30/07/2024 30/07/2024 E martë, 30 korrik 2024 – Shenjtori i ditës. Apostujt Sila, Silvani, Epeneti, Kriski nga të 70-t. Oshënare Angjelina Araniti (Shqiptare). – OSHËNARE ANGJELINA ARANITI (Shqiptare) – Angjelina lindi rreth vitit 1440. Ishte bija e feudalit të njohur shqiptar Gjergj Araniti. Ky ishte ndër prijësit e parë vendas që ngriti krye kundër turqve në fillim...
30 Ιουλίου, 2024 - 17:45

Apostujt Sila, Silvani, Epeneti, Kriski nga të 70-t. Oshënare Angjelina Araniti (Shqiptare)

Διαδώστε:
Apostujt Sila, Silvani, Epeneti, Kriski nga të 70-t. Oshënare Angjelina Araniti (Shqiptare)

E martë, 30 korrik 2024 – Shenjtori i ditës.
Apostujt Sila, Silvani, Epeneti, Kriski nga të 70-t. Oshënare Angjelina Araniti (Shqiptare).


– OSHËNARE ANGJELINA ARANITI (Shqiptare) –
Angjelina lindi rreth vitit 1440. Ishte bija e feudalit të njohur shqiptar Gjergj Araniti. Ky ishte ndër prijësit e parë vendas që ngriti krye kundër turqve në fillim të shekullit XV. Motra e saj, Andronika (Donika), u martua me Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin.
Angjelina u rrit në një familje të krishterë orthodhokse. E ëma, një grua me frikë Perëndie, e rriti dhe edukoi të bijën me devotshmëri të krishterë. Angjelina mori një arsim të shkëlqyer në shtëpinë e prindërve. Në vitin 1461, Angjelina u martua në Shkodër me Stefanin e verbër, të birin e despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçit. Ata u njohën në vitin 1459, kur despoti i Serbisë së bashku me të birin, Stefanin, u strehua tek i ati i Angjelinës, sepse përndiqeshin nga turqit. Stefanin bashkë më vëllanë e kishin marrë peng turqit dhe e kishin verbuar. Angjelina pa te Stefani besimtarin e urtë e të përulur, që digjej nga dashuria për Perëndinë.
Pas disa vjetësh, çifti u bekua me dy djem dhe një vajzë: Gjergjin (Maksim), Joanin dhe Marinë. Kur fëmijët u rritën, u detyruan të largoheshin në Itali për t’i shpëtuar përndjekjes. Pasi ndërroi jetë i shoqi (1471), Angjelina, u vendos në Krushedol (në veri të Serbisë), ku ngriti një manastir dhe u bë murgeshë.
Gjithë jetën e saj atje ia përkushtoi të varfërve. Me të drejtë atë e thërrisnin “nënë Angjelina”. Besimtarët i drejtoheshin me lutje që të çliroheshin nga sunduesit e tyre. Edhe jo-besimtarë janë shëruar prej saj, edhe u mrekulluan për madhështinë e besimit të krishterë.
Pas vdekjes së djalit të vogël, Joanit, djali tjetër, Gjergji, u bë murg dhe mori emrin Maksim. Angjelina ndërroi jetë në vitin 1520. Në vitin 1716, turqit dogjën manastirin së bashku me lipsanet. Murgeshat arritën të shpëtonin vetëm një pjesë të lipsanit të shën Angjelinës, dorën e majtë, që sot e kësaj dite ruhet në arkën e kishës së manastirit të Krushedolit.
* * * * *
– APOSTUJT SILA, SILVANI, EPENETI, KRISKI NGA TË 70-t. –


Këta apostuj të shenjtë bënin pjesë në radhën e Shtatëdhjetë Dishepujve.
Shën Sila ishte njeri i shquar i Kishës së Jerusalemit, dhe dallohej për dhuntinë profetike. U dërgua nga apostujt Pavël dhe Varnava për të forcuar të krishterët e Antiokisë (Vep. 15,22,27,32). Kur Pavli ndërmori udhëtimin e dytë misionar (50-52), mori Silën si shoqërues (Vep. 15.40).
Shkuan në Siri, Kiliki, Likaoni, Frigji, Galati dhe Mesi, para se të arrinin në Troas. Prej andej shkuan në Maqedoni, Silën e nxorën para gjyqit dhe e burgosën me Pavlin; por kur mësuan se të dy ishin qytetarë romakë, dhe i liruan duke iu kërkuar të falur (16,37).
Pastaj shkuan të shpallnin Lajmin e Mirë në Selanik dhe në Veria, ku Sila qëndroi me shën Timotheun, për të forcuan në besim të sapokthyerit, ndërsa Pavli e vazhdoi udhëtimin e tij në Athinë. Që të tre u takuan në Korinth, ku predikuan Krishtin Jisu, Birin e Perëndisë (II Kor. 1,19).
Tradita kishtare tregon se ai u bë episkop i Korinthit, ku filloi të zbatonte porositë që përmbanin Letrat e shën Pavlit për të korrigjuar korintasit. Punoi dhe luftoi shumë në këtë detyrë derisa dha shpirtin te Perëndia.
Shën Silvani thuhet se u bë episkop i Selanikut. Hasi shumë vështirësi e rreziqe për çështjen e besimit, pasi banorët e Selanikut ishin të mençur në sofizmat dhe shtrembërimin e gjuhës. Pasi kreu luftën e mirë, fjeti në paqe.
Apostulli i shenjtë Epeneti përmendet nga shën Pavli si “fryti i parë i Azisë” (Rom. 16.5), d.m.th. në krahinën e Efesit. Tradita kishtare tregon se u bë episkop i Kartagjenës dhe hoqi sprova e mundime nga ana e paganëve që banonin në atë zonë. Durimi dhe fjala e tij e zjarrtë bënë të mundur ardhjen në besim të shumë njerëzve. Fjeti në paqe pasi kreu denjësisht misionin që Perëndia i kishte caktuar.
Shën Kriski ose Kreshenti ishte dishepull i shën Pavlit dhe përmendet prej tij si i dërguar në Galati (II Tim. 4.10). Thuhet se u bë episkop i Kalqedonisë, dhe tregoi dritën e së Vërtetës te shumë paganë që jetonin në errësirë. Çliroi e rrëmbeu shumë shpirtra nga humbja duke iu mësuar besimin dhe sjelljen engjëllore, dhe fjeti në paqe me Zotin.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων