Në datën 1 Janar Kisha jonë e Shenjtë kremton dy ngjarje të rëndësishme, Rrethprerjen e Zotit dhe përkujtimin e një ndër shenjtorëve dhe episkopëve më të mëdhenj të Kishës Shën Vasilin e Madh. Ndonëse viti i ri nuk është një festë fetare, nuk është një festë e Kishës, megjithatë Kisha gjithmonë gjen rastin dhe mundësinë për të krishterizuar, për t’i bërë njerëzit që të mendojnë dhe të japë disa mesazhe që kanë të bëjnë me jetën kishtare. Të gjithë do të ishte mirë që ta fillonim një vit të ri me një Liturgji Hyjnore, me një takim me Zotin. Le të fillohet që në fillim me një takim me Zotin në një rrugë të gjatë dhe shpeshherë të vështirë. Viti i Ri ndoshta ne do të na kujtojë diçka për jetën tonë, është një moment në të cilin ne kuptojmë dhe ndërgjegjësohemi që një vit nga jeta jonë ka kaluar dhe do të fillojmë një jetë të re. Çdo biznesmen ose çdo tregëtar në fund të vitit bën një lloj raporti, një lloj iventari të gjithçkaje që ka pasur, ka shitur, ka blerë dhe mendon për planet e së ardhmes, ndërsa ne për jetën tonë shpeshherë nuk e bëjmë këtë iventar. Askush nga ne nuk mendon në fund të vitit, se çfarë ka bërë ai gjatë gjithë vitit, çfarë ka blerë, çfarë ka shitur, sa borxhe ka për të larë, për çfarë do t’i duhen paratë për të ardhmen. Viti që kaloi ishte një vit shumë i vështirë, siç ishte edhe ai para këtij, por ne kemi shpresë që Perëndia të na japë një vit më të mbarë dhe për këtë urojmë njëri-tjetrin, “Gëzuar Vitin e Ri.”
Nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani