LARTËSIMI I KRYQIT TË NDERUAR
Në datën 14 shtator kujtojmë dy ngjarje shumë të rëndësishme për Kishën Orthodhokse, të cilat lidhen direkt me Kryqin e Nderuar.
Mbas Kryqëzimit të Krishtit Perandoria Romake, Judenjtë dhe gjithsekush kërkonte ta fshinte prej faqes së dheut edhe kujtimin. Perandori Adrian për ta zhdukur edhe kujtimin se ku ishte Kryqëzuar Krishti, bëri një lloj sistemimi të atij vendi dhe ndërtoi një tempull kushtuar perëndisë pagane të Afërditës. Kështu kishin kaluar tre shekuj dhe njerëzit e kishin harruar pothuajse dhe vendin se ku ndodhej Kryqi. Kur Konstandini i Madh e shpalli krishterimin, fe të Perandorisë Romake e ëma e tij një nga gratë më të devotshme në historinë e Kishës, në një udhëtim që bëri në Palestinë filloi të hetonte për vendin se ku do të ndodhej Kryqi. Njerëzit i thanë se vetëm një jude me emrin Judë ka disa njohuri rreth vendit, mbasi e thirrën ai nuk donte të tregonte, por pasi e shtrënguan pak ai tregoi, se, sipas traditës vendi i Kryqëzimit ndodhej tek vendi ku ishte ndërtuar tempulli i Venusit. Shën Elena dha urdhër që të prishet tempulli dhe të fillonin gërmimet. Mbasi punuan për shumë kohë arritën dhe gjetën tre Kryqe, pikërisht Kryqi i Krishtit dhe i dy kusarëve. Megjithatë u ngjall dilema se kush do të ishte Kryqi me të cilin ishte Kryqëzuar Krishti. Për këtë Zoti dha tre shenja, e para ishte se tek Kryqi i Krishtit mbiu një borzilok dhe që nga ajo kohë ka filluar përdorimi i borzilokut në Kishën, i cili zvendësoi hisopin e Dhiatës së Vjetër. Shenja e dytë ishte se, kur këta kishin Kryqin dhe po bisedonin kaloi një kortezh funeral dhe Makario që ishte patriku i asaj kohe tha që ne do t’i dërgojmë tre Kryqet tek i vdekuri, me atë që do të ngjallet, ai është Kryqi i Krishtit. Shenja e tretë ishte një grua e sëmurë prej shumë vitesh që u shërua pikërisht tek ky Kryq dhe të gjithë u bindën plotësisht, se ky ishte Kryqi i Zotit. Makario patriku i asaj kohe e mbante Kryqin në duar brenda në Kishë, por meqenëse Kisha ishte mbushur plot ai u ngjit lart mbi amvon dhe ngriti Kryqin. Njerëzit filluan në mënyrë të vetëdijshme të thonë “mëshiro o Zot” dhe prej këtej rrjedh dhe zakoni dhe rituali që prifti ose peshkopi i çdo dioqeze e ngre Kryqin në katër drejtime për të kujtuar ngritjen që bëri Makario patriku i Jerusalemit, për të kërkuar lartësinë dhe thellësinë që gjithçka bashkohet tek Kryqi i Krishtit dhe për të kujtuar një ngjarje që ndodhi në Kryqëzim.
Një ngjarje tjetër që përkujtojmë në këtë ditë është dhe restaurimi i Kryqit. Pasi kishin kaluar disa shekuj dhe Zoti për të dënuar mëkatet e popullit të krishterë të asaj kohe, lejoi që Sapori me Ksersin që ishin mbretër paganë të Perandorisë Perse, të pushtonin Jerusalemin dhe mbasi e plaçkitën morrën me vete dhe lipsanin e Kryqit të Shenjtë. Merreni me mend për trishtimin e madh që u përhap nëpër gjithë Perandorinë e Bizantit në atë kohë, kur lipsani më i rëndësishëm, shenja që mbante vetë perandorinë ishte marrë nga disa paganë. Në vitin 628 një perandor i devotshëm Irakliu, filloi një luftë tjetër kundër Persisë dhe pasi e mundi Ksersin e mori përsëri lipsanin e Kryqit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.