Dëshmorët Evgjenia, Filipi, Protasi, Jakinthi. Oshënaret Irmina dhe Adela. Dëshmor i ri Ahmeti. Oshënar Nikolla Ushtari
E martë, 24 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË DITËN E FUNDIT TË KRESHMËS SË KRISHTLINDJES
Dëshmorët Evgjenia, Filipi, Protasi, Jakinthi. Oshënaret Irmina dhe Adela. Dëshmor i ri Ahmeti. Oshënar Nikolla Ushtari.
– DËSHMORËT EVGJENIA, FILIPI, PROTASI, JAKINTHI –
Martirja e shenjtë dhe e lavdëruar, Evgjenia, lindi në Romë, nën mbretërimin e Komodit (180-192), në gjirin e një familjeje fisnike dhe të pasur gjykatësish. I ati i saj, Filipi, një pagan që mbante qëndrim pozitiv ndaj të krishterëve, pasi u emërua nga perandori prefekt i Aleksandrisë, shkoi drejt kryeqytetit të Egjiptit me gjithë familjen e tij. Aty ia besoi Evgjeninë mësuesve më të mirë.
Gjatë studimeve vajza e re nisi të thellohej edhe në letrat e Apostull Pavlit, në të cilat lexoi: “Ku është i dituri? Ku është shkruesi? Ku është kërkuesi i kësaj jete? A nuk e marrosi Perëndia diturinë e kësaj jete? Sepse, pasi në diturinë e Perëndisë, bota nuk e njohu Perëndinë me anë të diturisë, i pëlqeu Perëndisë me marrëzinë e predikimit të shpëtojë ata që besojnë…
Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, i cili për judenjtë është skandal dhe për grekët marrëzi. Por për ata që janë thirrur, judenj e grekë, Krishti është fuqi Perëndie dhe dituri Perëndie. Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se dituria e njerëzve dhe dobësia e Perëndisë është më e fortë se fuqia e njerëzve” (1 Kor. 1:20-25).
Përpara fjalëve të tilla të zjarrta si është e mundur për një njeri të mbetet vetëm në studimin e filozofisë sterile dhe shqetësimeve të kota të kësaj bote? Meqë e kishte zemrën të frymëzuar dhe të dashuruar pas Urtësisë së vërtetë, Fjalës së Perëndisë të mishëruar dhe të kryqëzuar për hir të dashurisë së njerëzve, Evgjenia vendosi të mos priste më shumë për t’u bërë e krishterë.
Duke pasur si ndihmëse natën, ajo u arratis nga shtëpisa e prindërve dhe, në shoqërinë e dy eunukëve, Protasit dhe Hiacinthit, shërbëtorëve të saj besnikë, të cilët kishin vendosur edhe ata të përqafonin Besën, shkuan të tre jo larg jashtë qytetit në kishën ku të krishterët kishin si zakon të bënin mbledhjet e tyre të lutjes. I këshilluan të gjenin strehë në një komunitet që ndodhej aty afër, që është fillimi i manastireve të ardhshme, ku njerëzit jetonin të përkushtuar në virgjëri dhe në përpjekje për asketizim, duke jetuar së bashku.
Midis tyre shkëlqente në mënyrë të veçantë një episkop, Helenosi, që kishte fituar famë të madhe meqë ishte futur në një furrë të ndezur pa pësuar asgjë, që të turpëronte intrigat e një magjistari pagan. Evgjenia preu flokët, veshi rroba burrash dhe, duke u shtirur si eunuk me emrin Evgjen, u pranua me gëzim nga episkopi, që e pagëzoi pa humbur kohë bashkë me shoqëruesit e saj dhe e rreshtoi në radhët e murgjve. Të tre tregonin një zell shembullor dhe Evgjenia, në veçanti, duke triumfuar mbi dobësinë e natyrës njerëzore femërore me anë të fuqisë dhe dashurisë së saj për Perëndinë, ndaj fitoi admirimin edhe të murgjve më të vjetër e më të sprovuar.
Ky admirim ishte aq i madh, saqë vetëm pas 3 vjetësh e caktuan të pasonte igumenin e fjetur. Me nënshtrim dhe frikë Perëndie, ajo e pranoi detyrën me kusht që të bëhej shërbëtorja e të gjithëve, siç porosit Krishti (Mark 9:35). Për të drejtuar komunitetin e saj dhe për të drejtuar shpirtrat si atë shpirtëror, ajo kryente punët më të përulura dhe shërbimet më të vështira, siç ishin: transporti i ujit, pastrimi, prerja e drurëve etj. Qelia e saj ishte më e vogla dhe më e varfra dhe ditë e natë ia përkushtonte të gjitha fuqitë e saj dashurisë së Perëndisë dhe shërbimit të vëllezërve.
Një grua fisnike dhe e shquar e Aleksandrisë, Melanthia, pasi dëgjoi për virtytet e admirueshme dhe mrekullitë e kryera nga igumeni Evgjen, e luti të vinte për ta shëruar nga sëmundja që e torturonte mizorisht për shumë vjet. Evgjenia shkoi tek ajo dhe e shëroi duke e lyer me vaj të shenjtë. Por demoni xheloz e kapi këtë rast për të nxitur në zemrën e Melanthisë një pasion të sëmurë për murgun e ri dhe të bukur. Duke u shtirur se vuante nga një sëmundje tjetër, ajo shkoi tek Evgjeni, që ai ta vizitonte përsëri dhe u përpoq për ta tërhequr në mëkat. Pa i treguar sekretin, Evgjeni e ndaloi me autoritet, duke i kujtuar premtimin e shenjtë se për hir të Zotit murgjit duhet të ruajnë të pacenuar virgjërinë e tyre të shpirtit dhe të trupit, pastaj u largua së andejmi.
Ky dështim ndezi te gruaja e ligë një dëshirë të thellë për t’u hakmarë, e ajo nisi të shpallte kudo se igumeni Evgjen kishte shkuar tek ajo dhe e kishte çnderuar. Kjo gjë arriti deri te prefekti Filip, i cili, duke mos guxuar të vinte në dyshim fjalën e një personi që kishte një rang aq të lartë në shoqëri, thirri të vinin tek ai Evgjenin dhe murgjit e tij. I lidhur me hekura dhe i akuzuar paturpësisht, Evgjeni vendosi të zbulonte tërë të vërtetën, që të mos i jepte djallit rastin të fyente dhe të shpifte kundër veshjes së shenjtë murgërore. Duke grisur tunikën e saj përpara personave të mbledhur aty, të cilët u çuditën së tepërmi, ajo zbuloi se ishte grua e fshehur si burrë, që të bënte një përpjekje më të lavdishme për hir të virtytit. Pastaj u kthye nga Filipi dhe i tha se ajo ishte Evgjenia, bija e tij, të cilën ai e konsideronte si të humbur prej shumë kohësh.
Në gëzimin e madh që gjeti më në fund të bijën dhe i mrekulluar nga çudirat e kryera nga Perëndia, Filipi, gruaja e tij, Klaudia, dhe dy fëmijët e tjerë të tij, Abitos dhe Sergi, përqafuan fenë e krishterë dhe morën Pagëzimin e shenjtë, në shoqërinë e një numri të madh paganësh që ishin aty të pranishëm. Filipi u dorëzua pas pak kohe episkop dhe qeverisi edhe qytetin e madh sipas porosive ungjillore, si në gjërat e materiale, ashtu edhe në ato shpirtërore, derisa e denoncuan disa paganë xhelozë te perandori, i cili e zëvendësoi me Terencin mizor, që e vrau në kishë teksa ai po lutej.
Pas varrimit, Evgjenia, Klaudia, Protasi dhe Hiacinthi u kthyen në Romë dhe iu përkushtuan kreshmës dhe lutjes në banesën e tyre familjare. Vasilia, një vajzë e re me prejardhje fisnike, por që mbahej e mbyllur nga i ati, arriti të lidhej me anë të një letre me Evgjeninë. Ajo mori nga shenjtorja katekizmin e nevojshëm, pastaj, pasi u pagëzua në fshehtësi nga episkopi i Romës, u lidh me një miqësi të ngushtë me Evgjeninë, sepse ndante me të të njëjtën dashuri për virgjërinë. Por një nga shërbëtoret shkoi dhe e denoncoi te njeriu që donte ta merrte për grua, Pompeu, i cili, i zemëruar nga ky lajm, ia dorëzoi perandorit që ishte armiku i të krishterëve dhe arriti të merrte prej tij vendimin për t’i prerë kokën vajzës.
Më pas arrestuan Protasin dhe Hiacinthin, duke dashur që ata t’i sakrifikonin Zeusit. Pasi refuzuan, iu pre koka edhe atyre. Pastaj, pasi shkuan te prefekti i qytetit, e çuan Evgjeninë në tempullin e Artemisës, që ta detyronin të sakrifikonte nën kërcënimin e vdekjes. Por, me lutjen e shenjtores, idhujt ranë të thyer përtokë dhe vetë tempulli u dëmtua rëndë, duke frikësuar jashtë mase të pranishmit. Tirani urdhëroi që ta hidhnin shenjtoren në Tiber, ku ajo u shpëtua në mënyrë të mrekullueshme nga mbytja. Pasi i bënë tortura të ndryshme, i prenë kokën në qelinë e burgut, më 24 dhjetor, duke lindur për jetën qiellore dhe të përjetshme ditën ku, Krishti i pavdekshëm u bë njeri tokësor dhe i vdekshëm, për të na bërë ne të pavdekshëm.
* * * * *
– OSHËNAR NIKOLLA USHTARI-
Ati ynë i shenjtë Nikolla ishte ushtar në armatën bizantine, nën mbretërimin e Nikiforit I (802-811). Gjatë fushatës së ndërmarrë kundër bullgarëve, ndërsa ishte në rrugë për të shkuar pranë shokëve të tij, Nikolla u ndal për të kaluar natën në një bujtinë. Sapo u shtri aty, vajza e re e të zotit të bujtinës, e nxitur nga një dëshirë demoniake, hyri pa turp në dhomën e tij dhe u përpoq ta joshte e ta tërhiqte në mëkat.
Por, i krishteri i virtyshëm e dëboi, duke i kujtuar asaj se njeriu i bashkuar me Zotin me anë të besës nuk i takon më vetes që të kryejë imoralitet dhe se trupi i tij është tempull i Shpirtit të Shenjtë dhe se duhet ta lavdërojë Perëndinë në trupin e tij, duke e ruajtur të pastër e të dëlirë (1 Kor. 6:19-20). Natën që pasoi, iu shfaq një engjëll në një vizion të frikshëm, për t’i parathënë se, pas një fitoreje të shkëlqyer mbi bullgarët, bizantinët do të masakroheshin në masë, kurse ai do të ruhej për shkak të sjelljes së tij të virtytshme si ushtar i mirë i Krishtit.
Në fakt, në pranverën e vitit 811, perandori Nikifor dhe trupat e tij korrën një fitore të madhe mbi Khanin bullgar, Krumin. Pas fitores e ndienin veten të sigurt dhe e ulën vigjilencën. Kështu, u kapën në befasi në një mal, më 26 korrik 811 dhe u masakruan të gjithë, deri tek ushtari i fundit, duke përfshirë edhe perandorin. I ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, Nikolla falënderoi Perëndinë dhe, duke kuptuar kotësinë e gjërave të kësaj jete, u bë murg dhe ndriçoi me anë të veprave të tij të shkëlqyera ushtrinë e shërbëtorëve të Perëndisë.
* * * * *
-DËSHMOR I RI AHMETI –
Dëshmori i Ri Ahmeti lindi në shekullin e shtatëmbëdhjetë në një familje myslimane në Kostandinopojë. Me profesion ishte shkrues në Arkivin e Madh. Në përputhje me ligjin osman, duke qenë se ai nuk kishte grua, ai kishte një skllave, një grua me origjinë ruse. Bashkë me të jetonte një tjetër robinë nga Rusia, e moshuar, gjithashtu skllave. Të dyja këto gra ishin shumë shpresëtare.
Në ditët e festave, e moshuara shkonte në kishë , merrte naforën ia jepte të resë për ta ngrënë, dhe i sillte dhe ajazmë për të pirë. Sa herë që ndodhte kjo dhe Ahmedi ishte afër saj, ai ndjente një aromë të mrekullueshme e të papërshkrueshme që dilte nga goja e saj, por ajo nuk e kuptonte se për çfarë fliste. Megjithatë, ai vazhdoi të pyeste. Më në fund ajo i tha se po hante bukën që ishte bekuar nga priftërinjtë, të cilën gruaja e moshuar ia sillte sa herë që kthehej nga kisha.
Me të dëgjuar këtë, Ahmedi u mbush me zell për të parë kishën orthodhokse dhe se si orthodhoksët e pritën këtë bukë të bekuar. Prandaj thirri një prift dhe i tha që t’i përgatiste një vend të fshehtë, që të mund të shkonte kur Patriarku shërbente Liturgjinë.
Kur erdhi dita e caktuar, i veshur si i krishterë, ai shkoi në Patriarkanë dhe ndoqi Liturgjinë Hyjnore. Ndërsa ishte në kishë, ai pa Patriarkun duke rrezatuar dritë. Ndërsa ai bekonte, rrezet e dritës dolën nga majat e gishtave të tij, por ndonëse rrezet binin mbi kokat e të gjithë orthodhoksëve, ato nuk ranë mbi kokën e Ahmedit. Këtë vegim ai e pa dy ose tre herë. Kështu, Ahmedi erdhi në besim. Pa hezituar ai dërgoi të thërrasin priftin, i cili e rilindi nëpërmjet pagëzimit. Ahmedi mbeti i krishterë i fshehur për ca kohë, duke e fshehur dhe emrin e tij të pagëzimit, prandaj nuk kemi informacion për të.
Megjithatë, një ditë Ahmeti dhe disa fisnikë po hanin së bashku. Gjatë bisedës filluan të diskutojnë se cila është gjëja më e madhe në botë. Secili dha mendimin e tij. I ftuari i parë tha se gjëja më e madhe në botë ishte që njeriu të kishte mençuri. E dyta pohoi se gruaja ishte gjëja më e madhe në botë. E megjithatë një i tretë tha se gjëja më e madhe në botë, dhe deri tani më e lezetshme, ishte ushqimi i mirë – sepse a nuk ishte ky ushqimi i të drejtëve në parajsë? Pastaj ishte radha e Ahmetit. I mbushur me zell të shenjtë, Ahmedi thirri se gjëja më e madhe nga të gjitha ishte besimi i orthodhoksëve. Dhe duke e rrëfyer veten si të krishterë, ai me guxim dënoi gënjeshtrën dhe mashtrimin e myslimanëve. Në fillim, kur e dëgjuan këtë, ata u tronditën. Më pas, të mbushur me mllef të papërshkrueshëm, e goditën dëshmorin e shenjtë dhe e tërhoqën zvarrë te gjykatësi, që të dënohej me vdekje. Atij i prenë kokën, duke i dhënë kështu kurorën e martirizimit më 3 maj 1682.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.