Ankthi, vetmia… dhe njeriu Përgatiti për Radio “Ngjallja”: Katekistja Urania Mandro
Kemi prekur këto javë tema të ndryshme që shqetësojnë të rinjtë. Sot do të doja të flisja mbi dy çështje pak më delikate. Do të përpiqem të flas disi mbi sëmundjet e shekullit tonë: ankthin dhe vetminë. Patjetër që nuk do të bëj një analizë shkencore të termave as ndonjë studim mjekësor, por duke prekur pak secilën prej tyre, besoj se do të arrijmë të kuptojmë burimin e tyre dhe sigurisht të arrijmë të hedhim sytë mbi zgjidhjen e çdo problemi, që gjendet tek Zoti ynë jisu Krisht.
Jetojmë në “epokën e izolimit njerëzor”, siç thotë dhe autori klasik i letërsisë botërore Dostoevsky. Le të dëgjojmë përshkrimin e tij që i përshtatet sot, njëqind vjet pas botimit të romanit Vëllezërit Karamazov: “Të gjithë në shekullin tonë janë përçarë dhe janë bërë njësi, të gjithë tërhiqen në vetminë e tyre, të gjithë largohen nga njëri-tjetri, fshihen dhe fshehin gjithçka dhe përfundojnë duke mënjanuar të ngjashmit e tyre dhe duke u mënjanuar prej të ngjashmëve”.
Njeriu bashkëkohor vlerësohet si unik dhe i veçantë dhe i parsërëritshëm, por si qenie ai mbetet i vetmuar. Ai theu llozet që i privonin lirinë, por humbi kontaktet që e mbanin të lidhur me mjedisin e tij. Përgjegjësia prindërore është si tirani në sytë e çdo të riu, kështu që largohet nga shtëpia e familjes sapo të gjejë mundësinë. Ai thyen llozet, por gjithashtu ndërpret lidhjet, pasi ka mbetur vetëm. Vetmia është çmimi i lirisë. Një liri që është e pakufishme, por që lëviz në kontekstin e një egocentrizmi i cili është i huaj për perceptimin dhe traditën e krishterë. Njeriu me vetëdije të plotë, ndërkohë që mendon se është i lire, është më i izoluar se kurrë. I izoluar brenda dhomës së tij, brenda shtëpisë së tij, përpara televizorit, përpara kompiuterit, përpara telefonit… i vetmuar.
E njëjta gjë ndodh edhe në marrëdhëniet personale të çifteve. Dashuria duket sikur i lidh dy personat, por secili prej tyre kërkon lirinë individuale nga njëri-tjetri. Divorci, distanca, ndarja ofron një liri e cila të privon nga dashuria; duke u thyer llozet, prishen edhe lidhjet.
Një njeri është i barabartë me asnjë njeri! Kjo thënie patjetër që nuk nënkupton se një njeri nuk ka vlerë, por e thëm këtë, sepse çdo qenie njerëzore ka lindur për të jetuar me qeniet e tjera njerëzore. Për shkak se shoqërizimi është karakteristikë e natyrës njerëzore, vetmia është e padurueshme. Njeriu i krijuar sipas ikonës së Perëndisë, është bërë i tillë për të qenë në komunikim, është një qenie sociale dhe rrjedhimisht, ai njeri i cili jeton ose më saktë ekziston i vetmuar, nuk është njeri i plotë.
Nga vetmia lind ankthi, domethenë kriza mbi identitetin: kush jam unë, çfarë dua, ku shkoj, nga vij, ku dhe si do të përfundoj? Pyetjet ekzistenciale ngrihen përreth nesh, jo si muret që na mbrojnë, por si muret që na mbajnë të burgosur. Vetmia krijon pasiguri dhe paqëndrueshmëri. Fryti i tyre është ankthi mbi të ekzistuarit dhe ndjenja e zbrazëtisë në kuptimin e jetës. Një rast i veçantë i përvojës negative sot është të jetuarit larg shoqërisë si i refuzuar nga të tjerët.
Raste të tillajanë të papunët, të pastrehët dhe emigrantët; tre nga figurat me tragjike të kohës moderne.
Papunësia e privon një person nga dinjiteti i tij dhe shpesh herë e bën atë viktimë të të fortëve ose e çon atë drejt paligjësisë.
Të pastrehët vijnë nga klasa e papunë, dhe jo vetëm. Të rinjtë nga familjet e prishura, pa marrëdhënie personale ose marrëdhënie pune të rregulltë, janë të irrituar dhe përfundojnë në huliganizëm ose përdorimin e lëndëve narkotike dhe banesë për ta bëhet një stacion treni, një kopësht publik ose një shtëpi e shkatërruar. Ndër të pastrehët bëjnë pjesë edhe të moshuar, të cilët janë braktisur nga të afërmit e tyre dhe kanë mungesë të një shtëpie të qëndrueshme. Të ardhurat janë të pamjaftueshme për jetesë normale ose akomodim në shtëpi të moshuarish, dhe janë të detyruar të jetojnë në lagje të mjerueshme dhe bodrume të pista.
Emigranti zakonisht vjen nga vendet e Ballkanit, Europës Lindore, Afrikës ose Azisë, i cili është goditur kryesisht nga varfëria, lufta ose problemet e brendshme politike dhe sociale. Të themi këtu se emigrimi është fenomen shumë i theksuar dhe i njohur për shqiptarët mbas vitete ’90 dhe kryesisht për të rinjtë shqiptarë këto vitet e fundit. Njeriu largohet nga vendlidja e tij dhe shkon në një vend që konsiderohet më i përparuar dhe më i fuqishëm, shpesh për një copë bukë. I huaj për vendin dhe njerëzit, punon në kushte çnjerëzore, shfrytëzohet, pa sigurime shoqërore, për një pagë të ulët, në kushte të vështira pune, shumë herë në gjendje të rrezikshme për jetën e tij.
Në çdo moment ai rrezikon të pushohet nga puna e tij, sigurisht pa pretenduar asnjë dëmshpërblim, dhe kërcënohet me dëbim nga vendi dhe me një të riatdhesim të dhunshëm, sa herë që i huaji fatkeq guxon të ankohet për padrejtësitë që ai përjeton.
Kisha është veçanërisht e ndjeshme ndaj vetmisë dhe mënjanimit të njerëzve. Në fund të fundit, ajo e tregon atë çdo ditë, në të gjithë botën, në mënyrë praktike me anë të përkujdesjes së saj sociale në shtëpitë për të moshuarit ose jetimoret, vizita baritore etj. Përveç kësaj, ka arsye serioze teologjike pse Kisha e trajton njeriun në një mënyrë shumë të ndryshme nga lëmoshat indivuduale ose bamirësitë shtetërore.
Por edhe tërësia e Kishës ka për detyrë të tregojë qëndrimin njeridashës ndaj të gjitha këtyre grupeve të njerëzve në thonjëza të braktisur, të mënjanuar dhe të vetmuar. I afërmi, për të cilin foli Krishti, është çdo njeri që vuan dhe mundohet.
Për të kapërcyer vetminë, ekziston një rrugëdalje që kërkon sakrificë dhe humanizëm. Lënia mënjanë e egoizmit dhe e egocentrizmit tonë, është mënyra e vetme për t’u lidhur me bashënjeriun dhe Zotin. Krishti është i vetmi “mik” i vërtetë që mund t’i japë kuptim jetës së një njeriu të vetmuar sepse Ai vet, si njeri, e përjetoi këtë ndjenjë në Kryq.
Jizu Krishti është Ai që na ka dashur dhe na do. Nuk është indiferent dhe apatik si hyjnitë mitologjike të panteonit të lashtë Grek, që jetuan duke u argëtuar apo luftuar me njëri-tjetrin. Nuk është as si Perëndia i Judaismit, i cili komunikoi me ndërmjetësimin e ligjit të Moisiut dhe fjalës së profetëve. Ai është përmbushja dhe premtimi i ligjit të Moisiut dhe fjalës profetike. Perëndinjeriu lindi si i huaj dhe i varfër brenda një grazhdi, kur Hyjlindësja u detyrua të lëvizë për regjistrimin e familjes së tyre. Ai i shpëtoi masakrës së foshnjave nga Herodi dhe iku në Egjiptin e largët si refugjat. Ai u rrit duke punuar me duart e veta si marangoz në punishten e varfër të kujdestarit të tij Jozif dhe u rrit në një shtëpi të përulur dhe i pa arsimuar. Nxënësit e tij ishin njerëz të zakonshëm të popullit, kryesisht peshkatarë dhe në jetën e tyre ata mbetën të persekutuar nga pushteti, nga politika e pushtuesve romakë dhe nga mësuesit fetarë të atdheut të tyre.
Një Dishepull e tradhtoi dhe një Dishepull tjetër e mohoi Atë, ndërsa po gjykohej. Ai u trajtua si i huaj nga bashkëkombasit dhe nga pushtuesit e huaj të tokës së Tij. Ai u gjykua në mënyrë të paligjshme dhe u dënua padrejtësisht me vdekje, me një vdekje të frikshme dhe të dhimbshme. Sikur të mos mjaftonte martirizimi në Kryq, I ruanin edhe varrin.
Krishti si Perëndinjeri ka bërë gjithçka që çdo qenie njerëzore mund të përjetojë mbi tokë. Ai përjetoi gjithçka përveç mëkatit. Si një njeri i përsosur ai kishte të gjitha pasionet njerëzore (urinë, etjen, lodhjen, dhimbjen, etj.), ashut siç na përshkruhet tek Ungjijtë, por njekohësisht duke mbetur pa mëkat si një Zot i përsosur.
Perëndinjeriu është njeridashës. Ai jetoi vetminë gjatë gjithë jetës së Tij dhe në kryq. Ai përjetoi ankth dhe agoni në kopshtin e Gjetsemanisë duke u lutur për pësimin që do të vinte, në Pretor i tallur dhe sipër Golgotha duke pësuar i vetmuar. I ra shorti i emigrantit, i të huajit dhe i refugjatit që prej lindjes së Tij. Ai e ndjeu fatin e të pastrehëve: “Biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet” (Mat. 8:20).
Ai e njohu djersën e punës dhe kuptoi dhimbjen e papunësisë nga komuniteti i varfër i peshkatarëve ku bënin pjesë nxënësit e Tij dhe ndërkohë luftonin dhe mundoheshin, por shumë herë rrjetat e tyre ngelnin bosh. Perëndinjeriu nuk është një Perëndi apatik dhe indiferent, por një dashamirës dhe njeridashës. Drejt Tij mund të rendë me shpresë dhe besim çdo person që përjeton vetminë, ankthin, stresin, papunësinë, mënjanimin. Perëndinjeriu është shumë më afër nesh sesa mund të duket çdo qenie tjetër njerëzore…