BESORJA E NIKEAS
Besorja e Nikeas duhet të quhet Besorja Nikeo-Konstandinopolitane, meqenëse ajo u formulua në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikeas (325) dhe në Sinodin e Dytë Ekumenik të Konstandinopojës (381).
Në Kishën Orthodokse Besorja quhet zakonisht Simboli i Besimit, që do të thotë literalisht “mbajtja sëbashku” dhe “shprehja” ose “rrëfimi” i besimit.
Në Kishën e hershme, ekzistonin forma të ndryshme të pohimit të besimit të krishterë; d.m.th.,”besore” të ndryshme. Këto besore ishin përdorur fillimisht në lidhje me pagëzimin. Përpara se të pagëzohej një person duhet të pohonte besimin. Besorja më e vjetër e krishterë ishte ndoshta pohimi i thjeshtë i besimit që Jisui është Krishti, d.m.th., Mesia; dhe që Krishti është Zot. Duke e pohuar publikisht këtë besim, personi mund të pagëzohej në Krishtin, duke vdekur dhe duke u ngjallur me Të, në Jetën e Re të Mbretërisë së Perëndisë në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
Me kalimin e kohës vende të ndryshme kishin pohime të ndryshme besoresh, të gjitha duke pohuar të njëjtin besim, por duke përdorur forma dhe shprehje të ndryshme. Këto forma besoresh u bënë më të zgjeruara dhe më të detajuara sidomos në ato zona ku pati debate rreth besimit dhe ku lindën herezira të ndryshme.
Në shekullin e katërt lindi një konflikt i madh në krishtërimin rreth natyrës së Birit të Perëndisë (i quajtur gjithashtu në Shkrimin Fjalë ose Logos). Disa thanë që Biri i Perëndisë ishte një krijesë si çdo gjë tjetër e krijuar nga Perëndia. Të tjerë e kundërshtuan duke thënë që Biri i Perëndisë ishte i përjetshëm, hyjnor dhe i pakrijuar. Për këtë arësye u mbajtën shumë sinode të cilët bënë shumë formulime të besimit rreth natyrës së Birit të Perëndisë. Konflikti u përhap në tërë botën e krishterë. Për këtë arësye perandori Kostandin thirri në Nikea në vitin 325 një sinod ekumenik. Ky sinod formuloi Simbolin e Besimit që u pranua nga Kisha Orthodhokse si shprehje e pastër e besimit. Ky sinod është quajtur Sinodi i Parë Ekumenik dhe ky ishte formulimi:
Ne besojmë në një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave. Dhe në një Zot Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej Drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha. Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri. Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros, Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve. Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit. Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të këtë mbarim.
Mbas debatit rreth Birit të Perëndisë, Fjalës Hyjnore, lindi një tjetër debat që lidhej në mënyrë esenciale me të, debati rreth Shpirtit të Shenjtë. Formulimi që u hartua në Sinodin e Konstandinopojës më 381, që njihet si Sinodi i Dytë Ekumenik, i dha fund këtij debati. Formulimi i këtij sinodi iu shtua deklarimit të Nikeas:
Dhe (ne besojmë) në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve. Në një Kishë të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike. Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve. Pres ngjalljen e të vdekurve. Dhe jetën e ardhshme të amëshuar. Amin.
Ky Simbol i plotë i Besimit u adoptua në tërë Kishën. U vendos në formën e vetës së parë njëjës “Unë besoj” dhe u përdor si pohimi zyrtar i besimit nga personi (ose nuni) gjatë pagëzimit. Gjithashtu, përdoret si pohim i besimit kur një i krishterë jo-orthodhoks dëshiron të hyjë në kungimin e Kishës orthodhokse. Në të njëjtën mënyrë Besorja u bë pjesë e jetës e të krishterëve orthodhoksë dhe një element thelbësor i Meshës Hyjnore të Kishës Orthodhokse, në të cilën çdo person zyrtarisht e pranon dhe ripohon pagëzimin dhe anëtarësinë e tij në Kishë. Kështu Simboli i Besimit është e vetmja pjesë e Meshës (përsëritet në një formë tjetër dhe përpara marrjes së kungatës), që është në vetën e parë. Të gjitha këngët dhe lutjet e tjera të Meshës janë në shumës dhe fillojne me “ne”. Vetëm ky pohim i besimit fillon me “Unë”, sepse besimi është në fillim personal, dhe vetëm pastaj i përbashkët.
Të jesh një i krishterë orthodhoks do të thotë të pohosh besimin e Kishës Orthodhokse, – jo vetëm thjesht fjalët, por kuptimin thelbësor të simbolit të besimit Nikeo-Konstandinopolitan. Kjo do të thotë gjithashtu të pohosh gjithçka që ky formulim përfshin, dhe gjithçka që është zhvilluar prej saj dhe ndërtuar mbi të, në historinë e Kishës Orthodhokse, qysh prej fillimit deri në ditët tona.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.