13 Ιουνίου, 2024

Dëshmore Akilina në Liban. Episkop Antipatri. Evlogji i Antiokisë. Episkop Trifili. Oshënar Jakovi.

Διαδώστε:

E enjte, 13 qershor 2024 – Shenjtori i ditës.
Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej (Analipsi, Ristozi, Shestja).
Dëshmore Akilina në Liban. Episkop Antipatri. Evlogji i Antiokisë. Episkop Trifili. Oshënar Jakovi.
– NGJITJA NË QIEJ E ZOTIT KRISHT
Jisui nuk jetoi me nxënësit e tij mbas ngjalljes, siç kishte bërë para vdekjes së tij. I mbushur me lavdinë e hyjnisë së tij, Ai u shfaq në kohë dhe vende të ndryshme tek njerëzit e tij, duke i siguruar ata, se ishte me të vërtetë i gjallë në trupin e tij të ngjallur dhe të lavdëruar. Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e Mbretërisë së Perëndisë (Veprat 1:3). Duhet të vihet re se periudha dyzetë ditë përdoret shumë herë në Shkrimin e Shenjtë dhe tregon një periudhë kohore plotësimi e mjaftueshmërie (Gjeneza 7:17; Eksodi 16:35; Gjyqtarët 3:11; 1 Samueli 17:16; 1 Mbretërit 19:8; Jona 3:4; Mattheu 4:2).
Ditën e dyzet mbas Pashkës së tij, Jisui u ngjit në qiell, për t’u lavdëruar në të djathtën e Perëndisë (Veprat 1:9-11; Marku 16:19; Lluka 24:51). Ngjitja e Krishtit është nisja e Tij e fundit fizike nga kjo botë mbas Ngjalljes. Ajo është plotësimi zyrtar i misionit të Tij në këtë botë, si Shpëtimtari Mesianik. Eshtë kthimi i tij i lavdishëm tek Ati, që e dërgoi atë në botë për të kryer veprën që i kishte dhënë për të bërë (Joani 17:4-5). …dhe ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh… (Lluka 24:51-52).
Kremtimi i Ngjitjes, siç janë edhe të gjitha kremtimet e tilla festive, nuk është thjesht një kujtim i një ngjarjeje të jetës së Krishtit. Me të vërtetë, Ngjitja vetë, nuk duhet kuptuar sikur të ishte thjesht një ngjarje mbinatyrale e një njeriu që po fluturon tej në qiejtë. Shkrimi i Shenjtë thekson nisjen fizike të Krishtit dhe lavdërimin e tij me Perëndinë Atë, bashkë me gëzimin e madh që nxënësit patën kur morën premtimin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të vinte për të siguruar praninë e Zotit tek ata, duke i aftësuar që të bëheshin dëshmuesit e tij deri në skajet e dheut (Lluka 24:48-53; Veprat 1:8-11; Mattheu 28:16-20; Marku 16:16-19).
Në Kishë, besimtarët në Krishtin, i kremtojnë këto realitete me bindjen se nisja e Krishtit prej kësaj bote u bë për ata dhe për të gjithë njerëzit. Zoti niset për t’u lavdëruar me Perëndinë Atë dhe për të na lavdëruar ne me vetveten e Tij. Ai shkon që të “përgatisë një vend” për ne dhe për të na marrë ne gjithashtu në lumërinë e pranisë së Perëndisë. Ai shkon për t’i hapur rrugën çdo mishi drejt “hierores qiellore… Shenjtërores që s’është bërë me duar” (Shih Hebrenjtë 8-10). Ai shkon për të dërguar Shpirtin e Shenjtë, që buron prej Atit, që jep dëshmi në botë për Të dhe Ungjillin e Tij, duke e bërë atë fuqimisht të pranishëm në jetën e nxënësve të Tij.
Himnet liturgjike të festës së Shestjes i këndojnë të gjitha këto gjëra. Vargjet antifonalë të Meshës Hyjnore janë marrë prej Psalmeve 47, 48 dhe 49. Përlëshorja e festës që këndohet në hyrjen e vogël, këndohet gjithashtu si himn pas-Kungimor.
U ngjite në lavdi, o Krisht, Perëndia ynë dhe u gëzuan nxënësit e tu nga premtimi i Shpirtit të Shenjtë dhe me bekimin u siguruan se Ti je Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i Botës! (Përlëshorja).
Mbasi e mbarove veprën për ne përmbi dhé dhe bashkove qiellin me dhenë, u ngjite me lavdi, o Krisht, Perëndia ynë, por pa u ndarë prej atyre që të duan ty, duke mbetur me ata dhe duke thënë: Ja unë jam me ju dhe askush nuk do jetë kundër jush! (Shkurtorja).
* * * * *
– DËSHMORE AKILINA NË LIBAN –
Shën Akilina ishte bija e një fisniku, Eftolmit të Fenicisë. U pagëzua kur ishte 5 vjeçe nga episkopi Efthalios.
Kur ishte 10 vjeçe, ajo i mësonte shoqet e saj të hiqnin dorë nga idhujt për të ndjekur Krishtin, me një zell të tillë, saqë e denoncoi njëfarë Nikodhimi te prokonsulli Volusien, i cili ishte ngarkuar prej Dioklecianit për të aplikuar në këtë krahinë ligjet e para të persekutimit.
Ajo e pohoi Krishtin pa pasur frikë para magjistratit dhe ky i fundit urdhëroi ta rrihnin me kamxhik, pavarësisht nga mosha e saj e njomë, dhe t’i fusnin në vesh shufra të nxehura me zjarr. Menduan se vdiq dhe e hodhën jashtë mureve të qytetit, por një engjëll shkoi dhe e ndihmoi.
Vajza, me ndihmën e tij, hyri deri në dhomën e gjumit të Volusienit, i cili u tmerrua. Më pas e akuzoi shenjtoren si magjistare dhe të nesërmen i preu kokën.
Lipsanet e saj të nderuara u transferuan më pas në Konstandinopojë, në një kishë që iu dedikua asaj, pranë Forumit, ku populli e nderonte shumë.
* * * * *
– OSHËNAR JAKOVI –
Nuk dihet kur dhe ku jetoi. Jeta e tij përbën një shembull klasik të mashtrimit të murgut: Kryente ushtrime të tepërta, duke synuar arritje të larta, por me vullnetin e tij, d.m.th. pa u udhëhequr nga ndonjë jeront, pasi e quante veten të mjaftueshme për arritjen e shpëtimit. Kështu “virtyti” i tij në vend që t’i bënte mirë, i shkaktoi të keqen më të madhe: e çoi drejt mendjemadhësisë dhe vetëmburrjes. Ëndërronte duke u mburrur si të ishte njohësi më i madh i rrugës së shenjtërimit!
Kësaj gjendjeje gjoja të përsosmërisë iu përshtat edhe gjoja epifania (shfaqja hyjnore): Iu shfaq djalli si engjëll drite dhe e urdhëroi që të pastronte e të rregullonte qelinë e vet, sepse po atë mbrëmje do të vinte Krishti, i kënaqur nga jeta që bënte, për t’i dhënë hirin! Dhe ai i shkreti e besoi mashtrimin dhe natën ia hapi derën “Krishtit”, hyri djalli me një suitë të tërëndritur, dhe murgu u ul në gjunjë dhe iu fal, ai e goditi në ballë dhe në çast u zhduk tërë madhështia, dhe i gënjyeri mbeti i vetëm duke qarë në qelinë e tij bosh.
Në mëngjes, duke vajtuar vrapoi te një jeront, i cili, ngaqë kishte përvojë të madhe, pa e dëgjuar, kuptoi se çfarë i kishte ndodhur. E qortoi, e këshilloi dhe e sistemoi: E dërgoi nën bindje në bashkëjetesë me murgjit e tjerë, ku, duke lënë stërmundimet e tepërta, shërbeu në kuzhinë për 7 vjet. Më pas jetoi edhe 7 vjet të tjera i vetëm në qeli, por tashmë duke punuar dhe duke ndjekur rrugë të drejtë shpirtërore, rrugë e cila e bëri “dallues”, d.m.th. të aftë për të dalluar në mënyrë të pagabueshme vullnetin e vërtetë të Perëndisë, madje e bëri edhe mrekullibërës! Fjeti në paqe.
Theksojmë se ka raste, si rasti i mësipërm, ku Perëndia ndërhyn në mënyrë shpëtimtare. Ndërkaq, në raste të tjera, ndoshta për shkak të ngurtësisë morale, djalli i shkatërron trupërisht dhe shpirtërisht të gënjyerit, duke i ftuar p.sh. t’i falen atij në një fron fantastik, i cili në të vërtetë ndodhet në humnerë, në kaos.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

 

Διαδώστε: