23/10/2019 23/10/2019 E mërkurë, 23 tetor 2019 – KRESHMË (Konsumohet vaj dhe verë) – – Shenjtori i ditës – Apostull Jakovi i Jerusalemit, vëllai i Krishtit, apostull nga të 70-t. Ignati i Konstandinopojës. – Apostull Jakovi i Jerusalemit, vëllai i Krishtit, apostull nga të 70-t – Shën Jakovi ishte djali i parë i martesës së parë të...
23 Οκτωβρίου, 2019 - 16:12

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës

E mërkurë, 23 tetor 2019

– KRESHMË (Konsumohet vaj dhe verë) –

– Shenjtori i ditës –

Apostull Jakovi i Jerusalemit, vëllai i Krishtit, apostull nga të 70-t. Ignati i Konstandinopojës.

– Apostull Jakovi i Jerusalemit, vëllai i Krishtit, apostull nga të 70-t –

Shën Jakovi ishte djali i parë i martesës së parë të Josifit, të fejuarit të Marisë. Ky njeri u bekua nga Perëndia që në gjirin e nënës dhe për hir të drejtësisë të gjithë e thërrisnin “I drejti” ose “Oblias”, që në hebraisht d.m.th. “mbrojtje e popullit” dhe “drejtësi”. Që fëmijë, jetoi në asketizëm të ashpër. Nuk pinte as verë dhe as pije alkoolike. Sikundër shën Joan Pagëzori, nuk hante kurrë gjë të gjallë. Nuk e rrojti kokën asnjëherë, siç e kërkonte Ligji për të përkushtuarit te Perëndia. Nuk lahej, nuk lyhej me vaj, por preferonte të përkujdesej më tepër për shpirtin se për trupin.

Pas Ngjitjes në qiej të Zotit, apostujt zgjodhën njëzëri Jakovin e drejtë si episkop të Jerusalemit. I mbushur me virtyte të jetës aktive dhe me soditjen e Perëndisë, hynte në shenjtërore jo një herë në vit, si kryepriftërinjtë judeas, por çdo ditë, që të kremtonte Misteret e shenjta. I veshur me li, hynte në tempull, gjunjëzohej për orë të tëra dhe ndërmjetonte për popullin dhe shpëtimin e botës; gjunjët i ishin bërë si gur. Kur kryesonte këshillin e pleqve, gjatë diskutimeve që u zhvilluan në Antioki rreth domosdoshmërisë për të rrethprerë paganët që bëheshin të krishterë, ishte shenjti ai që kërkoi të mos i shtrëngonin me parime të tilla të Ligjit të vjetër, por vetëm të shmangeshin nga përdorimi i mishit blatuar idhujve, si dhe të hiqnin dorë nga immoraliteti (Vep. 15.20).

Ai shkroi Letrën që mban emrin e tij në Shkrimin e Shenjtë. Në të, ai qorton ata që e konsiderojnë Perëndinë si burim të këqijash. “Po gjithsecili ngitet duke u tërhequr e duke u mashtruar prej dëshirimit të vet” (Jak. 1.14). Ai nxit që të mos kënaqemi vetëm me faktin se i besojmë Krishtit, por duhet që veprat e virtyteve tona të shkëlqejnë. Pasi “Sepse siç është i vdekur trupi pa shpirt, kështu edhe besimi pa veprat është i vdekur” (Jak. 2.26). Ai shton gjithashtu edhe këshilla të tjera për të bërë një jetë të pëlqyeshme para Perëndisë dhe të fitojmë urtësinë që lartazi, duke na mësuar që të njohim se çdo gjë e mirë vjen prej Tij: “Çdo dhënie e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, dhe zbret nga Ati i dritave, tek i cili s’ka ndryshim apo hije kthimi” (Jak. 1.17).

Ai ka hartuar Liturgjinë Hyjnore me emrin e tij, burim i të gjitha Liturgjive të Kishës Orthodhokse.
Rreth vitit 62, atëherë kur Judea ishte në anarshi pas vdekjes së guvernatorit Festi, judenjtë, të cilët kishin dështuar në tentativat për të kapur e vrarë apostull Pavlin (Vep. 25-26), donin ta kapnin edhe Jakovin. Shumë njerëz, madje krerë të popullit, kishin përqafuar besimin; skribët bashkë me farisenjtë turbulloheshin dhe kishin frikë se mos shumica e njihte Krishtin për Zot. Atëherë shkuan pa e njoftuar Jakovin, e lavdëruan për virtytin dhe drejtësinë e tij e i thanë: “Të lutemi, ti je i drejtë dhe nuk mban anën e njerëzve, binde popullin, i cili do të mblidhet së shpejti për të kremtuar Pashkën, të mos jepet pas këtij Jisui. Ngjitu në çatinë e tempullit, që të të dëgjojë i gjithë populli dhe paganët që mblidhen për festën”.

Kur u ngjit në majën e tempullit, skribët dhe farisenjtë i thirrën nga poshtë: “O i drejtë, që duhet të të besojmë, përderisa populli po gënjehet duke ndjekur këtë Jisu të Kryqëzuar, na thuaj, pra, kush është ky Jisu”. Jakovi u përgjigj me zë të lartë: “Përse më pyesni për Birin e njeriut? Ai tani është ulur në qiell, në të djathtën e Fuqisë së Madhe dhe do të vijë mbi retë e qiellit për ta gjykuar botën me drejtësi.” Të shumtë ishin ata që u bindën nga dëshmia e Jakovit dhe bërtitën: “Hosana Birit të Davidit!” Por skribët dhe farisenjtë kërcëllitën dhëmbët nga zemërimi dhe thanë: “Oh, edhe ky i drejtë humbi!” Kështu u përmbush profecia e Isaias: “Le ta heqim tutje të drejtin, sepse është bërë i padurueshëm” (Is. 3.10). E rrotulluan mbi çatinë e tempullit dhe e hodhën poshtë të drejtin. Jakovi nuk vdiq kur ra, me gjithë lartësinë, por në gjunjë i tha Perëndisë: “Të lutem Zot, Perëndi Atë, fali se nuk dinë se ç’bëjnë”.

Teksa lutej për persekutorët e tij, ashtu si Krishti dhe shën Stefani (shih Lluk. 23.34; Vep. 7.59-60), judenjtë e vranë me gurë. Njëri prej tyre, si pa qëndrimin e të drejtit, e qëlloi me shkop në kokë. E varrosën pranë vendit që e vranë, pra afër tempullit. Jakovin e donin që të gjithë për virtytet e tij, aq sa judenjtë që mendonin drejt panë në martirizimin e tij shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων