Cilido shpresëtar dhe hyjdashës le të gëzojë këtë panair të mirë e të shkëlqyer.
Krishti u Ngjall!
Cilido shpresëtar dhe hyjdashës le të gëzojë këtë panair të mirë e të shkëlqyer. Cilido shërbëtor mirënjohës le të hyjë te gëzimi i të Zotit. Ai që u mundua duke kreshmuar, le të gëzojë tani dinarin. Ai që punoi që prej orës së parë, le të presë tani shpagimin e drejtë. Ai që erdhi pas së tretës, le të kremtojë me gjithë zemër. Ai që mbërriti pas së gjashtës, le të mos dyshojë aspak, se nuk pëson asnjë dëm. Ai që u vonua deri në të nëntën, le të afrohet pa hezituar fare. Dhe ai që mbërriti vetëm në të njëmbëdhjetën, le të mos trembet nga vonesa.
Se Zoti, duke qenë zemërdhembshur, pret të fundit sikurse dhe tē parin, çlodh atë të njëmbëdhjetës, si atë që punoi që prej së parës. Dhe të fundin e përdëllen dhe të parin e shëron; dhe atij i jep dhe këtij i fal; dhe punët i pret dhe mendimin e pëlqen; dhe veprën e pëlqen dhe qëllimin e lavdëron.
Hyni, pra të gjithë te gëzimi i Zotit tonë, dhe të parë dhe tē dytë, gëzoni rrogën. Të pasur e të varfër, vallëzoni me njëri-tjetrin; të përkorshëm dhe të ngathët, nderoni ditën; sa kreshmuat dhe nuk kreshmuat, dëfreni sot. Tryeza është plot, hani që të gjithë. Viçi është i shumtë, asnjë le të mos dalë i uritur. Të gjithë gëzojeni darkën e besës; të gjithë gëzojeni pasurinë e mirësisë.
Fjala Katekitike e Atit tonë ndër shenjtorët, Joan Gojartit
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.