Në një kodër piktoreske, në hyrje të fshatit Armen ndodhet kisha e Shën Kollit. Kjo kishë bizantine fillimisht është identifikuar nga historiani Tanush Frashëri dhe është përshkruar prej tij në një nga numrat e revistës shkencore Monumentet, të vitit 1971.
Projekti i hartuar nga DRKK Vlorë për restaurimin e saj është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe pritet të zbatohet vitin e ardhshëm.
Volumi kryesor i kishës është paralelopiped, mbi të cilën në të dyja anët ngrihen qemeret, ndërsa në mes tamburi me kupolë. Në të hyhet nga një portë në anën perëndimore, që duhet të ketë qenë me arkitra të ngurtë.
Në brendësi kisha ndahet në tri pjesë nëpërmjet katër pilastrave që dalin në murin jugor e verior. Pjesa qëndrore mbulohet me një kupolë mbi bazë elpitike dhe të stërgjatur në lartësi. Pjesa e poshtme e kupolës është ndërtuar me gurë, ndërsa pjesa e sipërme me copëra tullash. Për nga planimetria dhe volumetria kemi të bëjmë me një kishë të tipit sallë me kupolë.
Ky monument përbën një dëshmi me rëndësi, pasi kjo është e vetmja kishë e këtij tipi që ruhet në vendin tonë. Mbi bazën e ngjashmërisë së saj me disa kisha të të njëjtit tip në Bullgari, Aleksandër Meksi e daton atë në shek. XI-XII. Në një nga muret e kishës ruhet si enë akustike një amforë që datohet në shek. X, dhe që jep një datë më të hershme se ajo e propozuar nga Meksi.
ATSH