16/12/2024 16/12/2024 E hënë, 16 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës. Profeti Agjeu. Oshënar Modesti i Jerusalemit. Dëshmor Marini, senator. Mbretëresha Theofanó. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR) – PROFETI AGJE (Hagai) – Kur Kiri, mbreti i Persisë, mori pushtetin në perandorinë e Babilonisë (539 përpara Krishtit), Perëndia e nxiti të kthente në...
16 Δεκεμβρίου, 2024 - 16:38

Profeti Agjeu. Oshënar Modesti i Jerusalemit. Dëshmor Marini, senator. Mbretëresha Theofanó

Διαδώστε:
Profeti Agjeu. Oshënar Modesti i Jerusalemit. Dëshmor Marini, senator. Mbretëresha Theofanó
E hënë, 16 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Profeti Agjeu. Oshënar Modesti i Jerusalemit. Dëshmor Marini, senator. Mbretëresha Theofanó.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
– PROFETI AGJE (Hagai) –
Kur Kiri, mbreti i Persisë, mori pushtetin në perandorinë e Babilonisë (539 përpara Krishtit), Perëndia e nxiti të kthente në atdhe judenjtë që ishin mbajtur robër nga marrja e Jerusalemit (586), për të ndërtuar tempullin nën drejtimin e Zorobabelit, guvernatorit të Judesë, dhe të kryepriftit Jose (Libri i Ezdras). Sapo u kthyen në qytetin e shenjtë, ata që shpëtuan ringritën kultin, sipas urdhërimeve të Ligjit dhe nisën punimet. Por, të dekurajuar nga kundërshtimet dhe kërcënimet e popullsive që i rrethonin, i ndërprenë punimet deri në mbretërimin e Darit. Profetët e shenjtë, Agjeu (Hagai) dhe Zaharia (8 shkurt), u frymëzuan nga Perëndia për të zbuluar se judenjtë duhet të vazhdonin punën e tyre. Agjeu, duke qenë me origjinë nga fisi priftëror i Levit, lindi në Babiloni dhe kishte shoqëruar judenjtë e parë që u kthyen në Jerusalem.
Nën frymëzimin e Perëndisë, ai iu drejtua Zorobabelit, Joseut dhe të gjithë popullit (midis muajve gusht e shtator të vitit 520), për t’u bërë të ditur se thatësira, nga e cila po vuanin keq, ishte e dërguar nga Ai për t’i ndëshkuar, ngaqë kishin braktisur rindërtimin e tempullit. Me anë të gojës së profetit Daniel, Perëndia paratha se ai do të banonte në tërë lavdinë dhe shkëlqimin e tij në këtë banesë, simbol i Tempullit shpirtëror dhe të përjetshëm, i Kishës, Trupit të Krishtit.
Duke i nxitur judenjtë që të rifillonin punën, profeti u drejtohet edhe atyre që janë të shpëtuarit e Dhiatës së Re, të krishterëve: “Ngjituni në mal, sillni drurë dhe rindërtoni banesën; unë do të vë tek ajo pëlqimin tim dhe do të shfaq lavdinë time” (Agjeu 1:8). Por, në vend të gurëve, të shtyllave dhe të gozhdëve, janë këto që e përbëjnë atë: ndërgjegjja e tyre, shpirti, fryma dhe zemra, të cilat përdoren si gurë të gjallë për ndërtimin e tempullit shpirtëror të Kishës (shih 1 Petr. 2:5).
Pasi profetizoi trazirat e mëdha të botës, të cilat do të paraprinin vendosjen përfundimtare të lavdisë së Perëndisë në Tempullin e tij të restauruar “Ja edhe pak dhe do ta tund qiellin dhe dheun, detin dhe tokën. Do të trondit mbarë kombet, atëherë do të dynden thesaret e të gjitha kombeve dhe do ta mbush këtë tempull me lavdi” (Agj. 2:7), profeti i shenjtë Agjeu i drejtohet Zorobabelit, si një ikonë e Mesisë që do të vinte, për të paratreguar faktin se është Ai, Krishti, që Ati e ka pëlqyer dhe e ka bërë një vulë për të bashkuar të gjitha gjërat qiellore dhe tokësore në të dhe për t’i vulosur me vulën e Tij.
* * * * *
– OSHËNAR MODESTI I JERUSALEMIT –
Shën Modesti ishte një murg i famshëm për virtytin e tij dhe njohjen e thellë të filozofisë së shenjtë dhe të vërtetë që të çon në ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë. Për këtë arsye, u zgjodh edhe igumen i manastirit të Shën Theodhos Kinovjarkut, themeluar në shekullin e 6-të, dhe drejtoi me urtësi grigjën e tij shpirtërore. Në vitin 614, kur mbreti i Persisë, Hosroes II, përparoi drejt Jerusalemit me trupat e tij, patriarku Zaharia dërgoi Modestin mes radhëve të armikut, për të kërkuar ndihmën e ushtrive perandorake të cilat ishin vendosur në Antioki. Pas një rrethimi prej 3 javësh, qyteti u mor nga persët dhe për 3 ditë rresht iu nënshtrua një plaçkitjeje sistematike dhe masakrave të panumërta. Meqë patriarku Zaharia u dërgua në internim bashkë me Kryqin e Shenjtë dhe me mijëra të krishterë të tjerë, Modesti u përzgjodh për ta zëvendësuar në qytetin, i cili ende po digjej nga flakët.
Duke rrezikuar jetën e tij në çdo moment, shën Modesti, si një Zorobabel i ri, punoi për varrosjen e mijëra viktimave dhe për rindërtimin, me aq sa kishte mundësi, të altarëve dhe vendeve të shenjta që ishin plaçkitur dhe ishin ndotur nga barbarët. Ai mblodhi të arratisurit, i ngushëlloi, u dha shpresë dhe, falë ndihmës së madhe të patriarkut të Aleksandrisë, shën Joan Përdëllimtarit (shih 12 nëntorin), arriti t’i rijapë jetë Kishës së Sionit të pikëlluar dhe të lënë pa asnjë ndihmë.
Gjatë kësaj kohe ai inicioi në besë me anë të Pagëzimit të shenjtë një persian, shën Anastasin, i cili vuajti martirizimin në Qesari në vitin 628 (22 janar). Në vitin 619, kur u kthye nga internimi, patriarku Zaharia mori përsëri drejtimin e Kishës, deri në vdekjen e tij në vitin 632. Shën Modesti e pasoi si patriark dhe pasues i shën Jakovit. Enë e zgjedhur e Hirit dhe predikues i palodhur i Ungjillit të shenjtë, ai zbukuroi fronin e Nënës së Kishave me anë të shkëlqimit të virtyteve dhe mrekullive të tij. Shenjti fjeti paqësisht në Zotin më 17 dhjetor 634.
* * * * *
– DËSHMOR MARINI, SENATOR –
Lindi e u rrit në Romë, ku u denjësua për rangun e senatorit. Megjithatë, veprat e mira që bënte ndaj të krishterëve lindën dyshime në zemrat e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët më pas zbuluan se edhe Marini ishte bërë i krishterë.
Kështu, e denoncuan dhe shenjtori u arrestua me urdhër perandorak. Nuk pranoi t’u bënte fli idhujve, prandaj e dënuan me vdekje. Teksa po e çonin te vendi i ekzekutimit, pa disa miq të tij që qanin, dhe u tha: “Përse qani e vajtoni? Kjo vdekje është jetë e përjetshme”. I prenë kokën dhe shpirti i tij fluturoi në tendat e të drejtëve.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων