29 Ιουλίου, 2019

Διαδώστε:

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 5:9-6:11.

Ju shkrova në letër, të mos përziheni me të përdalë, edhe jo me gjithë të përdalët e kësaj bote, a me lakmitarët, a me grabitësit, a me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni jashtë nga bota. Po tani ju shkrova të mos përziheni me ndonjë që quhet vëlla, në qoftë se është i përdalë, a lakmitar, a idhujtar, a përqeshës, a pijanec, a rrëmbyes; me të këtillin as të mos hani bashkë. Sepse ç’më duhet të gjykoj edhe të jashtmit? A nuk gjykoni ju të brendshmit? Po të jashtmit Perëndia do t’i gjykojë; prandaj nxirreni të ligun jashtë nga mesi juaj.

Guxon ndonjë prej jush, kur ka gjë kundër tjetrit, të gjykohet para të padrejtëve e jo para shenjtorëve? A nuk e dini se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet prej jush, a nuk jeni të zotët të gjykoni vogëlsira? A nuk e dini se do të gjykojmë engjëj? Sa më tepër punë të kësaj jete? Nëse keni pra punë të kësaj jete për të gjykuar, ata që janë më të papërfillurit në kishë, këta vini gjykatës?. Për turpin tuaj them. Kështu nuk qenka ndërmjet jush ndonjë i urtë, i cili të mund të gjykojë në mes të vëllait të tij? Po gjykohet vëlla me vëlla, edhe kjo përpara të pabesëve?

Tashmë, pra, të keni gjyqe njëri me tjetrin është dështim i madh për ju. Përse nuk është më mirë t’ju bëhet juve padrejtësi? Përse nuk është më mirë t’ju bëhet dëm juve? Po vetë ju bëni padrejtësi e bëni dëm, dhe këto vëllezërve tuaj. Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni; as të përdalë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar, as ata që venë pas meshkujve, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as përqeshës, as rrëmbyes, nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Edhe të tillë ishit disa prej jush; por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat, me anë të emrit të Jisu Krishtit dhe me anë të Frymës së Perëndisë sonë.

* * * * *

UNGJILLI – Mateu 13:54-58.

Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga e ka ky këtë urtësi dhe këto fuqi? A nuk është ky i biri i marangozit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda? Edhe të motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne? Nga i ka ky pra këto të gjitha? Edhe skandalizoheshin me të. Por Jisui u tha atyre: Një profet nuk është i nderuar, veçse në atdheun e tij e në shtëpinë e tij. Edhe nuk bëri atje shumë çudira për shkak të pabesisë së tyre.

Rinia Ortodokse Tirane

Διαδώστε: