13/11/2024 13/11/2024 E mërkurë 13 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës. DITË KRESHME Oshënar Joan Gojarti i Konstandinopojës dhe Anthusa, e ëma. Oshënar dëshmor i ri Damaskini. – OSHËNAR JOAN GOJARTI I KONSTANDINOPOJËS DHE ANTHUSA, E ËMA – Ky yll i shkëlqyer në kupën qiellore të shenjtorëve, kjo shtyllë e Kishës dhe doktor i universit, lindi në...
13 Νοεμβρίου, 2024 - 15:25

Oshënar Joan Gojarti i Konstandinopojës dhe Anthusa, e ëma. Oshënar dëshmor i ri Damaskini

Διαδώστε:
Oshënar Joan Gojarti i Konstandinopojës dhe Anthusa, e ëma. Oshënar dëshmor i ri Damaskini

E mërkurë 13 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Oshënar Joan Gojarti i Konstandinopojës dhe Anthusa, e ëma. Oshënar dëshmor i ri Damaskini.
– OSHËNAR JOAN GOJARTI I KONSTANDINOPOJËS DHE ANTHUSA, E ËMA –
Ky yll i shkëlqyer në kupën qiellore të shenjtorëve, kjo shtyllë e Kishës dhe doktor i universit, lindi në Antioki më 344 (ose ndoshta më 354), nga prindër të krishterë: I ati, Sekundi, ishte gjeneral i ushtrisë dhe e ëma, Anthusa, grua plot besim dhe devotshmëri, por mbeti e ve në moshën 20-vjeçare. Nuk u martua dhe preferoi t’ia përkushtonte jetën Perëndisë dhe edukimit të të birit. I frymëzoi Joanit dashurinë për dëlirësinë dhe mbolli në të farat e virtytit. Edhe vetë ai kishte dëshirë të zjarrtë për përdëllim dhe mbrojtjen e drejtësisë, zell të guximshëm dhe kurajë të paepur. E ëma i dha edukim të shëndoshë në letërsinë pagane pranë mësuesve më të mirë, mes të cilëve ishte dhe i famshmi Libanius. Dhuntitë e tij për oratorinë ishin të tilla, sa mendonin ta bënin avokat të shkëlqyer dhe Libaniusi dëshironte ta kishte si pasues.
Por Joani nuk e la veten të shpërndahej në kotësitë e botës; u pagëzua në moshën 18-vjeçare dhe u bë lexues disa kohë më vonë, dhe që atëherë u kthye drejt Filozofisë së shenjtorëve.
Pas pagëzimit, asnjë s’e dëgjoi të thoshte ndonjë fyerje, as gënjeshtër, as shpifje, as të kënaqej me talljen dhe kritikën e të afërmit të tij. U vesh vërtet me Krishtin, duke u zbukuruar me stolinë e virtyteve nëpërmjet betejës intensive të përditshme. Sipas shembullit të mikut të tij, Vasilit, me të cilin kishin të njëjtën dashuri për Perëndinë, la çdo lidhje me botën dhe u tërhoq për të asketizuar në shtëpinë e familjes. I ashpër me veten, djaloshi i ri kreshmonte me zell, bënte agripni dhe lutej, pa lejuar kurrë t’i shpërqendrohej mendja. Qëndronte vazhdimisht në heshtje me Perëndinë, i kujdesshëm në shtypjet e vrulleve të mishit dhe të zemërimit. Përparoi kaq shumë, sa shumë herët u bë i denjë për lutjen pa shpërqendrim e në ruajtjen e mendjes pa pasion dhe në butësi të palëkundur.
Më vonë, kur rastiste të zemërohej në fjalimet e tij, e bënte për korrigjimin e besimtarëve, por pa e humbur vetëkontrollin. Në moshën 25-vjeçare fama e virtytit të tij ishte përhapur dhe episkopi i Antiokisë donte ta bënte prift, por Joani i përulur, i frikësuar nga madhështia e tmerrshme e këtij funksioni, pëlqeu të largohej dhe arriti që ta dorëzonin mikun e tij, Vasilin, në vend të tij.
Kur i vdiq e ëma, arriti të plotësonte dëshirën që kishte prej vitesh, që ta braktiste plotësisht botën e të tërhiqej me murgjit që jetonin në malet rreth Antiokisë. Jetoi nën drejtimin e një asketi sirian, në bindje, varfëri absolute dhe në kreshmë e lutje. Këta murgj ngriheshin çdo ditë në mesnatë dhe luteshin së bashku deri në lindjen e diellit, pastaj secili tërhiqej në qelinë e vet, që të kalonte në heshtje pjesën tjetër të ditës, duke bërë punë të përulura ose duke medituar mbi Shkrimet e Shenjta. Hanin pak bukë dhe kripë, pas perëndimit të diellit, pastaj bisedonin për çështje shpirtërore, para se të çlodheshin.
Pas 4 vjetësh me këtë mënyrë jetese, gjatë të cilave u tregua një model për vëllezërit, Joani vendosi të tërhiqej në një shpellë i vetëm me Perëndinë. Atje u dha në beteja më të vështira për t’ia nënshtruar trupin shpirtit. E kaloi këtë periudhë pa u shtrirë asnjëherë për të fjetur, por çlodhej duke u varur nga shpatullat në një litar të lidhur në tavan. Lutej dhe sodiste Shkrimet, prej të cilave përfitoi njohje me thellësi unike. Pas një viti, kreshma e ashpër dhe të ftohtët bënë që të sëmurej rëndë nga veshkat, ndaj iu desh të kthehej në Antioki. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër të jetës murgërore, Joani fitoi dije të jashtëzakonshme për gjërat hyjnore dhe, megjithëse ishte i ri në moshë, nisi të jepte mësime nëpërmjet hartimit të shumë fjalimeve për jetën shpirtërore.
Pak pas kthimit të tij në Antioki (380), u dorëzua dhjak nga shën Meleti (12 shkurt), pastaj, 5 vjet më vonë, prift nga pasuesi i tij, Flaviani (386). U prit me dashuri nga populli dhe kreu për 12 vjet drejtimin shpirtëror të mitropolisë së madhe, e cila vuante prej shumë vitesh nga një gjendje e mjerueshme kishtare. Tregohet se në çastin e hirotonisjes, disa panë një kolonë të bardhë të qëndronte mbi kokën e tij, dhe në fakt, hiri i Shpirtit të Shenjtë, që ditën e Pentikostisë zbriti mbi apostujt në formë gjuhësh zjarri, banoi që prej asaj dite te Joani dhe i dha fjalës së tij fuqinë e zjarrit hyjnor.
Elokuenca e tij ishte brilante. Arrinte të mblidhte gjithë qytetin në çdo ligjëratë që bënte nëpër kishat e ndryshme dhe ngjallte një entuziazëm kaq të zjarrtë te dëgjuesit, sa shpesh ndërpritej nga gjëmimi i duartrokitjeve. Fjalët e tij u ngjanin ujërave të bollshme të lumit “që rrethon qytetin e Perëndisë” (Ps. 45.5); depërtonin thellë në zemra dhe i ngrinin shpirtrat drejt Perëndisë dhe dashurisë për virtytin.
Nga të gjithë Etërit, Joani shkëlqeu më shumë në elokuencë, prandaj e bënë zakon ta quanin GOJARTË.
Predikimi i tij bazohej kryesisht në Shkrimin e Shenjtë, mjaltin e të cilit e kishte shijuar me mund në vetmi: i pëlqente të shpjegonte kuptimin literal dhe tregonte unitetin e planit hyjnor që Shkrimi zbulon, duke e zbatuar përherë në jetën e krishterë. Sodiste thellësitë e mistereve hyjnore dhe zotëronte pasurinë e dogmave, por dinte edhe të tregonte se këto e gjejnë rrezatimin e tyre në virtytet e shenjta; veçanërisht në lëmoshë, drejtësi, përulësi, pendim dhe dërrmimin e zemrës, bazuar në besimin te madhështia e pafund e mëshirës së Perëndisë. Shpesh i thoshin “Predikuesi i Mëshirës” dhe “Syri i ndritshëm i pendimit”. Nuk mjaftohej vetëm me predikimin, por organizonte bamirësi, drejtonte ceremoni dhe lutje, kujdesej për cilindo si për shpirtin e vet, ishte arbitër në çështje publike, si përmbysja nga populli e statujave të perandorit Theodhos në revoltën e vitit 387, i cili, pa ndërhyrjen e shenjtit, do t’i kishte shtypur në mënyrë të përgjakshme.
Më 397, fjeti kryepiskopi i Konstandinopojës, shën Nektari, (kremtohet më 11 tetor) dhe vendi i tij vakant u bë objekt i lakmive të hidhura, veçanërisht nga Theofili, kryepiskopi i Aleksandrisë, i cili, nga xhelozia për influencën e ndjeshme të qytetit perandorak, donte të vendoste në fron Isidorin, një nga njerëzit e vet të besuar. Megjithatë, fama e Joanit ishte përhapur shumë dhe i kishte kaluar limitet e provincës së Antiokisë dhe shfaqej si i vetmi me të vërtetë i denjë të merrte përsipër këtë detyrë. Nën presionin e kryeministrit Eftropi, perandori Arkad e caktoi si kryepiskop dhe me anë të një manovre e solli në Konstandinopojë, sepse dihej se, nga përulësia e tij, nuk do ta pranonte kurrë këtë funksion. U fronëzua në shkurt të vitit 398, nga Theofili, i cili i mbante mëri. Sapo u bë kryepiskop, Joani bëri të shkëlqente dhuntia e tij si orator, ashtu dhe shenjtëria e tij.
Predikonte kudo dhe pa u lodhur dhe turma njerëzish mblidheshin për ta dëgjuar me entuziazëm. Kishte dashurinë e atit për besimtarët e tij dhe u fliste me familjaritet: gëzohej për përparimin e tyre në virtyt dhe derdhte lot kur mësimet e tij mbeteshin pa rezultat. I huaj për servilizma ndaj të mëdhenjve të oborrit, i sulmoi pa vonesë për teprinë e luksit, të kënaqësive dhe mëshirën hipokrite të të pasurve, por gjithmonë, pa i akuzuar me emra. Vetë ai dha shembullin e varfërisë ungjillore, duke u privuar nga tërë luksi që i përkiste personit të kryepiskopit. Shiti të mirat e kryepiskopatës dhe objektet e çmuara, që t’i shpërndante te të varfrit dhe të ndërtonte spitale dhe strehë për të huajt. Nuk zotëronte asgjë për veten e vet dhe ishte çliruar nga tërë përkujdesjet, lidhur me ftesat dhe darkat zyrtare: hante gjithmonë vetëm, që të mbante trupin e tij të sëmurë dhe të dobësuar dhe nuk pranonte kurrë ftesa, që t’u shmangej bisedave të botës.
Praktikonte gjerësisht mikpritjen dhe vetë ai vizitonte të sëmurët dhe të burgosurit e u qëndronte pranë të varfërve dhe nevojtarëve. Që t’i evitonte lojërat dhe spektaklet shpirtprishëse, organizonte në qytet procesione dhe psalmodi që nga mëngjesi e deri natën. Celebronte shpesh agripni për ata që punonin ditën, që të vinin në qetësinë e natës, për t’u lutur. Joani i nxiste që të ndërprisnin gjumin, që t’i kushtonin pak kohë lutjes. Prandaj shkroi lutjet e Liturgjisë Hyjnore, të cilën e kremtojmë edhe sot.
Kur kremtonte, shikonte shpesh të zbrisnin nga qielli një shumicë engjëjsh që rrethonin kishën. Me gjithë këto punë baritore, preokupimi i tij i parë ishte soditja dhe meditimi i Shkrimit të Shenjtë. Ishte kaq shumë i përfshirë, sa harronte shpesh të hante dhe të çlodhej. Një natë, dishepulli i tij, Prokli, i cili i shërbente, e vuri re fshehtazi në qeli dhe pa se vetë apostull Pavli i rrinte pranë dhe i diktonte komentarin e Letrave të tij. Zelli i Joanit për virtytin shtrihej në tërë rrethin e tij dhe plot energji ndreqte sjelljet e klerit dhe përjashtonte nga Kungata disa episkopë simoniakë. Kujdesej për misionet dhe përhapjen e Ungjillit te barbarët dhe në veçanti te gotët, të cilëve iu dha një kishë në Konstandinopojë.
