23/12/2024 23/12/2024 MESAZHI I KRISHTLINDJES. MITROPOLITIT I KORÇES HIRESIA E TIJ IMZOT JOANI. Krishtlindje 2024 Lindja jote o Krisht Perëndi dhe Zot, i lindi botës dritën e dijes së hyjshme. Kështu këndojmë në përlëshoren e Krishtlindjes, sepse me të vërtetë, kremtimi i Lindjes së Tij gjallëron shpresën e triumfit të dritës mbi errësirën dhe shfaq para nesh...
23 Δεκεμβρίου, 2024 - 16:04
Τελευταία ενημέρωση: 23/12/2024 - 16:05

MESAZHI I KRISHTLINDJES. MITROPOLITIT I KORÇES HIRESIA E TIJ IMZOT JOANI Krishtlindje 2024

Διαδώστε:
MESAZHI I KRISHTLINDJES. MITROPOLITIT I KORÇES HIRESIA E TIJ IMZOT JOANI Krishtlindje 2024

MESAZHI I KRISHTLINDJES.
MITROPOLITIT I KORÇES HIRESIA E TIJ IMZOT JOANI.
Krishtlindje 2024
Lindja jote o Krisht Perëndi dhe Zot, i lindi botës dritën e dijes së hyjshme. Kështu këndojmë në përlëshoren e Krishtlindjes, sepse me të vërtetë, kremtimi i Lindjes së Tij gjallëron shpresën e triumfit të dritës mbi errësirën dhe shfaq para nesh dashurinë e pakufishme të Perëndisë për të gjithë njerëzit, pa përjashtim. Perëndia u bë si njëri nga ne që të na çlironte nga robëria e prishjes dhe të ndriçonte përsëri ikonën tonë të errësuar, duke i dhënë asaj bukurinë e parë. Perëndia u bë çfarë jemi ne, që ne të mund të bëhemi çfarë është Ai – shkruan Shën Ireneu i Lionit. Ky është lajmi më i madh dhe më i gëzuar i gjithë historisë njerëzore. Kjo ngjarje është gjithashtu një thirrje ndaj të gjithëve ne për t’u ndriçuar nga kjo dritë hyjnore. Afrohuni drejt Atij dhe ndriçohuni, dhe fytyrat tuaja nuk do të turpërohen (Ps. 34:5).
Himnologjia e Kishës, mbështetur në Shkrimin e Shenjtë, na thotë që Zoti i përjetshëm lindi në një shpellë si një djalë foshnjë. Lindja e Krishtit në një shpellë është një tregues i gjithë mësimit të tij: përulësisë, dhembshurisë, mirësisë, dashurisë dhe paqes, sepse Ai erdhi në botë për të na ndriçuar dhe për të na ndryshuar tërësisht. Ngjarjet e Lindjes së Krishtit kanë një dimension të dyfishtë. Ato janë ngjarje historike të ndodhura mbi 2000 vjet më parë, por kanë edhe një dimension të thellë shpirtëror, sepse çdo gjë që preket nga Perëndia e kapërcen dimensionin historik dhe bëhet trans-historike. Këto ngjarje janë aktuale për të gjitha kohërat dhe për të gjithë njerëzit.
Prandaj, në pritje të Krishtlindjes, ne këndojmë, gjithashtu, disa vargje të rëndësishme për jetën tonë shpirtërore: Hijeshohu o shpellë, gëzohu Bethlehem, përgatitu Efratha. Këto vargje na rikujtojnë vazhdimisht se ne të gjithë jemi thirrur për t’u përgatitur, që të mund të marrim pjesë thellësisht në gëzimin e kësaj ngjarjeje dhe që zemrat tona të pastrohen, të hijeshohen, të zbukurohen dhe të gëzohen si shpella e Bethlehemit, për të pritur Lindjen e Krishtit brenda nesh, ashtu siç shkruan Shën Pavli: deri sa Krishti të formohet te ju. (Gal. 4:19).
Kremtimi i vërtetë i Krishtlindjeve duhet të jetë aktualizimi dhe përjetimi i kësaj ngjarjeje në vetë qenien tonë, sepse vetëm kështu Ai do të jetë i gjallë dhe i pranishëm në jetën tonë dhe do ta drejtojë atë drejt një jete shpirtërore, drejt dritës dhe gëzimit të pa përshkruar.
Bota po përballet me kriza të shumta ekonomike, luftëra dhe varfëri. Sot, më shumë se kurrë, është i nevojshëm rigjallërimi i një jete shpirtërore, sepse krizat ekonomike, luftërat dhe varfëria burojnë nga një krizë shpirtërore. Pa e shëruar krizën shpirtërore, nuk mund ta shërojmë atë ekonomike dhe nuk mund të kemi paqe dhe pa paqe do të kemi vazhdimisht luftëra, konflikte dhe varfëri.
Jetë shpirtërore është përpjekja e përditshme për të jetuar sipas vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit: dashuria dhe dhembshuria ndaj të gjithë njerëzve, përulësia, drejtësia dhe mirësia. Të mos mendojmë vetëm për veten tonë, por edhe për të gjithë të tjerët, sidomos për të varfrit dhe për njerëzit në nevojë.
Duhet të jemi të pranishëm në jetën e përditshme të shoqërisë, për të përhapur, jo vetëm me fjalë, po me vepra dhe me shembull personal, frymën e ngrohtë të dashurisë dhe dhembshurisë ndërmjet njerëzve, për të mos lënë shoqërinë njerëzore të ngrijë nga era e akullt e egoizmit dhe arrogancës dhe të fragmentohet nga indiferenca dhe apatia.
Të dashur vëllezër dhe motra! Le të ndezim kandilin e zemrës sonë në burimin e dritës së vërtetë, sepse vetëm kështu do të ndriçojmë veten dhe shumë njerëz rrotull nesh. Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj t’ju uroj të gjithëve:
Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!
Mitropoliti i Korçës,
Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës
+ Joani

Mitropolia e Shenjtë Korçë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων