15 Ιουλίου, 2024

Dëshmorët Julita, Kiriku. Vladimiri i Madh në Kiev. Oshënar Donaldi

Διαδώστε:

E hënë 15 korrik 2024 – Shenjtori i ditës.
Dëshmorët Julita, Kiriku. Vladimiri i Madh në Kiev. Oshënar Donaldi.
– DËSHMORËT JULITA DHE KIRIKU –
Me prejardhje gjaku mbretëror dhe “në lule të rinisë” duke pasur një jetë të panjollshme, Julita mbeti e ve. Jetonte në Ikoni, në brendësi të bregdetit jugor të Azisë së Vogël, kur në fillim të shekullit të 4-t shpërtheu përndjekja e perandorit Dioklecian (284-305). Meqenëse guvernatori lokal i përndiqte të krishterët me egërsi, ajo mori djalin 3-vjeçar, Kirikun dhe iku në Selefkinën bregdetare. Gjendja e njëjtë që ishte atje e detyroi të zhvendosej më në lindje, në Tars të Kilikisë, por atje e arrestoi qeveritari shpirtbishë. Porsa shpalli publikisht besimin e vërtetë, e rrahu dhe e dënoi me gërvishtje dhe me tortura të tjera, të cilat i duroi duke lavdëruar Perëndinë.
Pastaj ia rrëmbyen djalin nga prehri dhe e hodhën në shkallët e gjykatës. Foshnja belbëzoi fjalën “i krishterë”, atëherë tirani i tërbuar e goditi me shkelm, duke i çarë kokën ende të njomë.
Burime të tjera thonë se qeveritari u përpoq që ta mposhtte me përkëdhelje Kirikun (greqisht do të thotë: predikues), ai belbëzoi emrin e Krishtit dhe njëkohësisht e shkelmoi tiranin në bark. Atij i dhembi dhe, i egërsuar, e hodhi nëpër shkallë, duke u goditur në kokë. Kështu koret e shenjtorëve pritën vëllain e tyre të vogël. Nëna trimëreshë nuk u dorëzua prej fundit të tij çnjerëzor dhe ia prenë kokën më 15 korrik pas torturave të tjera. Lipsanet i kishin varrosur fshehurazi dy shërbëtorët e saj, që kishin vëzhguar martirizimin e tyre. Njëra jetonte akoma në kohën e Konstandinit të Madh (21 maj), kur ndaluan përndjekjet dhe tregoi varrin e tyre. Shumë shpejt nderimi për dy dëshmorët u shtri në Azinë e Vogël, pak më vonë edhe në Palestinë, Konstandinopojë, Itali dhe Spanjë dhe u ndërtuan shumë kisha për ta.
* * * * *
– VLADIMIRI I MADH NË KIEV –
Më 864 patriarku shën Foti dërgoi në Kiev një episkop bashkë me disa priftërinj, që të mbillnin farat e para të Krishterimit, por ky mision u ndërpre me marrjen e qytetit nga princat Oleg dhe Igor, të cilët ishin idhujtarë. Në vazhdim, të tria sulmet që ndërmorën rusët kundër kryeqytetit bizantin (911, 944 dhe 971) arritën vendosjen e tregtarëve që përqafuan Krishterimin dhe u bënë misionarë kur u kthyen në atdheun e tyre, aq sa më 945 Kievi kishte një komunitet të madh të krishterë, i cili mblidhej në kishën e Profetit Ilia. Vejusha e princit Igor, shën Ollga, u pagëzua në kohën kur ishte regjente, por ky kthim ishte personal dhe nuk pati jehonë në popull. Kur i biri, Sviatoslavi mori pushtetin, ai nxiti paganizmin, pasi kthimi në besimin e krishterë konsiderohej si shkelje e traditës së popullit dhe turp.
Pas vdekjes së Sviatoslavit, i biri, Jaropolku, i cili i donte të krishterët, u bë princi i Kievit, ndërsa vëllai i tij i vogël, Vladimiri, u vendos në Novgorod. Atje u dëbua nga Jaropolku dhe u strehua në Skandinavi. Pas vdekjes së vëllait u vendos në Kiev (980). Me gjithë udhëzimet e gjyshes, Ollgës, nuk qe larguar nga idhujtaria, madje që kur u fronëzua ngriti një tempull kushtuar perëndisë së rrufesë, Perunit, ku bënin edhe flijime njerëzish. Duke qenë monark luftëdashës dhe me lakmi për të zgjeruar territorin e tij, kishte shpallur luftë të pamëshirshme te popujt fqinj: bullgarët dhe lituanezët. Pasi u kthye nga një fushatë luftarake e lavdishme kundër Jatvagëve (983), vendosi të falënderonte perënditë me anën e sakrificës së një njeriu. Shorti ra te një tregtar, Theodhorin, dhe mbi të birin, Joanin, të cilët ishin të krishterë dhe u bënë martirët e parë rusë.
Kjo sakrificë e turpshme la gjurmë te Vladimiri. Pastaj filloi të mendonte mbi besimin dhe të ushqente dyshime për idhujtarinë. Këto e shtynë që të njihte popujt që adhuronin një Perëndi të vetëm: bullgarët myslimanë të Kamas, judenjtë Khazarë, gjermanët të krishterët latinë, dhe grekët orthodhoksë. Këta dërguan lajmëtarë në Kiev, të cilët u përpoqën të bindnin princin me argumentet e tyre; por vetëm i dërguari i Bizantit arriti ta bindte duke i treguar veprën shpëtimtare të Zotit Jisu Krisht. Kështu, princi vendosi të dërgonte ambasadorë në këto vende të ndryshme, që të dëgjonte prej tyre mënyrën se si këta popuj e jetonin besimin.
Kur të dërguarit në qytetin bizantin morën pjesë në Liturgjinë hyjnore dhe në ceremonitë që u kryen në Shën Sofi, u mrekulluan pa masë, prandaj u raportuan sovranit atë që panë: “Nuk e dinim nëse ishim në qiell ose në tokë. Sepse nuk ka mbi dhé shfaqje si kjo, as bukuri si kjo, nëse do të ishim të aftë ta shprehnim. Por dimë vetëm që atje banon Perëndia bashkë me njerëzit, dhe se adhurimi i tyre është përmbi gjithë adhurimet e vendeve të tjera. Këtë madhështi s’mund ta harrojmë, dhe e dimë se tashmë do të jetë e pamundur për ne të jetojmë në Rusi në një mënyrë ndryshe nga ajo e tyre!” I bindur, Vladimiri vendosi të bëhej i krishterë.
Ndërkohë, perandori i Bizantit, Vasili II, i dobësuar nga lufta kundër carit të bullgarëve, Samuelit, dhe i kërcënuar se mos e dëbonin nga Konstandinopoja për shkak të revoltës së Bardas Fokait (987), i bëri apel princit të madh të Kievit. Vladimiri i tha se do t’i dërgonte gjashtë mijë varegë, por në këmbim të kësaj kërkoi dorën e të motrës, Ana Porfirogjeniti, duke i premtuar se do të kthente në Krishterim tërë popullin e tij. Falë ndërhyrjes së varegëve, revolta e Bardas u shtyp, por perandori vonoi në mbajtjen e premtimit dhe në dërgimin në Kiev të së motrës, e cila nuk pranonte të bashkohej me një pagan.
Vladimiri eci drejt Krimesë dhe zaptoi qytetin e Kersonit, duke kërcënuar se do të vazhdonte edhe me Konstandinopojën nëse perandori s’e mbante premtimin. I frikësuar, Vasili dërgoi pa vonuar të motrën, të shoqëruar nga episkopi shën Mihail (30 shtator) dhe nga prinftërinjtë që kishin marrë pjesë në misionin në Rusi. Princi i madh u pagëzua me emrin Vasil ditën e Theofanisë, bashkë me oficerët e shpurës së vet, pastaj bëri dasmën. U ktheu bizantëve qytetin e Kersonës, pastaj u nis për në Kiev, bashkë me princeshën dhe klerikët që kishin marrë në Kersonë një fragment nga lipsani i shën Klementit të Romës, si dhe trofe të lavdishme, ikona dhe objekte adhurimit.
Me të mbërritur në kryeqytet, princi largoi gratë pagane, duke deklaruar se tashmë kishte vetëm një grua, dhe filloi ta pastronte qytetin nga kulti idhujtar. Me të njëjtin zell që kishte më përpara për perënditë e rreme, i përmbysi idhujt dhe urdhëroi që statujën e Perunit ta lidhnin pas bishtit të kuajve, të cilët e lëshuan nga kodra dhe e hodhën në Dniepër para gjithë popullit. Shën Mihaili filloi të predikonte fjalën e Perëndisë, ku u ndihmua nga vetë Vladimiri. Ditën e Pentikostisë, turma e banorëve të Kievit u pagëzua në lumë. Episkopi bëri pagëzimin dhe i kërkoi princit Vladimir të bëhej kumbari i të gjithë popullit të tij.
Duke ndryshuar plotësisht karakterin e tij sipas butësisë së zakoneve ungjillore, Vladimiri hoqi dënimin me vdekje dhe bëri një jetë të pëlqyeshme te Perëndia dhe populli e quajti “Diell i ndritshëm”. Ndërtoi kisha në vend të tempujve paganë, veçanërisht një kishë madhështore, kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses, në vendin ku u martirizua shën Theodhori dhe i biri, të cilës princi i caktoi një të dhjetën e të ardhurave të tij. Themeloi edhe shkolla për të mësuar popullin dhe për të formuar priftërinjtë. U dërguan misionarë në principata të tjera që të shpallnin Lajmin e Mirë në gjuhën sllave.
Qyteti i Kievit u bë froni i episkopit metropolitan, që varej nga Patriarkana e Konstandinopojës dhe që kishte si juridiksion këtë terriror të gjerë. Meqenëse priftërinjtë paganë po bënin rezistencë, vetëm principata e Novgorodit mbeti e panënshtruar, Vladimiri përdori forcën për të shtrirë krishterimin. Në fund të jetës, pas vdekjes së të shoqes, princi pati shumë hidhërime nga ana e dy bijve të tij të mëdhenj, Sviatopolku dhe Jaroslavi. Nën ndikimin e të vjehrrit, mbretit të Polonisë, i cili e kishte bindur të kthehej në katolicizëm, Sviatopolku bëri kryengritje kundër Vladimirit, i cili e futi në burg, dhe një luftë jo shumë e gjatë shpërtheu mes Polonisë dhe Rusisë (1013).
Një vit më vonë, duke përfituar nga urrejtja që ushqente principata e Novgorodit kundrejt Kievit që i kishte hequr hegjemoninë në kohën e Olegut, Jaroslavi ndezi një revoltë. Por para se të shpallej lufta, shën Vladimiri u sëmur rëndë. Dërgoi të birin, Borisin, të luftonte kundër Peçenegëve, paganë me zemër të ngurtë dhe me rite të egra, që sulmonin territorin e tij, dhe e la të lirë Sviatopolkun para se të vdiste, më 15 korrik 1015. Sviatopolku u përpoq ta fshihte vdekjen e të atit te populli ; por në mëngjes, katedralja ku u soll trupi ishte rrethuar me mijëra njerëz të rangjeve të ndryshme, që qanin dhe vajtonin për apostullin e ri që kishin humbur. Lipsanet e tij të çmuara u fshehën gjatë invazionit mongol dhe u gjetën në rrënojat e kishës më 1631. Koka e tij ruhet në kishën kryesore të Manastirit të Shpellave të Kievit, nofullat e tij në katedralen e Fjetjes në Moskë, dhe fragmente të tjera në vendet të shenjta të Rusisë.
* * * * *
– SHËN DONALDI DHE NËNTË BIJAT E TIJ –
Shën Donaldi jetoi në fillim të shek. VIII në Skoci. Pasi ndërroi jetë e shoqja, ai bashkë me 9 të bijat filluan të bënin jetë asketike. Punonin tokën me duart e tyre dhe ushqeheshin me pak bukë dhe ujë një herë në ditë. Pas një jete të thjeshtë, në përulësi e lutje, oshënari fjeti në paqe. Pas fjetjes së të atit, vajzat shkuan në një manastir në Aberenthy, ku falë përkushtimit të tyre u bënë të njohura si “nëntë bijat” apo “nëntë virgjëreshat e shenjta”.

Διαδώστε: