Apostull e Ungjillor Llukai. Dëshmor Marini nga Tarsi. Oshënare Efrosina. Petro i Cetinjes
E premte, 18 tetor 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Apostull e Ungjillor Llukai. Dëshmor Marini nga Tarsi. Oshënare Efrosina. Petro i Cetinjes.
– APOSTULL E UNGJILLOR LLUKAI –
Shën Llukai vinte nga qyteti i Antiokisë, ka shumë mundësi, nga një familje pagane. Që në rininë e tij përparoi në dije dhe studimin e shkencave dhe arteve. Udhëtonte kudo në botë që të shuante etjen për dije dhe shkëlqeu në fushën e mjekësisë dhe në artin e pikturës. Përveç gjuhës greke, të cilën e zotëronte mjaft mirë, ashtu siç e dëshmon Ungjilli i tij, njihte gjithashtu edhe hebraishten dhe sirishten (aramaishten).
Një traditë kishtare raporton se ai bënte pjesë në grupin e të 70-ve që Zoti dërgoi dy nga dy për të shpallur para Tij shpëtimin e qyteteve dhe të fshatrave. Ishte në Jerusalem kur Krishti pësoi, dhe mëngjesin e Pashkës, ai udhëtonte me Kleopën (30 tetor) drejt Emausit, i trishtuar dhe i zbrazët për humbjen e Mësuesit. Por ky trishtim u shndërrua në gëzim të patreguar atëherë kur Krishti, që u shfaq pa u njohur prej tyre, iu zbuloi, në thyerjen e bukës, se ishte ngjallur (Lluk. 24.35).
Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, ditën e Pentikostisë, Llukai qëndroi për disa kohë në Jerusalem me apostujt e tjerë, pastaj u kthye në Antioki, ku tashmë qëndronin disa apostuj të tjerë. Disa tregojnë se, kur apostulli qëndroi në Sebasti (Samari) për të predikuar Lajmin e Mirë, ai mori dorën e djathtë të shën Joan Pagëzorit dhe e solli në atdheun e tij. Në Antioki mund të jetë takuar me Pavlin, gjatë udhëtimit të dytë misionar të korifeut (rreth vitit 50) dhe që andej ai mund ta ketë shoqëruar deri në Greqi.
Megjithatë, një traditë tjetër tregon se Llukai nuk e njohu Zotin kur jetoi në tokë, por takoi Pavlin në Tebë të Beotisë, nën mbretërimin e Klaudit (rreth vitit 42), teksa kujdesej për të sëmurët. Përmes fjalëve të tij u bind se e vërteta absolute, të cilën e kërkonte vite më parë, ishte Krishti. Braktisi pa ngurruar tërë të mirat, la mjekësinë e trupit për t’i shërbyer asaj të shpirtit, për t’u bërë pas Pavlit, mjek shpirtrash. Ndoqi apostull Pavlin në udhëtimet e tij misionare, nga Troas deri në Filipi, dhe Pavli e la Llukain në këtë qytet, me qëllim që të konsolidonte bashkësinë kishtare të sapoformuar. Qëndroi shumë vjet në Maqedoni dhe, kur Pavli vizitoi përsëri Filipinë në udhëtimin e tij të tretë (viti 58), e dërgoi Llukain në Korinth për të mbledhur ndihmat e besimtarëve për të varfrit e Jerusalemit. U kthye në qytetin e shenjtë.
Kur Pavli u arrestua dhe u transferua në Qesari të Palestinës, Llukai nuk e braktisi, por e ndoqi deri në Romë, para gjykatës së Cezarit, duke duruar tërë vështirësitë e udhëtimit, të cilat i përmend në fund të Veprave të Apostujve (27-28).
Në Romë, nën drejtimin e Pavlit, Llukai hartoi Ungjillin e tij dhe Veprat e Apostujve, kushtuar Theofilit, qeveritarit të Akaisë, i cili ishte bërë i krishterë. Duke shtuar detaje që nuk njihen në dy ungjijtë e parë, ai tregon jetën e Shpëtimtarit, duke nënvizuar veçanërisht mëshirën dhe dhembshurinë e tij kundrejt mëkatarëve. Dhe te Veprat e Apostujve, pasi raporton ngjarjet që tregojnë themelimin e Kishës në Jerusalem, ai nënvizon në veçanti veprat apostolike të mësuesit të tij Pavël.
Mbas dy vjetësh burgimi në Romë, Pavli u la i lirë dhe rifilloi marshimet e tij apostolike, i ndjekur nga Llukai. Por pak më vonë, Neroni shpalli persekutimin kundër të krishterëve. Jeta e Pavlit ishte në rrezik dhe u kthye për herë të dytë në kryeqytet që të forconte besimtarët. Këtë herë e arrestuan dhe e vunë në zinxhirë, në kushte edhe më të mundimshme se herën e parë. Llukai i qëndroi besnik, ndërkohë që të tjerë e kishin braktisur (II Tim. 4.11), ka shumë mundësi të ketë ndjekur edhe martirizimin e tij, por nuk e ka dhënë dëshminë me shkrim.
Pas vdekjes së lavdishme të apostullit të kombeve, Llukai mori udhën për në Itali, Dalmaci dhe Maqedoni, pastaj që prej andej shkoi në Akai. Tregohet se në pleqërinë e tij ai u kthye në Egjipt për të ungjillëzuar paganët, ndonëse kaloi shumë sprova. Mund të ketë shkuar në Tebaidë dhe të ketë dorëzuar shën Avilin, episkopin e dytë të Aleksandrisë.
Kur u kthye në Greqi, Llukai u bë episkop i Tebës në Beoti, dorëzoi shumë priftërinj dhe dhjakonë, themeloi kisha dhe shëroi me anën e lutjes të sëmurët. Në moshën 84 – vjeçare, u kap nga idhujtarët dhe, si e therën të gjallë, vdiq i varur mbi kryq në një ullishte. Më pas, falë miros mrekullibërëse që dilte nga varri i tij, ndodhën shumë mrekulli, në mënyrë të veçantë ajo shëronte sëmundjet e syve.
Shumë vite më vonë, më 3 mars 357, perandori Konstanc, biri i shën Konstandinit të Madh, dërgoi shën Artemin, dukën e Egjiptit (20 tetor) në Tebë, për të marrë pjesë në transferimin e lipsaneve të shenjta të apostullit Lluka në kishën e Apostujve në Konstandinopojë, dhe t’i vendoste nën Tryezën e shenjtë, bashkë me ato të apostujve Andrea dhe Timothe.
Përveç kësaj, tradita e Kishës raporton se shën Llukai ishte i pari që pikturoi ikona. Ai pikturoi dhe ikonën e Hyjlindëses, kur ajo ishte ende mbi tokë. Hyjlindësja e priti me gëzim dhe i tha: “Hiri i atij që u lind prej meje qoftë në të!” Më pas, shën Llukai pikturoi edhe ikona të tjera të saj dhe të apostujve, duke i lënë Kishës këtë traditë të shenjtë e të perëndishme të nderimit të ikonave të Krishtit dhe shenjtorëve të tij, prandaj edhe nderohet si mbrojtësi i ikonografëve.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.