ADHURIMI ORTHODHOKS – MISTERI I KUROREZIMIT (MARTESA)
Martesa nuk u shpik apo u themelua nga Krishti. Por megjithatë, Zoti i dha një kuptim dhe rëndësi të veçantë martesës njerëzore. Duke ndjekur Ligjin e Dhiatës së Vjetër, por duke shkuar më tej se parimet e saj formale, në përsosmërinë e tij mesianike Jisui mësoi veçantinë e martesës njerëzore, si shprehja më e përsosur natyrore e dashurisë së Perëndisë për njerëzit, dhe e dashurisë së tij së veçantë për Kishën.
Sipas Krishtit, që dashuria e një burri dhe e një gruaje të jetë përsosmërisht, ajo që Perëndia e ka krijuar për të qenë, duhet të jetë unike, e paprishur, pa mbarim dhe hyjnore. Zoti vetë jo vetëm që ka dhënë këtë mësim, por ai gjithashtu jep fuqinë për ta përmbushur atë në misterin e martesës së krishterë në Kishë.
Në misterin e martesës, një burri dhe një gruaje u jepet mundësia të bëhen një trup dhe një shpirt, në një mënyrë të tillë që asnjë dashuri njerëzore nuk mund ta japë nga vetvetja. Në martesën e krishterë është dhënë Shpirti i Shenjtë me qëllim që, çfarë është filluar këtu në tokë të mos “ndahet në vdekje”, por të përmbushet dhe të vazhdojë në mënyrëm më të përsosur në Mbretërinë e Perëndisë.
Gjatë shekujve të parë, nuk kishte ndonjë ritual i veçantë për martesën në Kishë. Të dy të krishterët që do të martoheshin, e shprehnin dashurinë e tyre në Kishë dhe merrnin bekimin e Perëndisë për bashkimin e tyre, e cila vulosej në eukaristinë e shenjtë të Krishtit. Nëpërmjet njohjes formale nga Kisha të bashkimit të çiftit, dhe inkorporimit të tij në Trupin e Krishtit, martesa bëhej e Krishterë; d.m.th. ajo bëhej imazhi i krijuar i dashurisë së Perëndisë, që është i përjetshëm, unik, i pandarë dhe pa mbarim.
Kur në Kishë u zhvillua një ritual i veçantë për misterin e martesës, ai u modelua sipas misterit të pagëzim-mirosjes. Misteri i drejtohet çiftit në një mënyrë të ngjashme me atë të drejtimit individual në pagëzim. Ata pohojnë besën dhe dashurinë e tyre për Perëndinë. Ata sillen në Kishë në procesion. Ata bekohen dhe për ata bëhen lutje. Ata dëgjojnë Fjalën e Perëndisë. Ata kurorëzohen me kurorat e lavdisë së Perëndisë që të bëhen bijtë e tij dhe dëshmitarët (dëshmorët-martirët) e tij në këtë botë, dhe trashëgimtarët e jetës së amshuar të Mbretërisë së Tij. Ata e përmbushin martesën e tyre, ashtu siç përmbushen të gjithë misteret, duke marrë kungatën e shenjtë në Kishë.
Nuk ka “legalizëm” në misterin orthodhoks të martesës. Ai nuk është një kontratë juridike. Në të nuk përfshihen betime. Në esencë, ai është “pagëzimi dhe konformimi” i dashurisë njerëzore në Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Ai është hyjnizimi i dashurisë njerëzore, në unitetin dhe përsosmërinë hyjnore të Mbretërisë së përjetshme të Perëndisë, siç i është zbuluar dhe i është dhënë njeriut në Kishën.
Misteri i krishterë i martesës kryhet vetëm tek ata që i përkasin Kishës; d.m.th. vetëm tek ata që janë pagëzuar dhe marrin kungatën. Sot, ky është mësimi dhe praktika e Kishës Orthodhokse. Por, megjithatë, për shkak të tragjedisë së mosunitetit të krishterë, një orthodhoks mund të martohet në Kishë me një të krishterë të pagëzuar jo-orthodhoks (katolik apo protestant të pagëzuar në emrin e Shën Trinisë), me kusht, që të dy do të punojnë dhe do të luten sinqerisht për unitetin e tyre të plotë në Krishtin, pa asnjë detyrim apo dominim me forcë mbi njëri-tjetrin. Një i krishterë orthodhoks që martohet me një të krishterë jo-orthodhoks duhet të ketë lutjet misterore dhe bekimin e Kishës, që të mbetet një anëtar i Kishës Orthodhokse dhe një pjesëmarrës në Misterin e Kungatës së Shenjtë.
Sipas mësimit orthodhoks, vetëm një martesë mund të përmbajë kuptimin dhe rëndësinë e plotë që Krishti i ka dhënë këtij realiteti. Prandaj, tradita e krishterë orthodhokse e inkurajon atë që ka mbetur i ve apo e ve, të mbetet besnik i bashkëshortes apo i bashkëshortit, i cili ka vdekur në këtë botë por është i gjallë në Krishtin. Gjithashtu, tradita orthodhokse, nga i njëjti parim, e konsideron në kundështim me përsosmërinë njerëzore, të zbuluar nga Perëndia në Krishtin; “bashkëjetesën e përkohshme”, lidhjet seksuale jashtë martese, lidhjet seksuale me të tjerë, lidhjet seksuale ndërmjet anëtarëve të të njëjtit seks, si dhe prishjen e martesës. Megjithatë, nëpërmjet pendimit, dhe me një rrëfim të vërtetë të mëkateve dhe një premtim të sinqertë për një jetë të mirë së bashku, Kisha Orthodhokse ka një shërbesë të martesës së dytë, për ata që nuk kanë qenë të aftë të përmbushin kushtet ideale të martesës siç na ka mësuar Krishti. Praktika e Kishës Orthodhokse nuk i përjashton anëtarët e martesës së dytë nga misteri i kungatës së shenjtë, në se ata dëshirojnë sinqerisht të jenë në shoqërinë eukaristike me Perëndinë, dhe në se ata përmbushin të gjitha kushtet e tjera për pjesëmarrjen në jetën e Kishës.
Për shkak të kuptimit të nevojës që kemi për Krishtin në çdo aspekt të jetës njerëzore, si edhe, për shkak të bindjes së fortë të krishterë, që asgjë nuk mund të bëhet e përsosur pa Krishtin apo pa praninë dhe fuqinë e tij në Kishë me anë të Shpirtit të Shenjtë, dy të krishterë nuk mund të fillojnë të jetojnë së bashku dhe të marrin pjesë në jetën e njëri tjetrit në unitet të plotë – shpirtëror, fizik, intelektual, shoqëror, ekonomik – pa e vendosur fillimisht këtë unitet në përjetësinë e Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet misterit të martesës në Kishë.
Sipas mësimit orthodhoks të shprehur edhe në ritin misteror të martesës, krijimi i fëmijëve, si edhe kujdesi dhe dashuria për ata brenda kontekstit të familjes, është përmbushja normale e dashurisë së një burri dhe gruaje në Krishtin. Në këtë mënyrë, martesa është shprehja njerëzore e dashurisë krijuese dhe plot kujdes së Perëndisë, e Dashurisë së përsosur së Tre Personave të Shën Trinisë, e cila vërshon në krijimin dhe kujdesin për botën.
Kjo bindje, që dashuria njerëzore është imituese e dashurisë hyjnore, dhe që duhet derdhur në krijimin dhe kujdesin për të tjerët, nuk do të thotë që lindja e fëmijëve është në vetvete qëllimi i vetëm i martesës, dhe justifikimi dhe legjitimiteti unik dhe ekskluziv i ekzistencës së saj. As nuk do të thotë që një çift që nuk ka fëmijë, nuk mund të jetojë një jetë të vërtetë të krishterë. Por, megjithatë, do të thotë që vendimi i ndërgjegjshëm i një çifti, për të mos patur fëmijë për arsye personale rehatie, nga dëshira për lluks e liri, nga frika e përgjegjësisë, nga mosdashja për të ndarë sëbashku pronën materiale, nga urrejtja për fëmijët, etj., nuk është një vendim i krishterë, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet në përputhje me mësimet dhe përvojën biblike, morale dhe misterore të Kishës Orthodhokse rreth kuptimit të jetës, dashurisë dhe martesës.
Sipas perspektivës së dhënë më sipër, kontrolli i konceptimit (i zënies së fëmijës) të fëmijëve në martesë është një çështje shumë delikate. Në parim ai nuk inkurajohet dhe është konsideruar ndoshta si i mundur, vetëm me një shqyrtim shumë të kujdesshëm të ndërgjegjes, me lutje dhe me udhëzim pastoral.
Aborti i një fëmije, tashmë të zënë, është i ndaluar kategorikisht në Kishën Orthodhokse, dhe nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, përveçse ndoshta, me rrezikun më të madh moral dhe me pendimin më serioz, në rastet më ekstreme si për shëmbull rrezikimi i jetës së nënës. Në këto situata ekstreme, vetëm nëna mund të vendosë, dhe gjithçka duhet të pregatitet për të qëndruar para Perëndisë për veprimin, duke kërkuar mëshirën e tij hyjnore.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.