Megjithatë, e gjithë kjo veprimtari dhe kjo vendosmëri për të reformuar zakonet ngjallën shpejt armiqësi të shumta tek disa fisnikë të devotshëm dhe episkopë mondanë, të cilët shfrytëzuan tërë pretekstet për të shpifur. Edhe Theofili i Aleksandrisë përfitoi nga këto thashetheme dhe nga mbrojtja që u kishte bërë Joani disa murgjve origjenianë që ishin larguar nga Nitria, për ta akuzuar dhe për ta detyruar që të hiqte dorë me anë të një sinodi të përbërë vetëm nga partizanët e vet (Sinodi i Kenës, 403). Në vend që t’u përgjigjej akuzave të gënjeshtërta dhe intrigave të oborrit, Joani preferoi të imitonte Krishtin, Mësuesin e tij, i cili ruajti heshtjen para akuzuesve të tij dhe e la veten të vuante si qengji në thertore. Pra, pranoi dënimin dhe dorëheqjen edhe pse populli ishte gati për të bërë kryengritje për bariun e tij të dashur dhe u dorëzua tek ushtarët, që e internuan në Bitini. Por, menjëherë pas këtij largimi të shenjtit, një tërmet shkundi kryeqytetin, shoqëruar me katastrofa, të cilat e sollën në vete perandoreshën Evdhoksia dhe e bënë të kuptonte fajin, ndaj e thirrën përsëri Joanin në fronin e tij.
Sapo u kthye në fron, Joani nuk ishte aspak i gatshëm të bënte kompromise. Ruajti mirëkuptim me perandoreshën vetëm për disa muaj; derisa ajo inauguroi një statujë për nder të saj në mes të festave dhe manifestimeve të zhurmshme, që trazuan shërbesat e kishës dhe sollën qortimin e Joanit. Intrigantët përfituan nga kjo situatë, për ta sulmuar edhe një herë: Theofili dhe të tijtë arritën ta bindnin perandorin që të mos merrte pjesë në ceremonitë e Pashkës, kryesuar nga Joani (404), me pretekstin se ishte i paligjshëm si patriark. Arkadi e dëboi kryepiskopin nga kisha e tij dhe dha urdhër të dëbonte klerikët që i mbetën besnikë dhe besimtarët, në çastin kur kryheshin pagëzime, të Shtunën e Madhe, aq sa dhuna bëri që gjaku të rridhte në pagëzimoret. Trazirat zgjatën edhe ditën tjetër pas Pashkës. Joani u mbyll në pallatin e tij, i ruajtur nga ushtarët.
Përfundimisht, disa ditë pas Pentikostisë, me gjithë frikën e Evdhoksisë se mos shtoheshin katastrofat, si me largimin e tij të mëparshëm, perandori vendosi ta syrgjynosnin përsëri. Joani u dorëzua vetë, por populli i mbledhur rreth Shën Sofisë protestoi, shpërthyen përleshje dhe ranë zjarre, duke shkatërruar një pjesë të madhe të katedrales dhe të pallatit të senatit. Për këtë u akuzuan edhe pasuesit e shenjtit dhe gjetën pretekst që t’i përndiqnin e t’i persekutonin me urrejtje.
Pas kësaj, kaloi tërë vështirësitë e një internimi të hidhur. Si fillim, u dërgua në Nikea dhe pastaj e zhvendosën në Kukuz (Armeni), ku vuajti ashpërsitë e klimës, urisë, sulmeve barbare dhe izolimit. Por, i pathyeshëm në guximin dhe shpresën e tij, ngushëlloi nëpërmjet letrave që shkruante ata që ishin internuar dhe persekutuar për shkak të tij. Situata e tij ngjalli interesin e papës së Romës, Inocentit, i cili u përpoq pa sukses që ta mbështeste. Meqë vetë prania e tij ishte dënim për armiqtë, këta të fundit u përpoqën ta çonin në një vend edhe më të egër, në këmbët e Kaukazit, në brigjet e Detit të Zi. Pa pyetur për moshën dhe dobësitë e tij, kryepiskopin e shenjtë e detyruan të ecte në monopate të vështira.
Pas 3 muajsh, mbërritën në qytetin e Komanit në Pont dhe ndaluan pranë kishës kushtuar martirit lokal, Vasiliskut (22 maj). Gjatë natës, kur Joani po lutej, me gjithë dërrmimin e tejskajshëm, shenjti iu shfaq e i tha: “Bëj durim, se nesër do të jemi së bashku”. Në mëngjes, ai kërkoi rroba të bardha, u kungua me Misteret e Shenjta dhe dha shpirt duke thënë: “Lavdi Perëndisë për të gjitha!” (14 shtator 407).
Kisha e Konstandinopojës vuajti edhe më tej për vite me radhë nga skizma: dishepujt e Joanit nuk i njohën zëvendësuesit që caktoi perandori. Kur erdhi paqja dhe shenjtëria e Joanit u njoh unanimisht, lipsanet e tij të shenjta i sollën me triumf në kryeqytet (438).

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων