ADHURIMI ORTHODHOKS: MISTERI I PAGEZIMIT
Praktikimi i pagëzimit si simbol fetar nuk filloi me Jisuin. Pagëzimi, që literalisht do të thotë zhytje në ujë (Baptismos), praktikohej nga populli i Dhiatës së Vjetës si dhe nga popuj që i përkisnin besimeve pagane. Kuptimi universal i pagëzimit është ai i “fillimit të ri”, i vdekjes së një mënyre të vjetër jetese dhe i lindjes përsëri në një mënyrë të re jete. Prandaj, pagëzimi është i lidhur gjithmonë me pendimin, që do të thotë një kthim moral, një “ndryshim i mendjes”, një ndryshim në jetimin prej diçkaje të vjetër dhe të keqe në një diçka të re dhe të mirë.
Prandaj, në Ungjill Joan Pagëzori, i pagëzon njerëzit si një shenjë pendimi, për përgatitjen për Mbretërinë e Perëndisë që po vinte tek njerëzit me Krishtin Mesian. Vetë Krishti u pagëzua nga Joani, jo sepse ishte mëkatar dhe kishte nevojë për pagëzim, por, sepse duke e lejuar veten të pagëzohej ai tregoi që me të vërtetë ishte “Biri i Dashur” i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Mesia, “Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës” (Shih Matheu 3, Marku 1, Lluka 3, Joani 1-3).
Në Kishën e krishterë, praktika e pagëzimit merr një kuptim të ri dhe të veçantë. Ai nuk mbetet thjesht një shenjë e ndryshimit moral dhe e rilindjes shpirtërore. Por ai bëhet një akt i vërtetë i vdekjes dhe ngjalljes së personit në, dhe me Krishtin. Pagëzimi i krishterë është pjesëmarrja e njeriut në ngjarjen e Pashkës. Ai është një “lindje e re nga uji dhe nga Fryma e Shenjtë” në Mbretërinë e Perëndisë (Joani 3:5).
Pagëzimi në Kishë fillon me mohimin e Satanait dhe me pranimin e Krishtit. Para se të pagëzohet një person -ose nuni për atë- pohon zyrtarisht simbolin e besës së krishterë, Besoren. Meqenëse nuni flet në emër të foshnjes, ai e shoqëron hyrjen e tij në Kishë dhe e “pret” foshnjen kur del nga uji i pagëzimit dhe kujdeset për jetën e tij shpirtërore. Nuni duhet të jetë një anëtar i Kishës.
Mbas pohimit të besës, mbi ujin e pagëzimit bëhen lutje dhe ai bekohet si shenjë e mirësisë së krijimit të Perëndisë. Gjithashtu, edhe mbi personin që do pagëzohet bëhen lutje, dhe ai gjithashtu bekohet me vaj të shenjtëruar, si shenjë që krijimi i tij nga Perëndia është i shenjtë dhe i mirë. Pastaj, mbas shpalljes solemne të “aliluia” (Perëndia qoftë i lavdëruar), personi zhytet tre herë në ujë në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
Nëpërmjet aktit të zhytjes, personi i pagëzuar vdes për këtë botë dhe lind përsëri në ngjalljen e Krishtit, në jetën e amshuar. Ai vishet me “rroben e shpëtimit”, simbolizuar nga rroba e bardhë e pagëzimit që është “njerishmëria e re” e vetë Jisuit, i cili është Adami i ri dhe qiellor (Shih Joani 3, Romanët 5, I Korinthianët 15). Prandaj, fjalët e Apostull Pavlit këndohen tri herë, kur i porsa pagëzuari udhëhiqet në procesionin rreth kolumvithrës, si simbol i hyrjes së tij në jetën e amëshuar: “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluia.” (Galatianët 3:27).
Në kohët e vjetra, ky procesion bëhej prej pagëzimores në Kishë, ku i porsa pagëzuari merrte Kungatën e Shenjtë në Meshën Hyjnore. Normalisht, pagëzimi ishte i lidhur me Meshën e Pashkës; procesioni ynë i sotëm rreth Kishës, në natën e Pashkës, nuk është gjë tjetër përveçse kujtimi që ne jemi pagëzuar, që ne kemi lënë jetën e kësaj bote për të hyrë në jetën e amshuar të Krishtit të Ngjallur, në Mbretërinë e Perëndisë. Kjo jetë e re na është dhënë në jetën e Kishës, kryesisht në Meshën Hyjnore.
Para procesionit pagëzimor dhe këndimit të Apostullit dhe Ungjillit dhe para plotësimit me marrjen e Kungatës së Shenjtë, të porsa të pagëzuarit i jepet dhurata e Shpirtit të Shenjtë në misterin e Mirosjes.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.