17/12/2024 17/12/2024 E martë, 17 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës. Profeti Daniel e 3 djemtë: Anania, Azaria, Misaeli. Oshënar Dionisi i Egjinës. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR) * Sot është dita e fundit ku lejohet konsumimi i peshkut – PROFETI DANIEL E 3 DJEMTË: ANANIA, AZARIA, MISAELI – Kur në vitin...
17 Δεκεμβρίου, 2024 - 17:34

Profeti Daniel e 3 djemtë: Anania, Azaria, Misaeli. Oshënar Dionisi i Egjinës

Διαδώστε:
Profeti Daniel e 3 djemtë: Anania, Azaria, Misaeli. Oshënar Dionisi i Egjinës

E martë, 17 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Profeti Daniel e 3 djemtë: Anania, Azaria, Misaeli. Oshënar Dionisi i Egjinës.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
* Sot është dita e fundit ku lejohet konsumimi i peshkut
– PROFETI DANIEL E 3 DJEMTË: ANANIA, AZARIA, MISAELI –
Kur në vitin 597, para Zotit tonë, mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, pushtoi Jerusalemin, ai dërgoi në mbretërinë e tij të largët Joakimin, mbretin e Judesë, me një pjesë të parisë së qytetit dhe objektet e shenjta të Tempullit të Perëndisë. Danieli, i cili atëherë ishte 8 vjeç, u kap rob me 3 shokët e tij, të gjithë me origjinë mbretërore dhe të pashëm. Ata i dërguan në pallatin mbretëror për të mësuar nën drejtimin e të parit të eunukëve mbretërorë shkencën e kaldenjve dhe që të futeshin në shërbimin e sovranit. U vunë emra të rinj, Danieli u quajt Baltazar, Anania-Sidraak, Misaeli-Misak dhe Azaria-Abdenego. Duke jetuar në mes të paganëve, Danieli ruante me saktësi të madhe urdhëresat e ligjit. Ai refuzonte të shijonte ushqimet e tryezës mbretërore që i ofronin dhe, të forcuar nga lutja e kreshma, ai bashkë me shokët e tij ishin më të fortë në trup dhe në shpirt nga të gjithë fëmijët e tjerë që ndodheshin në oborr, edhe pse hanin vetëm perime dhe pinin vetëm ujë. Perëndia u dhuroi urtësi dhe dituri aq të madhe, saqë i kaluan të gjithë të diturit e mbretërisë. Sa për Danielin, ai mori edhe dhuratën e dallimit të ëndrrave e të vizioneve.
Pas 3 vjetësh, mbreti Nabukodonosor pa një ëndërr që ia turbulloi shumë mendjen. Meqë të diturit e tij dhe orakujt e perandorisë e kishin të pamundur ta gjenin shpjegimin, ai urdhëroi të vriteshin të gjithë me shpatë, përfshi edhe djemtë e rinj izraelitë. Por si përgjigje të lutjes së fortë të shërbëtorëve të tij, Perëndia i zbuloi Danielit ëndrrën e mbretit dhe interpretimin e saj. Statuja e shkëlqyer që Nabukodonosori kishte parë të ngrihej përpara tij ishte një alegori e kohëve që kishin për të ardhur. Koka e artë e saj përfaqësonte mbretërinë kaldease; duart dhe gjoksi në argjend mbretërinë e medëve dhe të persëve që do ta pasonin; barku dhe kofshët prej bronzi, mbretërinë helenike të Aleksandrit të Madh; këmbët prej hekuri, Perandorinë Romake. Guri që kishte parë të shkëputej nga mali pa e prekur asnjë dorë e që e bëri pluhur këtë statujë të madhe të perandorive pagane, ishte Zoti ynë Jisu Krisht, i mishëruar në fund të kohëve, për të themeluar një mbretëri shpirtërore dhe të përjetshme, të cilën asgjë në tokë nuk do ta shkatërrojë më: Kishën e Shenjtë.
Duke lavdëruar Perëndinë e Danielit, mbreti i dha djaloshit një rang të lartë; e bëri guvernator të të gjithë Babilonisë dhe të parin e të gjithë të diturve të perandorisë. Por Danieli arriti ta bindte mbretin të qëndronte në oborrin e tij dhe të mbante pranë vetes të tre djemtë e rinj si ndihmës për punët e provincës së Babilonisë. Prestigji i tij u rrit mjaft pranë princit dhe popullit edhe kur arriti të tregonte mashtrimin e dy burrave të moshuar lakmitarë, që kishin akuzuar padrejtësisht për imoralitet Suzanën e bukur, sepse ajo i kishte refuzuar kërkesat e tyre.
