16/03/2019 16/03/2019 Mrekullia e grurit nga shën Theodhori. Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte i krishterë që prej fëmijërisë, por e mbante të fshehtë besimin e tij, jo nga frika, por...
16 Μαρτίου, 2019 - 15:05

Mrekullia e grurit nga shën Theodhori. Dëshmorët Savini, Juliani. Oshënarët Kristodhuli dhe Anini, çudibërës.

Διαδώστε:
Mrekullia e grurit nga shën Theodhori. Dëshmorët Savini, Juliani. Oshënarët Kristodhuli dhe Anini, çudibërës.

Mrekullia e grurit nga shën Theodhori.

Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte i krishterë që prej fëmijërisë, por e mbante të fshehtë besimin e tij, jo nga frika, por sepse nuk kishte marrë ende një shenjë nga Perëndia për ta paraqitur veten për martirizim. Ndërsa kohorta e tij ishte vendosur pranë qytetit të Efkaitës (Helenoponti), mësoi se njerëzit e asaj krahine kishin frikë nga një bishë, që kishte bërë strehë në pyllin atje pranë. E kuptoi se në këtë ngjarje fshihej përgjigjja që Perëndia do t’i jepte, nëse kishte ardhur koha ose jo që të martirizohej. Ndaj shkoi thellë në pyll, ku gjeti një fshat të shkretuar, banorja e vetme e të cilit ishte Efsevia, një princeshë e krishterë, e cila i tregoi se ku strehohej bisha. Theodhori e gjeti dhe, pasi u armatos me shenjën e Kryqit të shenjtë, e gjuajti me shtizën e tij bishën që ulërinte e tërbuar dhe e vrau.

I bindur se tashmë, me anë të hirit të Perëndisë, ishte gati për të fituar edhe mbi dragoin shpirtëror, Djallin, siç kishte bërë me bishën e dukshme, shën Theodhori u kthye në kamp, i gatshëm për të pohuar besimin e tij. Kur komandanti i kohortës së tij urdhëroi që të bëhej një sakrificë për zotat e perandorisë, Theodhori qëndroi në tendën e tij. “Unë jam i krishterë”, i tha ai skuadrës që erdhi për ta kërkuar. “Unë adhuroj vetëm Krishtin. Ai është mbreti që unë i shërbej dhe vetëm Atij jam gati t’i ofroj therore”. Pasi i bënë pyetje me djallëzi, ata e lanë për të pyetur edhe ushtarë të tjerë të krishterë. Theodhori, duke marrë zemër prej zjarrit të zellit hyjnor, i nxiti edhe të krishterët e tjerë që ta shfaqnin veten e tyre të denjë për Krishtin, i Cili i kishte zgjedhur ata ushtarë në mbretërinë e Tij qiellore. Atë natë ai shkoi në tempullin pagan dhe shkatërroi altarin e Reas, nënës së zotave, duke e bërë copa-copa. E kapën teksa po bënte këtë veprim dhe e çuan te guvernatori Publius.

Në Ekhaita u bë trazirë e madhe kur u mësua për këtë ngjarje, por Theodhori iu përgjigj me qetësi guvernatorit, duke i treguar absurditetin e të besuarit se një copë e vogël druri, që ishte djegur në pak minuta, ishte një hyjni. Kur e kërcënuan me tortura të frikshme, shenjtori u përgjigj: “Kërcënimet tuaja nuk më frikësojnë, sepse, në mes të këtyre torturave, fuqia e Krishtit do të jetë gëzim dhe ngazëllim për mua”. Duke kërcëllitur dhëmbët nga inati, guvernatori e futi në një burg të errët. Atë natë Krishti iu shfaq në burg shërbëtorit të tij besnik dhe i premtoi se Hiri i Tij do të ishte ushqimi, pija, gëzimi dhe mbrojtja e tij. I ngushëlluar në këtë mënyrë, Theodhori i psali tërë natën himne Perëndisë së bashku me engjëjt, aq sa rojat menduan se kishte edhe të krishterë të tjerë aty brenda edhe pse dyert e burgut ishin të mbyllura.

Kur i ofruan bukë dhe ujë, Theodhori i refuzoi duke thënë se Krishti i kishte premtuar atij ushqim prej qiellit. Kur mbërriti te Publiusi për herë të dytë, atij i ofruan një post të lartë priftëror të idhujve, por shenjti qeshi dhe e siguroi guvernatorin se ishte gati të vdiste për hir të dashurisë për Krishtin. Atëherë e varën nga thembrat dhe trupin ia çanë me thonj hekuri. Por kur panë qëndresën e pathyeshme të shenjtorit, torturuesit e kuptuan se lodheshin më kot dhe guvernatori, duke parë vendosmërinë e tij e duke pasur frikë shembullin e tij, që do të inkurajonte edhe të krishterë të tjerë, e dënoi me vdekje.

Kur mbërritën te turra e druve, martiri i hoqi vetë rrobat dhe iu lut nxehtësisht Perëndisë, që t’i forconte edhe martirët e tjerë. Ai shkoi vetë drejt flakëve, që e rrethuan por nuk e prekën, sikur donin të tregonin me këtë bindjen e tyre. Në mes të atij rrethi triumfal shën Theodhori ia dha frymën Perëndisë, duke e falënderuar Atë. Efsevia shpresëtare bleu trupin e tij dhe e çoi në Efkaita. Aty u ndërtua një kishë për nder të shën Theodhorit, ku pelegrinët e shumtë fitonin shëndetin e shpirtit dhe të trupit, duke u lutur me besë.

Më 361, Julian Apostati po përpiqej, me sa kishte në dorë, të rivendoste zakonet pagane. Duke e ditur se të krishterët e kishin zakon të shenjtëronin veten e tyre gjatë Javës së Parë të Kreshmëve të Mëdha me lutje dhe kreshmë, tirani i lig i tha prefektit të Konstandinopojës të spërkaste të gjitha ushqimet që shiteshin në treg me gjakun e kafshëve të sakrifikuara për perënditë pagane. Në këtë mënyrë, asnjë njeri në qytet nuk do t’i shpëtonte dot ndotjes së idhujtarisë. Por Perëndia i të krishterëve nuk e braktisi popullin e Tij të zgjedhur. Ai dërgoi shërbëtorin e Tij, Theodhorin, për të turpëruar tiranin. Shën Theodhori iu shfaq në një vizion patriarkut Evdhoks (360-364) dhe e informoi për çka ndodhte dhe se duhej të urdhëronte të krishterët të mos blinin ushqim në treg, por, në vend të tyre, të hanin koliva, grurë të zier. Kështu, falë ndërhyrjes së martirit të shenjtë, Theodhorit, populli i krishterë u ruajt i pacenuar nga ndotja e idhujtarisë. Kisha ka caktuar përkujtimin e kësaj mrekullie të shtunën e parë të Kreshmës së Madhe, për t’u kujtuar besimtarëve se kreshmimi dhe përkorja kanë fuqinë për të pastruar të gjitha njollat e mëkatit.

 

Shën Theodhor Tironi kreu shumë mrekulli të tjera për ata që i luteshin me besë. Një ditë, duke shkëlqyer mbi një kalë të bardhë, ai iu shfaq një vejushe të varfër dhe i solli djalin e saj të vetëm, që ishte kapur rob prej saraçenëve. Ai i çonte shpesh në vend të sigurt shumë njerëz që i zinte stuhia e tmerrshme; drejtonte hajdutët në pendim dhe shumë të arratisur i ktheu përsëri në paqe pranë fëmijëve të tyre. Në të gjitha mrekullitë ky legjionar romak tregoi se është mbrojtës qiellor i të krishterëve.

 

Dëshmor Savini.

Shën Savini lindi në një nga familjet më të famshme të Ermopolit, buzë Nilit dhe u bë i njohur për përpjekjet për të mbështetur Krishtërimin. Për këtë arsye, sapo nisi persekutimi i madh i Dioklecianit (rreth 303), e kërkuan njerëzit e perandorit. U fsheh bashkë me gjashtë të krishterë të tjerë në një kasolle disa kilometra larg qytetit, ku vazhdonin të luteshin dhe të kreshmonin. U denoncuan nga një lypsar, të cilit Savini i kishte dhënë shpesh lëmosha. I kapën dhe nisën t’i torturonin jashtë qytetit, në prani të guvernatorit Arian.

Kur pa guximin e shenjtorit, ai urdhëroi që të fshikullohej egër, deri sa e mbuloi gjaku, me bindjen se do të mohonte Krishtin. Ngaqë qëndronte i heshtur para pyetjeve të qeveritarit, njëri nga të pranishmit tha se Savini kishte humbur mendjen. Martiri atëherë u përgjigj: “Nuk është kështu. Sepse kam arsye, prandaj dhe refuzoj të mohoj Krishtin dhe t’u sakrifikoj idhujve!”.

Më pas, teksa po lundronin në lumë për t’u kthyer në qytet, ujërat papritmas nisën të egërsoheshin, si në furtunë, dhe anija që transportonte qeveritarin dhe Savinin për pak sa nuk u mbyt. Sapo mbërritën në destinacion, Ariani e nxori Savinin para gjykatës, duke e akuzuar se kishte përdorur magji për t’i shpëtuar gjykimit.

Savini pohoi se ishte i krishterë dhe se kurrë nuk do të mohonte Zotin dhe u kërkoi që ta merrnin sa më shpejt vendimin për vdekjen e tij, e cila për të ishte porta për në jetën e përjetshme. E shtrinë përtokë, ia lidhën gjymtyrët në katër hunj, dhe i kaluan mbi trup pishtarë të ndezur, por shenjti nuk pushoi së rrëfyeri Krishtin, që për të ishte e vetmja shpresë.

Paganët, kur panë vendosmërinë e tij, i lidhën një gur të madh në këmbë, e hipën në një varkë dhe e hodhën në ujërat e lumit. Në lutjen e fundit ai vetë paratha se trupin do t’ia gjenin të krishterët pas tri ditësh. Kështu ndodhi dhe ata e varrosën denjësisht, ashtu siç u ka hije martirëve të Zotit, së bashku me gurin, që kishte qenë mjeti për martirizimin e tij.

Oshënar Kristodhuli, çudibërës.

Ky dishepull i shkëlqyer i Zotit lindi në një fshat të vogël të Bitinisë, rreth vitit 1020. I ndriçuar nga hiri, ishte i shkëlqyer në studime, gjatë të cilave mësoi të përbuzte gjërat e përkohshme e të parapëlqente të përjetshmet. Prindërit i kishin rregulluar, kundër vullnetit të tij, fejesën me një vajzë nga familje e mirë, ndaj u largua fshehtas për në malin Olimp, ku u bë nxënës i një jerondi të shquar për urtësinë dhe dijen rreth gjërave të Perëndisë. U vesh me skimën engjëllore me emrin Kristodhul dhe nisi përpjekjet që të imitonte në gjithçka sjelljen e atit të tij shpirtëror, të cilin e shikonte si ikonë të gjallë të Krishtit. E mposhti mishin me kreshmë dhe i kalonte gjithë netët në lutje.

Pas tre vjetësh jerondi vdiq dhe Kristodhuli, nga frika se mos prindërit përpiqeshin ta rikthenin në botë, u nis për pelegrinazh në Romë, ku nderoi me përkushtim lipsanet e apostujve të shenjtë Petro dhe Pavël, të cilët i zbuluan në ëndërr jetën e tij të ardhshme. Që aty shkoi në Tokën e Shenjtë dhe jetoi me asketët në shkretëtirat e ashpra të Palestinës. Më pas hyri në një manastir, ku bëri jetë shembullore, por iu desh të largohej për shkak të kërcënimit të pushtimit selxhuk. Lundroi me disa murgj për në Azinë e Vogël dhe u strehua në qendrën e ndritur murgërore(monakale) të malit Latros, ku rinisi me aq shumë zell përpjekjet asketike, saqë bashkëmurgjit e admironin. Ushqehej me bukë elbi dhe ujë dhe në festat e mëdha hante nga të gjitha, që të mos vepronte si heretikët (manikeasit), të cilët i quanin ushqimet si të këqija.

Murgjve të manastirit u ra në sy dallueshmëria e shenjtit dhe kërkuan ta zgjidhnin igumen. Në fillim kundërshtoi, nga frika se mos humbiste thesarin e tij më të çmuar, hezikinë(qetësinë), por përfundimisht, me kërkesë të patriarkut Kozma (1075-1081), pranoi. Filloi menjëherë të ndreqte disa parregullsi të funksionimit të manastirit dhe, i shtrënguar nga vërshimi kërcënues i turqve selxhukë, që po e zaptonin tërë Azinë e Vogël pas betejës së kobshme të Manxikertit (1071), pas tre vjetësh u detyrua të jepte dorëheqjen dhe u tërhoq përsëri. U fut në një nga manastiret e Strobilos dhe, me propozimin e igumenit Arsen Skinuri, pranoi të merrte në ngarkim metoqin e manastirit, që ndodhej në ishullin Kos, ku themeloi një manastir dedikuar Hyjlindëses. Por shqetësimet që i shkaktonin vizitat e shumta të besimtarëve, e detyruan të kërkonte strehë tjetër, më të favorshme për jetën soditëse.

Pas shumë kërkimesh, gjeti atë që donte: ishullin e Patmosit, i shkretë dhe pa ngushëllim njerëzor, atje ku shën Joan Theologu mërgoi dhe mori zbulimet hyjnore. Shkoi menjëherë në Konstandinopojë, për t’i kërkuar perandorit Aleks I Komnini (1081-1118), t’i jepte një copë toke, që të ndërtonte një manastir kushtuar dishepullit të dashur. Sovrani, që e pëlqente për hir të shenjtërisë dhe mënyrës së sjelljes, i propozoi të merrte drejtimin e murgjve të malit të Zagorasë, në Thesali, të cilët kishin mbetur pa udhëheqës shpirtëror. Shenjtori iu përgjigj se dëshironte vetëm një gjë: një vend të qetë dhe larg nga punët e botës, që të përkushtohej në lutje. Por për hir të bindjes, tha se do të shkruante për këta murgj një Kanon për jetën e përbashkët dhe, nëse ata do ta pranonin, do të merrte drejtimin e tyre.

Hartoi një Tipikon(rregullore) në të cilin i këshillon murgjit të hiqnin dorë nga çdo pronë private dhe nga vullneti i tyre vetjak, që të jetojnë me bindje dhe durim në varfëri, duke shpresuar vetëm te hiri hyjnor. Meqë thirrja e vetme e murgjve është të jenë të përqendruar, të përkushtuar ndaj Perëndisë dhe shenjtorëve, i urdhëronte të shmangnin lidhjet me njerëzit e botës. I porosiste t’i rrëfenin tek ati shpirtëror me hollësi të gjitha mendimet e tyre të këqija dhe të bënin tre mijë metani çdo ditë dhe po kaq dhe çdo natë, duke u lutur me përkushtim dhe pendim, si të ishin para gjykimit të Perëndisë.

Këto urdhërime të shenjta, të cilat ishin shprehje besnike e traditave të Etërve, iu dukën të hidhura murgjve dembelë të Zagorasë, prandaj ata nuk e pranonin më si drejtuesin e tyre shpirtëror. Për Kristodhulin ishte gëzim dhe lehtësim kur mësoi këtë, ndaj e përsëriti kërkesën e tij dhe perandori i dha ishullin e Patmos, i pavarur nga autoritetet civile, i përjashtuar nga taksat apo detyrime të tjera. Urdhëroi gjithashtu, që nga thesari i tij t’u sigurohej çdo vit murgjve gruri i nevojshëm për të mbijetuar, që ata t’i kushtoheshin pa përkujdesje të tjera lutjes për shpëtimin e tij dhe të gjithë perandorisë.

Sapo mbërriti në Patmos, me krisobulën që afirmonte të gjitha të drejtat që i ishin dhënë mbi ishullin dhe që i krijonte mundësinë t’i kushtohej vetëm jetës engjëllore, përmbysi statujën e vjetër të Artemidës dhe ndërmori ndërtimin e një kishe kushtuar shën Joan Theologut. Ai i ndihmonte gjithë ditën me duart e tij punëtorët dhe hante pas perëndimit të diellit. Kur vinte mbrëmja dhe punëtorët shkonin për t’u çlodhur, i ngrinte duart drejt qiellit dhe lutej deri në agim. Fama e shën Kristodhulit tërhoqi shumë vizitorë në Patmos, si dhe shumë banorë të ishujve fqinj, të cilët në ato kohë të vështira vuanin nga uria.

Një ditë, kur numri i tyre ishte veçanërisht i madh, shenjtori urdhëroi që t’u jepej për të ngrënë të gjithëve. Murgu që ishte përgjegjës për ushqimet, vuri re që rezervat kishin mbaruar. Por, me këmbënguljen e shenjtorit, e shtroi tryezën dhe me hirin e Perëndisë turma jo vetëm që u ngop, por tepricat ishin më të shumta se ushqimi që u vu në tryezë.

Shën Kristodhuli qëndroi pesë vjet në Patmos, duke mbikëqyrur ndërtimin e manastirit dhe duke organizuar jetën në kinov sipas traditës më të pastër të shën Vasilit dhe shën Savës. Fliste dhe këmbëngulte sidomos për ndarjen nga bota dhe shkëputjen nga çdo lloj tjetër preokupimi. Por armiku i gjithçkaje që është e mirë, duke përfituar nga fakti se perandori Aleks e kishte kthyer vëmendjen nga rreziqet që vinin nga Perëndimi, që t’i kundërvihej invazionit(pushtimit) nga normanët, krijoi mundësinë për sulme të reja nga turqit në brigjet e Azisë së Vogël dhe në ishuj. Manastiri sapo kishte përfunduar, por fortifikimi i tij ishte i pamjaftueshëm, ndaj dhe shenjtori u tërhoq për të gjetur një vend më të sigurt. I mblodhi murgjit dhe i këshilloi të shpresonin te Perëndia dhe t’i shpërndanin gjithë rezervat e manastirit te punëtorët laikë, që ishin në ishull bashkë me familjet e tyre, para se të nisej për në Evripo.

Qeveritari i fuqishëm i kësaj krahine, Efmithi, ishte bir shpirtëror i shenjtorit, ndaj i priti me gëzim murgjit dhe iu dha gjithçka që u nevojitej për të mbijetuar. Shën Kristodhuli ngriti aty një manastir të përkohshëm. Pastaj, si ndjeu se po i afrohej fundi, thirri dishepullin e tij më të afërt, Savën, e caktoi si pasues, i dha mësimet e fundit për drejtimin e vëllezërve dhe e urdhëroi të kthehej në Patmos, që të përgatiste rivendosjen e vëllazërisë.

Kur erdhi java e parë e Kreshmës së Madhe, ai u mbyll në qeli që të qëndronte vetëm me Perëndinë dhe në fillim të javës së dytë i thirri vëllezërit, i bekoi dhe u diktoi Testamentin e tij, në të cilin i nxit murgjit të mos mbledhin në këtë jetë kalimtare gjëra të prishshme, dhe të preferonin qetësinë e vendeve të shkreta të Patmosit, sesa manastiret e pasura, ku lutja e murgjve turbullohet nga kontakti me njerëzit e botës.

Pastaj, pasi u kërkoi t’ia merrnin trupin e t’ia çonin në Patmos, dha shpirt (16 mars 1093). Murgjit nuk lejuan të merrnin me vete trupin e shenjtorit, por ata shkuan sërish fshehtazi në Evripo dhe e zhvendosën lipsanin përmes një akti “piraterie të devotshme”. Në vazhdim, manastiri i Patmosit, i mbrojtur nga mrekullitë e Kristodhulit, mbeti një ndër vendet e spiritualitetit të lartë të murgërisë orthodhokse, nga ku dolën episkopë dhe patriarkë. Në të cilin ruhen edhe sot dorëshkrime, ikona e sende të çmua

http://orthodoxalbania.net/index.php/al/besimi-orthodhoks/leximet-e-dites/226-shenjtoret-e-dites/2449-shen-grigor-pallamai-deshmor-savini-juliani

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων