FOTO/ Korçë, specialistët bëjnë dokumentimin grafik dhe fotografik në kishën e Shën Mëhillit
Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në këtë fillim sezoni turistik.
Specialistët e DRKK Korçë kanë bërë dokumentimin grafik dhe fotografik të portës në kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq, për të realizuar projektin për ndërhyrjen e mirëmbajtjes sistematike.
Kisha e Shën Mëhillit është më e madhja në Vithkuq. Ajo filloi të ndërtohet në vitin 1682 nga Mihali dhe Gabrieli, me shpenzimet e të krishterëve që jetonin në Vithkuq, me kontributin e prift Stavrit dhe Mitropolitit të Kosturit. Ajo u përfundua së ndërtuari më 1728.
Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Naosi është i tipit bazilikal, trenefesh me përmasa të brendshme 15.5 x 9.5 m.
Dy radhë kolonash ndajnë nefet nga njëri-tjetri, nga të cilët nefi qendror është më i gjerë dhe më i lartë nga dy anësoret. Kolonat lidhen ndërmjet tyre me një sistem harqesh në të dy drejtimet. Nefet gjatësore ndërpriten nga një nef tërthor, duke krijuar në mes një bërthame të mbuluar me kupolë. Lartësia e objektit është rreth 8 m.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.
— ATSH
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.