06/09/2020 06/09/2020 Nga Ilirjan Gjika 1 Në të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë në temat përkatëse ku trajtohet Krishtërimi, thuhet se në territoret që sot banohen nga shqiptarët kjo fe u perhap në shekullin e parë, në kohën e apostujve, nxënësve dhe pasuesve të Krishtit. Ky fakt vërtetohet nga një sërë dokumentesh historike nga të cilat...
06 Σεπτεμβρίου, 2020 - 14:33

“A ka kaluar Shën Pavli në Iliri?! Krishtërimi në Iliri sipas Biblës”!

Διαδώστε:
“A ka kaluar Shën Pavli në Iliri?! Krishtërimi në Iliri sipas Biblës”!

Nga Ilirjan Gjika
1
Në të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë në temat përkatëse ku trajtohet Krishtërimi, thuhet se në territoret që sot banohen nga shqiptarët kjo fe u perhap në shekullin e parë, në kohën e apostujve, nxënësve dhe pasuesve të Krishtit. Ky fakt vërtetohet nga një sërë dokumentesh historike nga të cilat veçojmë librin ku bazohet feja kristiane, Biblën.
Duke u nisur prej saj janë bërë interpretimet rreth historikut të krishtërimit në Iliri, të cilat duhet thënë se kanë qenë të shumta. Në morinë e tyre mund të veçojmë për saktësinë e trajtimit të drejtë të fakteve disa autorë, ndërkohë që disa të tjerë, pa u thelluar në analizën historike i kanë keqinterpretuar faktet e dhena në Bibël, duke i paraqitur ato shpesh herë në mënyrë shabllone dhe “apriori”. Shumë prej këtyre autorëve qoftë në botime të veçanta apo artikuj të shkëputur kanë bërë interpretime të gabuara lidhur me udhëtimet e Shën Pavli në territoret e Ilirisë.
Një i tillë është edhe ai që ka të bëjë me udhëtimin e dytë të apostullit Pavl, ku përmendet qyteti i Apolonisë. Pikërisht këtë pjesë që Shën Pavli e trajton në shkrimet e tij, këta autorë, e marrin të mirëqënë për Apoloninë e Ilirisë rrënojat e së cilës gjenden 8 km në perëndim të Fierit.
Por si qëndron e vërteta e këtij rasti?! Pikërisht për ta sqaruar këtë keqkuptim le ti referohemi fakteve dhe interpretimit historik. Gjithçka nis me një pasazh të Shën Pavlit i cili gjendet i shkruar në Bibël. Te kapitulli “Veprat e Apostujve”, në paragrafin 17, 1, midis të tjerave, ai, thotë: “Dhe pasi kishim kaluar nga Anfiopoli për në Apoloni arritëm në Selanik…”.
Duke u nisur nga kjo pjesë leximi gjithkush që ka një nivel njohurish historike kupton se nuk bëhet fjalë për Apoloninë e Ilirisë, por për qytetin antik të Apolonisë, që ndodhej dikur në rajonin e sotëm të Maqedoninë së Greqisë, pranë Selanikut.
Kjo hipotezë e formuluar diku në vitet 1940 u shfrytëzua nga autorë të tjerë të cilët e morën në mënyrë shabllon duke e trumpetuar shpesh herë si të vërtetë historike. Por në rrethana të tjera, studimet e mirëfillta kanë nxjerrë konkluzionin se Shën Pavli nuk ka kaluar në Apoloninë Ilirisë, por në një tjetër Apoloni, atë të Maqedonisë.
Duhet theksuar se në kohën antike gjatë proçesit të kolonizimit të madh, grekët krijuan përgjatë brigjeve të detit Mesdhe, 30 qytete, me emrin e perëndisë Apolon. Ndër to, nga më të përmendurat ishin: Apolonia e Ilirisë, Apolonia e Trakisë, Apolonia e Maqedonisë, Apolonia e Detit të Zi, Apolonia e Cirenajkës në Libi, etj. Duke qenë se ishin shumë qytete të tilla, ishte e natyrshme që të dhënat do të ngatërroheshin diku midis tyre dhe do të kishte interpretime të ndryshme, siç ndodhi edhe me pasazhin e mësipërm të Biblës.
Ndërkohë historiografia ka vërtetuar faktin se në Maqedoninë e Greqisë, ruhen edhe sot dëshmitë për itinerarin e përshkruar nga Pali gjatë predikimeve të tij. Pikërisht në këto vende janë vendosur emërtime që dëshmojnë këtë fakt, duke na plotësuar mozaikun e të dhënave se ku ka kaluar Shën Pavli.
Ndërkohë që edhe historia e krishtërimit e ka qartësuar itinerarin e udhëtimit të dytë të Shën Pavlit, kur i nisur nga Antiokia ai kaloi në Tarso, Ikonia, Synada, Hereopolis, Laokidea, Efes, Sardi dhe Troadë. Më pas, ai, kaloi detin Egje dhe e vazhdoi më tej udhëtimin në Greqi, ku vijoi në qytetet: Samotrakë, Neapolis, Filipi, Amfiopol, Selanik, Athinë, Korint dhe Larisë (Veprat e Apostujve: 16- 17). Pikërisht këtë udhëtim ai e përshkruan edhe në letrën e mësipërme “Dhe pasi kishim kaluar nga Anfiopoli për në Apoloni arritëm në Selanik ku ishte sinagoga e judenjve” (Veprat e Apostujve 17, 1).
2
Por le të bëjmë një analizë të plotë të problemit, duke u ndalur tek dëshmitë e Biblës rreth fillimeve të krishtërimit në Iliri. Sipas saj, Krishtërimi lindi në vitin 30, në Jude (Izraelin e sotëm), kur Krishti nisi të predikonte doktrinën e tij, rrënjët e së cilës ishin tek Judaizmi, feja e hebrenjve të vjetër.
Faza e parë e përhapjes së kësaj feje lidhet me aktivitetin e tij nga që nis nga viti 30 deri në vitin 33, kur Krishti, u ekzekutua i varur në kryq nga autoritetet romake. Faza e dytë e përhapjes së krishtërimit lidhet me veprimtarinë e apostujve (pasuesve) të tij si: Pavli, Petro, dhe të tjerë.
Ndërkohë mund të themi se Pavli ishte apostulli që luajti rolin kryesor në përhapjen e kësaj feje në territoret e perandorisë romake. Historianët dhe studjuesit e historisë së krishtërimit e kjonsiderojnë atë si predikuesin më aktiv të krishtërimit. Gjatë veprimtarisë së tij, Shën Pavli, udhëtoi në Azinë e Vogël, Greqi, Siri, Palestinë, Mesdhe, Maltë dhe Itali. Ai e shndërroi Krishtërimin nga një sekt të thjeshtë në një fe botërore. Përveç veprimtarisë së tij misionare, Pavli, ka meritën se e përpunoi doktrinën kristiane, ku nga pjesa më e madhe e Dhiatës së Re mendohet se është shkruar prej tij.
Ndërkohë që veprimtaria e tij lidhet drejtëpërdrejtë edhe me Ilirinë. Kështu në, Bibël, tek “Dhiata e Re” në “letrën dërguar Titit”, paragrafi 3: 12, Pavli thotë: “Kur të dërgoj Artemanë dhe Tikikun bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopol, sepse vendosa të kaloj dimrin aty”.
Duhet theksuar se, Nikopoli, qyteti që përmend Pavli në Bibël u ngrit dikur nga perandori romak Oktavian Augusti dhe ishte qëndra më e rëndësishme e rajonit të Epirit gjatë pushtimit romak Më pas në kohën e Diolicianit ajo u shdërrua në qëndrën e provincës romake të Epirit të Vjetër.
Në momentin kur Pavli i dërgonte këtë letër, Titi, ndodhej si peshkop në Kretë me qëllim organizimin e kishës atje. Titi ishte një nga 70 peshkopët e parë të kishës që kishte emëruar Shën Pavli. Këta peshkopë drejtonin bashkësitë e krishtera që ishin krijuar në këtë kohë në territoret e Romës ku ishte përhapur. Emërimet e tyre, Pavli, mund ta ketë bërë diku rreth viteve 57-58. Së bashku me Titin dhe peshkopë të tjerë, Pavli, kishte caktuar edhe Çezarin në Durrës dhe Marinin në Apoloni (Alexoudes, 1868: 108-110).
Më pas del se Pavli, pasi e thirri Titin në Nikopol, do ta emëronte atë në Dalmaci, në Ilirinë e Veriut. Këtë veprim, ai, e përshkruan në Bibël, tek letra e dytë dërguar Timoteut, paragrafi 4: 9-10, kur thotë se: “Përpiqu të vish shpejt tek unë, sepse Dima më la, pasi e deshi këtë botë dhe iku në Selanik, Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci”.
Ndërkohë që, Pavli, nuk na jep emrin e qytetit dalmat ku shërbente Titi. Ndoshta ky qytet mund të ketë qenë Salona, e cila na del më vonë në shumë burime të tjera historike si qendra kryesore e krishtërimit në Dalmaci. Ndërsa tek e njëjta letër dërguar Timoteut, në paragrafin 4: 21. Pavli thotë: “Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndesin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudia dhe gjithë vëllezërit”.
Ky paragraf tregon se letrën e tij, Pavli, e ka shkruar gjatë qëndrimit në Nikopol, në të cilin ishte krijuar dhe vepronte një bashkësi mjaft aktive kristiane. Po tek kjo letër pak më sipër në paragrafin 4: 11, Pavli, thekson se: “Me mua është vetëm Luka. Merre Markun dhe sille me vete sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë”. Pra, Pavlin, në Nikopol e shoqëronte Luka dmth njëri prej katër autorëve që shkroi ungjillin.
Kështu, bashkë me Apostullin Pavl në Nikopol del se ka predikuar edhe Luka, por ndoshta edhe Marku, i cili njëlloj si Luka është autori tjetër i njërit prej ungjijve të Dhiatës së Re. Por prej Nikopolit, ku Pavli vendosi qendrën e tij për disa muaj, ai mund të ketë dërguar misionarë të tjerë në territoret e brendshme ilire, ashtu siç veproi kur dërgoi si peshkop Titin në Dalmaci, Shën Cezarin në Durrës dhe Marinin në Apoloni. Pikërisht nga këto katër qytete të bregdetit si Nikopoli, Apolonia, Durrësi dhe Salona nisi përhapja e krishtërimit në territorine Ilirisë.
Aktivitetin e tij të drejtpërdrejtë në Nikopol dhe dërgimin e peshkopëve në qytetet e mësipërme, Pavli, e perifrazon kështu tek “Letra dërguar romakëve”, në paragrafet 15 dhe 19, ku thotë se: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark deri në Iliri kam kryer shërbimin e ungjillit të krishtit”.
3
Ndërkohë sot, një nga detyrat e historianëve të antikitetit është të gjejnë itinerarin e udhëtimit të Palit për në Nikopol. Nga u nis ai për të mbërritur aty? Ndoshta edhe nga Korinti, sepse tek “Letra e dytë dërguar Timoteut”, paragrafi 4: 20, Pali, thotë midis të tjerave se: “Erasti mbeti në Korint”.
Por ka edhe autorë të tjerë të cilët mendojnë se, Pavli, erdhi nga Maqedonia nëpërmjet rrugës Egnatia apo rrugëve të tjera që lidheshin më të. Megjithatë kjo gjë nuk është vërtetuar dhe i mbetet studimeve të reja që do të kryhen në të ardhmen. E rëndësishme për Historinë e Shqipërisë është se, Bibla, libri i krishtërimit, dëshmon si një dokument autentik dhe i pakontestueshëm për kontaktet e kësaj feje në trojet e banuara nga iliro-shqiptarët. E parë brenda kontekstit historic, mund të thuhet se, përpjekjet e Shën Pavlit për të të përhapur kriahtërimin te ilirët, na dëshmojnë për rëndësinë e kësaj popullate dhe të metropoleve të saj në hapësirën mesdhetare të perandorisë romake.


— facebook.com/MitropoliaFier

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων