Momente që do të mbeten thellë në memorien e qytetarëve të Grabovës
Vendosen ikonat e shenjta në ikonastasin e kishës së “Shën Nikollës” dhe vendoset ikonostasi në kishën e “Shën e Premtes”
Me bekimin e Mitropolitit tonë Hirësi Andonit, në Grabovë u zhvilluan aktivitete të shumta fetare dhe shpirtërore. Priftit të Famullisë sonë At Mihalit iu bashkuan edhe kolegët e tij të ardhur nga Elbasani dhe Tirana, At Petro Halili dhe At Grigor Pelushi. Kështu brenda një harku kohor të shkurtër Grabova vihet sërish në qendër të vëmendjes nën përkujdesjen e veçantë të Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Hirësi Andonit. Mbas vizitës që bëri Kryebariu i Mitropolisë sonë në Gusht të vitit 2016, më konkretisht në të Kremten e Madhe të Fjetjes së Hyjlindëses në 15 Gusht, ai jo vetëm celebroi Meshën e Shenjtë por takoi nga afër qytetarët e kësaj krahine. Ai u njoh me jetën shpirtërore të tyre, u njoh me vuajtjet dhe vështirësitë e mëdha që përballet komuniteti për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, vizitoi nga afër tempujt e shenjtë ndërtuar me aq dashuri dhe sakrifica nga etërit e mëdhenj të Grabovës, stërgjyshët e bijve dhe bijave të sotme të këtij vendi historik dhe martirik; pa nga afër gjendjen e Kishave dhe premtoi zgjidhje për vendosjen e ikonave të shenjta në ikonostasin e kishës së “Shën Nikollës” dhe gjithashtu për vendosjen e ikonostasit në kishën e “Shën e Premtes”. Banorët e Grabovës i treguan Mitropolitit tonë për investimet e mëdha që Kryepiskopi Anastas ka ofruar për Gramshin dhe Grabovën. Kështu për restaurimin tërësor të Kishës kryesore të “Shën Nikollës” Kryepiskopi Anastas dhuroi shumën prej afro 200.000 euro për të mos lejuar rrënimin dhe degradimin e saj.
Mbas 30 vjetësh Kisha e Shenjtë e “Shën Nikollës” u stolis sërish me hijeshinë dhe bukurinë e dikurshme. Nuk kishte emocion më të madh kur shihje fytyrat e lumtura të fëmijëve dhe të rinjve të mbushura me gëzim për kishën e tyre. Ata premtuan se do të ruajnë dhe përkujdesen për kishat e tyre. Gjithashtu edhe Kisha e “Shën e Premtes” u pajis me ikonastas duke mundësuar kështu edhe kryerjen e Liturgjisë Hyjnore.
Për të gjithë banorët Kisha e Shenjtë mundësoi pako me ushqime për çdo familje, dhuratë nga besimtarët e Tiranës. U siguruan gjithashtu falë kontributit të Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, libra të gjuhës angleze për çdo fëmijë për shkak se mësimi i kësaj gjuhe nuk kryhet në shkollë për shkak të mungesës së mësuesve.
Nuk mund të mos përmendim ndihmesën e madhe të banorëve të cilët iu bashkuan klerikut të tyre për të zbukuruar kishat e tyre.
Në shenjë falenderimi dhe mirënjohje ndaj Zotit u krye edhe Liturgji Hyjnore ku morën pjesë fëmijët dhe të rinjtë!
Lavi Perëndisë për të gjitha!
Geplaatst door Radio "Ngjallja" op Zondag 8 september 2019
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.