Në vitin e 18-të të mbretërimit të tij, Nabukodonosori ngriti një statujë ari dhe urdhëroi gjithë satrapët, guvernatorët, këshilltarët dhe magjistratët e tij ta adhuronin duke rënë përtokë, kur të binin veglat muzikore. Me gjithë kërcënimet e tiranit të frikshëm, Tre Djemtë e rinj nuk iu bindën këtij urdhri dhe i mbetën besnikë adhurimit të të vetmit Perëndi të vërtetë. Disa magjistratë kaldeas, duke i pasur smirë për pozitën e tyre të lartë, përfituan nga rasti për t’i denoncuar pranë Nabukodonosorit. Duke u dridhur prej zemërimit për shkak të këtij lajmi, ai urdhëroi të ndizej një furrë dhe të përflakej e gjitha 7 herë më shumë se zakonisht dhe u tha rojave të fusnin brenda të Tre Djemtë.
Duke folur në emër të të gjithë popullit hebre, Anania, Azaria dhe Misaeli i drejtuan Perëndisë një lutje plot përulësi, duke i rrëfyer të gjitha mëkatet e etërve të tyre dhe duke e pranuar se ishte e drejtë dhe e saktë që ata ishin internuar në atë mënyrë, duke vuajtur trajtimin e keq të këtij mbreti të pabesë dhe, në fund fare, edhe torturën e zjarrit. Shërbëtorët të cilët po ndiznin zjarrin dhe po i frynin, vdiqën nga nxehtësia e madhe, kurse një engjëll i Perëndisë zbriti në furrë dhe i shtyu flakët jashtë, duke i mbështjellë fëmijët e shenjtë me freskinë e një vese të njomë. Duke kërcyer të gëzuar në zjarr rreth engjëllit, ata e kthyen lutjen e tyre në himn lavdërimi. Pasi thirrën në fillim 3 herë emrin e Zotit, ata i ftuan të gjitha urdhrat e krijesës të bashkoheshin me ta “për të himnuar dhe lavdëruar Zotin në të gjitha jetët”: engjëjt, qiejt, elementet, stinët, tokën, detin, malet, kafshët dhe bijtë e njerëzve, deri te shpirtrat e të drejtëve që kanë ndërruar jetë.
Dhe pasi përmendën të gjitha qeniet, ata e thirrën njëri-tjetrin si më të vegjlit dhe më të përulurit, duke thënë me zë të lartë: “Lavdërojmë, bekojmë dhe adhurojmë Zotin, Zotin e këndojmë, dhe e lartësojmë përmbi të gjitha jetët, sepse na ka shpëtuar nga ferri, Ai na ka çliruar nga duart e vdekjes, na ka shpëtuar nga furra e flakës së përvëluar” (Dan. 3). Ata nuk harruan asgjë nga krijesa dhe i mblodhën të gjitha këto në vallëzimin e tyre rreth Fjalës së Perëndisë, që përfaqësohej në mënyrë të mistershme në formë njerëzore nga engjëlli i zbritur në zjarr për t’i shpëtuar. E pa edhe vetë Nabukodonosori që u përkul, gjë që na jep paraprakisht konvertimin e paganëve: “Ja ajo që po shikoj, katër njerëz të lidhur për dore që po shëtisin në mes të zjarrit. Ata nuk kanë pësuar asgjë të keqe dhe pamja e të katërtit është e ngjashme me atë të Birit të Perëndisë” (Dan. 3:25). Ai i nxori nga furra dhe konstatoi me të gjithë njerëzit e oborrit të tij se zjarri nuk kishte kurrfarë pushteti për t’u bërë gjë dhe se nuk kishte lënë sipër tyre as erën më të vogël. Atëherë mbreti lavdëroi Perëndinë, i rivendosi të Tre Djemtë në funksionet e tyre të mëparshme dhe urdhëroi të vritej cilido që do të guxonte tashmë e tutje të blasfemonte kundër Perëndisë së Izraelit.
Po atë vit, Nabukodonosori pa një tjetër ëndërr të frikshme, që vetëm Danieli arriti t’ia interpretonte me anë të frymëzimit të Shpirtit të Shenjtë dhe që u plotësua pas 12 vjetësh. Ndërsa sovrani ishte lartësuar me krenari përpara shkëlqimit të pushtetit të tij, Perëndia e ndëshkoi menjëherë dhe e uli si pema që e kishte parë në ëndërr. Ai u çmend, u privua nga mbretëria e tij dhe u dëbua nga shoqëria e njerëzve të tjerë, për t’u endur në natyrë bashkë me bishat, derisa u përul, pohoi fajin dhe iu lut Zotit. Më pas ai u rivendos mbret edhe për 7 vite të tjera.
Pas vdekjes së Nabukodonosorit (561 para Krishtit) dhe trazirave që pasuan, mbretëria i kaloi përfundimisht Baltazarit (549-539). Një ditë, kur organizoi një banket të madh, ai u dha për të pirë të ftuarve në vazot e shenjta të vjedhura në tempullin e Jerusalemit. Ndërsa po u ofronte libacionet e tij hyjnive të rreme, një gisht njeriu u shfaq papritur dhe shkroi mbi mur një mbishkrim enigmatik, që tmerroi mbretin dhe të ftuarit e tij. Përsëri, Danieli ishte i vetmi që deshifroi këtë mbishkrim dhe ia zbuloi kështu Baltazarit, për t’i kumtuar fundin e mbretërimit të tij. Atë natë, mbreti kaldeas u vra dhe Dari, që ishte med, mori pushtetin.
Danieli ishte më i urti dhe më i famshmi nga të gjithë medët e persët e fuqishëm dhe për këtë arsye u caktua nga sovrani i ri si kryetari i të gjithë satrapëve (guvernatorëve) të provincave të perandorisë. Nderimet e shumta ngjallën xhelozinë e të mëdhenjve, që u përpoqën të gjenin kundër tij një akuzë, e cila u bë shkak që mbreti të lëshonte një urdhër ku i ndalonte shtetasit e tij që t’u luteshin perëndive ose njerëzve për një periudhe 30-ditore nën dënimin e vdekjes. Ata mund t’i luteshin vetëm mbretit Dari.
Danieli, duke pasur një dashuri të palëkundshme për Perëndinë dhe duke qenë besnik i ligjit të Tij, nuk reshti së bëri lutje te Perëndia, i kthyer nga Jerusalemi, pa kërkuar aspak që ta fshihte një gjë të tillë. Edhe pse brenda vetes e admironte për këtë devocion ndaj Perëndisë, Dari i hidhëruar në shpirt, u detyrua të urdhëronte zbatimin e ediktit, kur i denoncuan mosbindjen e ministrit të tij dhe e hodhi në gropën e luanëve. Por Perëndia dërgoi engjëllin e Tij që ndaloi vrullin e bishave dhe, në mëngjes, kur mbreti, i torturuar nga ndjenja e fajit, shkoi te gropa dhe dha urdhër të ngrinin pllakën e saj, u habit tej mase kur pa Danielin të ulur në mes të bishave të egra, duke iu përkëdhelur krifat dhe luanët që kërcenin tërë gëzim përreth tij duke tundur bishtin, sikur me këtë donin të tregonin se i nënshtroheshin atij si një Adami të ri. Dari e nxori profetin, e rivendosi në ofiqin e tij të mëparshëm dhe i hodhi në gropë akuzuesit e Danielit, të cilët u gllabëruan prej luanëve.
Gjatë qëndrimit të tij në Babiloni, Danieli nuk pati frikë të denonconte te mbreti mashtrimin e idhujve dhe të hidhte poshtë mashtrimin e priftërinjve të Belit, të cilët shkonin natën përmes një tuneli të nëndheshëm pranë statujës së tij, për të ngrënë ofertat dhe për t’i bërë njerëzit të besonin se idhulli ishte i gjallë. Danieli vrau edhe një dragua, të cilin banorët e Babilonisë e nderonin si Perëndi, pa përdorur asnjë armë, për të bërë të ditur te të gjithë se sa i palogjikshëm ishte adhurimi i një bishe të paarsyeshme. Por kaldenjtë, të zemëruar, i kërkuan mbretit të dënonte Danielin. I futur në gropë për herë të dytë, Danieli u ruajt përsëri dhe u vizitua nga profeti Abakum (Habakuk), i sjellë aty në mënyrë të mrekullueshme nga Judea, në një çast të vetëm, për t’i sjellë ushqim dhe për t’i treguar dashamirësinë e madhe që Perëndia ushqente ndaj tij.
