por frymëra të këqija që i kundërvihen Perëndisë dhe kërkojnë shkatërrimin shpirtëror dhe asgjësimin e njeriut, ndonëse nuk është e pazakontë të gjejmë situata ku ata torturojnë njeriun trupërisht dhe e shndërrojnë jetën e njeriut...
10 Αυγούστου, 2019 - 17:11

Demonët

Διαδώστε:
Demonët

Kisha na mëson për ekzistencën e demonëve. Çfarë janë demonët? Demonët ashtu si dhe engjëjt janë frymëra; jomateriale dhe patrup, por frymëra të këqija që i kundërvihen Perëndisë dhe kërkojnë shkatërrimin shpirtëror dhe asgjësimin e njeriut, ndonëse nuk është e pazakontë të gjejmë situata ku ata torturojnë njeriun trupërisht dhe e shndërrojnë jetën e njeriut në një tirani, brenda asaj mase që Perëndia i lejon. Dhe Perëndia u jep këtë liri ose për ndëshkimin e mëkatarit ose për të vënë në provë besimin e të drejtit. Fillimisht demonët nuk u krijuan nga Perëndia si të tillë pra frymëra të papastra dhe të këqij. Në fillim ata ishin engjëj të shndritshëm – ashtu si të gjitha frymërat qiellore. Megjithatë ata u pushtuan dhe u mbizotëruan nga arroganca dhe krenaria. Kështu, nën udhëheqjen e drejtuesit të tyre Luciferit (Eosforit – engjëllit dritë-përçues), i cili u bë Satanai, ata u ngritën në revoltë kundër Perëndisë. Luciferi u përpoq të bëhej si Perëndia në të gjitha gjërat duke kërkuar të pushtojë me pa të drejtë autoritetin dhe lavdinë hyjnore. “Unë do të ngjitem në qiell”, mendoi Luciferi “do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin” (Isaia 14:13-14). Për këtë arsye Perëndia e hodhi atë në Hadh, dhe bashkë me të, të gjithë ata engjëj që e besuan dhe e ndoqën pas. Të gjithë këta të fundit u bënë demonë, frymëra të këqija, dhe udhëheqësi i tyre u bë Djalli, Satanai “ati i gënjeshtrës), siç e përmend Zoti ynë. Tunduesi, Dragoi i Zbulesës, Gjarpëri i hershëm, që iu shfaq Evës si gjarpër për ta çuar drejt mosbindjes dhe mëkatit, Beliali, Belzebuli – siç quhet në Dhiatën e Re. Mashtruesi që josh universin, duke patur urrejtje ndaj Perëndisë dhe ndaj ikonës së Tij, njeriut. Demonët e tij janë të njëjtë si ai.

Shënim: Demonët në fillim u krijuan si engjëj të lirë dhe ata e keqpërdorën këtë lirë duke u bërë të zinj dhe të këqij, “papastërtia e tyre nuk i atribuohet krijimit të tyre”, sepse “ata nuk janë të këqij nga natyra, por të mirë, të krijuar me qëllim të mirë nga Perëndia duke mos patur asnjë gjurmë të së keqes të rrënjosur brenda tyre nga Krijuesi, por duke zotëruar lirinë për të zgjedhur dhe fuqinë për të qëndruar me Perëndinë ose të ndaheshin nga e mira, dhe ata nuk qëndruan atje ku Perëndia i krijoi dhe i vendosi por e fyen Atë dhe ranë nga qielli”, këto janë të vërteta të mësuara nga Etërit e mëdhenj të Kishës. Në të vërtetë, Shën Athanasi përcakton arsyen se përse Satanai dhe demonët e tij u përzunë nga qiejt. Ai shprehet qartazi se Satanai nuk u përzu nga qiejt “për shkak të kurvërisë, të shkeljes së kurorës apo të vjedhjes” por për shkak të arrogancës dhe krenarisë. Dhe Shën Qirili i Aleksandrisë shprehet se Djalli u përzu nga Oborri Qiellor për shkak se ai guxoi të thotë “Do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë” dhe për shkak se ai imagjinoi se mundej, ndonëse ishte një krijesë “të bëhej i ngjashëm me Shumë të Lartin”.

Sigurisht që ekzistojnë njerëz që mohojnë ekzistencën e demonëve, njerëz që thonë se në të vërtetë Djalli nuk ekziston. “Dhe çfarë është Djalli” pyesin ata. “Është thjesht personifikimi i së keqes”. Megjithëse çdo faqe e Dhiatës së Re flet për Satanain dhe përmend kaq shumë njerëz të pushtuar nga demonët. Ungjillori Shën Joani thekson se: “Prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë – për të shkatërruar veprat e Djallit” (I Joanit 3:8). Biri i Perëndisë u shfaq për të shkatërruar veprat e këqija të demonëve; mëkatin dhe vdekjen, dhe për t’i çliruar njerëzit nga robërimi real. Është e trishtueshme kur njerëzit, dhe veçanërisht të Krishterët e mohojnë këtë të vërtetë, që dëshmohet kaq shumë nga Shkrimi i Shenjtë. Të mohosh ekzistencën e Djallit do të thotë të kesh rënë në grackën e Satanait të ngritur për viktimat e tij për t’i shtënë në mëkat dhe më pas për t’i hedhur në ferr.

Kisha Orthodhokse e ka ruajtur gjithmonë këtë mësim të Shkrimit dhe të Traditës së Shenjtë se: Djalli dhe demonët e tij janë qenie reale, të arsyeshme dhe të lira. Misteri i Pagëzimit tregon se Kisha e shikon Djallin si një person real, të cilin çdo kandidat për pagëzim duhet ta mohojë. Në luftën e saj për shpëtimin e besimtarëve, Kisha i kujton ata për realitetin demoniak, sepse lufta e tyre “nuk është kundër mishit e kundër gjakut, por kundër kryesive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12).

 

/ radiongjallja.org

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων