Në Moskë hapet Shkolla e së Dielës për fëmijët e shurdhër
Në vitin 1958 u caktua dita ndërkombëtare e të shurdhërve, në nder të themelimit të Federatës së të Shurdhërve. Ajo përkujtohet çdo vit, në javën e fundit të Shtatorit. Këtë vit, ky përvjetor u zbukurua edhe më tepër me hapjen dhe bekimin e shkollës së parë të së dielës për fëmijë të shurdhër në Moskë.
Sipas raportimit të “Departamentit Sinodik për Shërbimet Sociale dhe Bamirëse” të Kishës Orthodhokse Ruse, shkolla është e hapur edhe për fëmijë që nuk kanë problem me dëgjimin. Aktualisht ka 18 fëmijë, 5 prej të cilëve janë të shurdhër.
Të dielën e fundit të Shtatorit (dt. 29), Hirësia e Tij, Episkopi Pandeleimon i Orekhvo-Zuevos, që është njëkohësisht edhe drejtori i departamentit që përmendëm, kremtoi Liturgjinë Hyjnore Në Manastirin Simonov (në Moskë). Morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve orthodhokse që përkujdesen për personat e shurdhër, të ardhur nga qytete të ndryshme, si Moska, Tomsk, Petrozavodsk, Nizhni Novgorod, Voronezh, Kirov, Belgorod etj.. Këta realizuan interpretimin e Liturgjisë Hyjnore nëpërmjet Gjuhës së Shenjave.
Rektori i shkollës, atë Evgjen Morozov tregoi se në këto komunitete, personat e shurdhër dhe ata që dëgjojnë luten së bashku dhe kryejnë një sërë aktivitetesh.
“Në këtë shkollë do të studiojmë së bashku Fjalën e Perëndisë, do të kemi mundësi të bisedojmë e të angazhohemi me plot aktivitete.” – shtoi ai.
Kisha u mundua të gjente mësues të aftë për të komunikuar në gjuhën e shenjave, në më shumë se një gjuhë.
Përveç lëndëve të tjera, do të mësohet dhe gjuha angleze, për leximin e Shkrimit të Shenjtë.
Në predikimin e tij, Hirësi Pandeleimoni citoi shën Makarin e Madh: “Ҫdo shpirti i është dhënë sy për të parë Perëndinë dhe veshë për të dëgjuar fjalën e Tij. E gjithë jeta jonë tokësore duhet të jetë përgatitje e vazhdueshme që, nëpërmjet shqisave shpirtërore të shohim e të ndiejmë Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj në çdo Liturgji Hyjnore ftohemi të gjithë ne, të verbrit e të shurdhët në shpirt, që të ndiejmë, të dëgjojmë e të shohim pjesërisht jetën për të cilën jemi thirrur.”
Pas Liturgjisë, Hirësia bekoi ambientet e shkollës, ku u mbajt më pas edhe një koncert festiv, i organizuar nga përfaqësues të tri komuniteteve të lartpërmendur.
Sipas statistikave, në Rusi ka rreth 400.000 të shurdhër, shumica e të cilëve komunikon me gjuhën e shenjave. Gjithashtu, ekzistojnë 71 komunitete orthodhokse të të shurdhërve.
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Patriarkut Kirill, në vitin 2014 u themelua një qendër për personat me probleme me dëgjim, të shurdhërit dhe shurdhmemecët.
Në Gusht të vitit 2016 u përgatit kanali i parë orthodhoks për personat me vështirësi në të dëgjuar, ndërsa në Qershor të vitit 2018 u publikuan tre kapitujt e parë të Ungjillit të Markut në gjuhën e shenjave.
- Burimi: orthochristian.com & radiongjallja.org
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.