Duke qenë një interpretues ëndrrash dhe vizionesh, Danieli mori nga Perëndia edhe zbulime për kohët e fundit. Vitin e parë të mbretërisë së Baltazarit, ai pa të shfaqeshin bisha të mëdha, që përfaqësonin mbretëritë pagane të cilat do të gllabëronin njerëzimin. Bisha e parë i ngjante një luaneshe që përfaqësonte perandorinë e Babilonisë; e dyta, që i ngjante një ariu, ishte Perandoria Persiane, që zgjati 230 vjet; pas saj vinte një leopard, simbol i Perandorisë Helene të Aleksandrit të Madh (336-323 para Krishtit), i zëvendësuar tashmë nga bisha e katërt, që ishte pajisur me 10 brirë, Perandoria Romake. I konfirmuar edhe nga Apokalipsi i shën Joanit, libri i profetit Daniel parathotë se në fund të kohërave, kur paudhësia do të ketë arritur kulmin përmbi tokë dhe pasi të jenë krijuar 10 mbretëri simbolike të dala nga Perandoria Romake (ose më saktë nga qytetërimi romak), revolucione, luftëra dhe mosmarrëveshje në mbarë tokën do të kenë krijuar një pështjellim të madh, atëherë ka për t’u ngritur Antikrishti.
Ky njeri, do të grumbullojë në vetvete tërë ligësinë e Satanait dhe, me anë të fjalëve e mrekullive të rreme, do të bëjë të tjerët ta adhurojnë si perëndi. I zhvendosur në vizion në këtë epokë ku do të kryhen të gjitha këto, Danieli pa fronin e Perëndisë teksa vinte përpara, i ngjashëm me një flakë zjarri dhe Perëndia Atë, nën pamjen e të Vjetrit të Ditëve, i veshur i tëri me të bardha dhe, duke shkëlqyer, u ul aty për të shqyrtuar librin e ndërgjegjes së secilit dhe për ta gjykuar botën. Pasi bëri përpjekjen e fundit kundër Antikrishtit dhe pasi e flaku në zjarrin që nuk shuhet kurrë, Biri i Njeriut, Zoti Jisu Krisht, u paraqit përpara fronit të Atit, i mbajtur nga engjëjt. Atje mori pushtetin nga Perëndia, fuqinë, lavdinë dhe mbretërinë e përjetshme mbi të gjithë popujt, fiset dhe gjuhët, në qiejt, në tokë dhe nëntokë, që të shfaqet tek i gjithë Universi që Ai është Zoti, Biri i Perëndisë, I Parëlinduri i Perëndisë përpara gjithë krijesës. Ai e ka restauruar natyrën tonë të prishur njerëzore, duke u bërë i parëlinduri ndër të vdekurit dhe duke zbuluar në Trupin e Tij premisat e ngjalljes sonë dhe të lavdisë sonë të përjetshme.
Në vizione të tjera, Perëndia i saktësoi Danielit detaje të tjera për kohët që do të vinin: në veçanti i tregoi për regjimin tiranik të Epifan Antiokut (175-164), që ishte një figurë profetike e Antikrishtit dhe që do të ndalonte sakrificat dhe adhurimin e Zotit dhe do të vendoste neverinë e shkretimit brenda tempullit të Perëndisë (Dan. 9:27). I mësuar nga Kryeengjëlli Gavriil, Danieli paratha se populli do të shkonte përsëri në Jerusalem pas 49 vjetësh. Ai u bëri të ditur se Esdra, Josueu dhe Zorobabeli do ta kthenin popullin nga internimi dhe se do të rivendosnin adhurimin e Perëndisë në Jerusalem (Esdra 3:8), në shenjë të restaurimit përfundimtar të mbarë njerëzimit nga Mesia i vërtetë, Krishti, pas 434 vjetësh (Dan.9:26).
Vitin e tretë të Kirit, Danieli, njeriu i mirësive hyjnore, u gjykua i denjë për vizionin e vetë Fjalës së Perëndisë, nën pamjen e një njeriu të veshur “me li, ijët e ngjeshura me ar të pastër, trupi i tij kishte pamjen e kriolitit, fytyra, pamjen e vetëtimës, sytë e tij ishin si llamba zjarri, krahët dhe këmbët si shkëlqimi i bronzit të lëmuar, tingulli i fjalëve të tij si zhurma e një shumice të madhe (Dan. 10:6). I habitur shumë, profeti ra me fytyrë përdhe dhe do të kishte dhënë shpirt, në rast se vetë engjëlli i Zotit, nuk do ta kishte ngushëlluar dhe forcuar, para se t’i saktësonte ato që do të ndodhnin në vazhdimin e kohës: luftërat midis pasuesve të Aleksandrit dhe persekutimin e Epifan Antiokut, figura të provave të fundit të të drejtëve, të shkruara në Librin e jetës gjatë shfaqjes së Antikrishtit.
Më qartë se profetëve të tjerë, Perëndia i zbuloi Danielit se në këtë Ditë të fundit, “ata që flenë në vendin e pluhurit do të zgjohen, disa për jetën e përjetshme dhe disa për turpin dhe mundimin e përjetshëm” (Dan. 12:2) dhe se të drejtët do të shkëlqejnë në trupat e tyre si dielli në lavdinë e tij. Meqë profeti donte të mësonte se kur kishin për të ndodhur të gjitha këto, Zoti iu përgjigj: “Shko Daniel, sepse të mbyllura dhe të vulosura janë këto fjalë deri në fund të kohëve, derisa të zgjidhet një numër i madh, i bardhë dhe i pastruar nga zjarri… Dhe ti, shko, gjej prehjen tënde dhe do të ngjallesh për të marrë trashëgiminë tënde deri në fund të ditëve” (Dan. 13:9-10,13). Profeti i shenjtë fjeti në paqe në moshën 80-vjeçare, 2 vjet pas kthimit të popullit të tij në tokën e etërve (pra, rreth vitit 534-530). Tre Djemtë e rinj fjetën edhe ata në paqe dhe, sipas traditës, ata ishin me Danielin në rreshtat e të drejtëve që u ngjallën gjatë Kryqëzimit të Krishtit (Matth. 27, 52-53).
* * * * *
– OSHËNAR DIONISI I EGJINËS –
I lindur në vitin 1547, në ishullin Zakintho, në një familje besimtare të shquar, shën Dionisi shfaqi që në fëmijëri një inteligjencë të thellë dhe predispozita të forta për jetën shpirtërore. Për të kryer betejën e tij kundër botës, mishit dhe kundër djallit, ai hoqi dorë shpejt nga gjithçka që kishte vlerë për të dhe u bë murg në manastirin e ishujve Strofadhes, disa milje larg nga jugu i Zakinthit. Me gjithë moshën e tij të re, brenda një kohe të shkurtër, u bë model i virtytit dhe i respektimit të rregullave murgërore, madje edhe për vetë murgjit e sprovuar. Kreshmët e tij, agripnitë e përditshme gjatë pjesës më të madhe të natës, lutjet dhe meditimet e tij këmbëngulëse e bënë që të ngrihej në ofiqin e priftërisë.
Pas ca kohësh, ndërsa po kërkonte një anije për të shkuar në pelegrinazh në Vendet e Shenjta, kaloi nga Athina, ku kryepiskopi, i informuar për virtytet e tij, e detyroi të pranonte detyrën e episkopit të Egjinës. Duke lënë planet e tij dhe duke sakrifikuar dashurinë e tij për vetminë, për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, murgu i përulur u ngjit në fronin episkopal dhe e udhëhoqi me urtësi e zell atëror grigjën e tij shpirtërore në shtigjet e Hirit. Meqë fama e tij po shtohej me kalimin e viteve, vendosi të jepte dorëheqjen për t’i shpëtuar lavdisë së kotë dhe shpërqendrimit në botë. Në vitin 1579 u kthye përsëri në atdhe. Me urdhër të patriarkut të Konstandinopojës, ai zëvendësoi për disa kohë episkopin e ndjerë të Zakinthit, pastaj, sapo u zgjodh zëvendësuesi i tij, u kthye me nxitim në lartësitë e ishullit, në manastirin e Nënës së Zotit, Anafonitria, ku u bë atë shpirtëror. Duke qenë përsëri vetëm me Perëndinë, ai rifilloi me vrullin e rinisë së tij kreshmën, asketizmin dhe lutjen. Nuk linte askënd të hynte në qelinë e tij, nga ku ai dilte vetëm për t’u shpërndarë lëmoshë të varfërve ose për t’u dhuruar nxënësve mësimin e ndriçuar.
Shkëlqente mbi të gjithë me dashurinë për të afërmin dhe me butësinë që e karakterizonte. Një ditë vrasësi i vëllait të tij, që po ndiqej nga xhandarët dhe nga të afërmit e viktimës, mbërriti deri në manastir dhe i kërkoi strehë shën Dhionisit, pa e ditur se kush ishte. Duke mësuar shkakun e arratisjes së tij dhe se kush ishte viktima, njeriu i Perëndisë përmbajti brenda vetes të gjithë dhimbjen e natyrës dhe tundimin për t’u hakmarrë. Duke imituar Krishtin, që fali armiqtë e Tij dhe që u lut për persekutorët, ai shkoi drejt tij me shumë dhembshuri, e ngushëlloi, e nxiti të pendohej dhe e fshehu në një qeli që nuk binte shumë në sy.
Kur ndjekësit mbërritën në manastir, ata i bënë të ditur shenjtorit vrasjen e tmerrshme të të vëllait për të cilin u shtir sikur nuk dinte gjë dhe u përpoq t’i qetësonte e t’u largonte dëshirën për hakmarrje me fjalë paqeje. Sapo grumbulli i njerëzve u largua, ai nxori vrasësin, që ishte paralizuar nga tmerri përpara atij shembulli të një mirësie të jashtëzakonshme përmbinjerëzore dhe e la të lirë të shkonte që të punonte për shpëtimin e shpirtit të tij, pasi i dha edhe shumë ushqime për t’i marrë me vete.
I pajisur me virtyte kaq të larta, Dionisi mori nga Perëndia pushtetin për të kryer mrekulli. Një ditë kur po binte një rrebesh i madh, ai ndaloi rrjedhën e lumit që ishte fryrë nga vërshimi i ujërave, për të kaluar nëpër të së bashku me nxënësin e tij. Kur trupi i një gruaje të vdekur që ndodhej nën mallkim, nuk mundej dot të dekompozohej, Dhionisi urdhëroi të hapej varri i saj dhe i bëri lutjen e faljes. Menjëherë pas kësaj, në sytë e të gjithëve, trupi u bë pluhur sipas rregullit të natyrës. Me anë të fuqisë së lutjes së tij, ai u dha rast shumë peshkatarëve të pafat, që blasfemonin kundër Perëndisë dhe kundër shërbëtorit të Tij, që të kishin një peshkim të mrekullueshëm dhe të pendoheshin për pabesinë e tyre. Perëndia e kishte pajisur kaq shumë me dhuratën e tejshikimit dhe të dallimit të zemrave, saqë ai u thoshte vetë besimtarëve më përpara mëkatet e tyre, të dukshme ose të fshehta, kur ata vinin për t’u rrëfyer tek ai.
Shenjtori mbërriti deri në moshën 75-vjeçare, duke përhapur rreth tij mrekulli të shumta, gëzim, paqe dhe dashuri për të gjithë. Ai e dha shpirtin te Perëndia më 17 dhjetor 1622, pasi më parë trupi iu mundua tej mase nga një sëmundje e dhimbshme dhe për shkak të viteve të shumta të asketizmit; ai ua kishte parathënë nxënësve të tij ditën e saktë të largimit nga kjo botë. Sipas dëshirës së tij, trupi iu çua në manastirin e Strofadheve për t’u varrosur, i shoqëruar nga lutjet dhe himnet e një numri të madh njerëzish. Pak kohë më vonë, pas shumë shfaqjeve të shenjtorit tek igumeni i manastirit dhe te vëllezërit e tjerë, u mor vendimi për ta hapur varrin e tij dhe atëherë ndodhi një mrekulli e madhe. Trupi i tij ishte i tëri i paprishur dhe lëshonte një aromë të mrekullueshme.
Pasi trupit i riveshën rrobën episkopale, e vendosën në narteksin e kishës, pastaj në vitin 1717, kur manastiri u shkatërrua nga piratët turq, e transferuan lipsanin e shenjtë në katedralen e Zakinthit, ku nderohet me shpresëtari të madhe nga të gjithë banorët e ishullit. Mrekullitë, shfaqjet dhe shenjat e shumëllojta me anë të të cilave shën Dionisi ka treguar deri më sot se është i gjallë, e kanë bërë që të quhet shenjtori mbrojtës i Zakinthit.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων