E enjte, 14 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës.
Apostull Filipi. Oshënar Grigor Pallamai. Dëshmor i ri Konstandini nga Hidra.
– APOSTULL FILIPI –
Shën Filipi ishte nga Betsaida e Galilesë, nga i njëjti vend me apostujt Petro dhe Andrea. Ishte kaq i kujdesshëm në studimin e Ligjit dhe të profetëve, sa i përbuzi të tëra përkujdesjet e botës dhe qëndroi i virgjër gjatë gjithë jetës. Pak pas pagëzimit të tij nga Joani dhe thirrjes së shën Andreas, Zoti Krisht takoi Filipin dhe i tha: “Më ndiq!” Ai menjëherë e ndoqi dhe shkoi të gjente Nathanailin për t’i thënë: “E gjetëm atë, për të cilin foli Moisiu në Ligj dhe profetët; është Jisui, biri i Josifit nga Nazareti” (Jn 1.45). Më pas, ai e ndoqi besnikërisht Jisuin gjatë predikimit të tij. Ishte ai që e pyeti Mësuesin: “Zot, na trego Atin, dhe kjo na mjafton”. Dhe Krishti iu përgjigj me trishtim: “Kaq kohë jam me ju dhe nuk po më njeh, o Filip! Ai që më ka parë mua, ka parë Atin” (Jn. 14.9).
Pas Ngjitjes së Zotit tonë në qiej dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, Filipit i ra në short të shkonte e të ungjillëzonte krahinat e Azisë (pjesa perëndimore e Azisë së Vogël). I shoqëruar nga apostull Vartholomeu (11 qershor) dhe nga e motra, Mariamni (17 shkurt), përshkoi Lidinë dhe Misinë, duke shpallur Ungjillin mes shumë sprovash. Duroi fshikullime, burgosje dhe goditje me gurë nga paganët, pa e humbur kurrë gëzimin dhe shpresën te Krishti që u jepte zemër.
Gjatë kalimit të tyre, shumë u bënë të krishterë dhe arritën sa të kthenin në besim edhe vetë gruan e kryekonsullit të Azisë, Nikanorit. Pasi takuan shën Joan Theologun, Filipi u kthye në Ierapojë, ku u zu rob nga paganët. E hoqën zvarrë në sheshin qendror dhe e kryqëzuan me kokën poshtë bashkë me shën Vartholomeun. Me gjithë vuajtjet, shenjti lutej nxehtësisht.
Kur dha shpirt, papritur u hap toka dhe gëlltiti shumë paganë, priftërinjtë e tyre dhe vetë kryekonsullin. U tmerruan të pabesët e tjerë dhe vrapuan drejt Vartholomeut dhe Mariamnës, që ishin ende gjallë. I zbritën poshtë nga kryqi dhe kërkuan t’i pranonin në kishën e Krishtit. Trupin e shën Filipit e varrosën denjësisht dhe si episkop të vendit vunë Stakin, ndërsa shën Vartholomeu dhe shën Mariamni vazhduan predikimin e tyre, njëri në Indi dhe tjetra në Likaoni.
– OSHËNAR GRIGOR PALLAMAI –
Ati ynë i shenjtë Grigori lindi në Konstandinopojë, më 1296. Prindërit e tij, aristokratë që emigruan nga Azia e Vogël për shkak të invazionit osman, bënin pjesë në oborrin e perandorit besëmirë, Androniku II Paleologu (1282-1328). Me gjithë funksionet e tij të larta, i ati bënte një jetë plot lutje. Madje dhe kur ndodhej në senat, i ndodhte që të mos e dëgjonte perandorin kur i drejtohej, sepse ishte i zhytur në lutje. Vdiq kur Grigori ishte i ri, pasi veshi skimën murgërore. Edhe e shoqja donte të bëhej murgeshë, por e shtyu për pak kohë, që të siguronte edukimin e 7 fëmijëve të saj. Më i madhi, Grigori, u besua te mësuesit më të mirë të shkencave dhe pas disa vjetësh arriti një zotërim të shkëlqyer të arsyetimit filozofik, në atë pikë sa mësuesi i tij besonte se dëgjonte vetë Aristotelin, kur ai fliste. Me gjithë sukseset e tij intelektuale, i riu kishte interes të vërtetë për gjërat e Perëndisë. Vizitonte murgjit e famshëm të kryeqytetit dhe kishte si atë shpirtëror Theoliptin e Filadelfisë (1250-1325), i cili e futi në vigjilencën e shenjtë dhe në lutjen e zemrës.
Rreth vitit 1316, Grigori vendosi të braktiste kotësitë e botës dhe tërhoqi për në jetën murgërore të ëmën, dy motra, dy vëllezër dhe një numër të madh shërbëtorësh. Kur arriti në Malin Athos, Grigori dhe dy vëllezërit e tij shkuan në rrethinat e Manastirit të Vatopedit, nën drejtimin e jeront Nikodhimit, që kishte ardhur nga Mali i Shën Afksentit. I ushtruar që fëmijë në praktikimin e virtyteve themelore, si: bindja, përulësia, butësia, kreshma, agripnitë dhe ashpërsi të tjera të ndryshme, që ia nënshtrojnë trupin shpirtit, djaloshi i ri përparoi shpejt në aktivitetin e shenjtë të lutjes.
Ditë e natë i drejtohej Perëndisë me lot, duke thënë: “Ndriço errësirën time!”. Pas ca kohësh Hyjlindësja, së cilës ia besonte problemet që i ri, i dërgoi shën Joan Theologun që t’i premtonte mbrojtjen e tij në këtë jetë dhe në tjetrën. Por, pas 3 vjetësh, vdekja e parakohshme e vëllait të tij, Theodhosit, e më pas edhe ajo e Nikodhimit, e shtynë Grigorin dhe vëllain tjetër, Makarin, të shkonin në Lavrën e Madhe. Grigori u caktua psalt dhe fitoi admirimin e murgjve për zellin në virtytet e shenjta ungjillore. Bënte jetë të ashpër, sa ngjante se ishte çliruar nga pesha e trupit: mund të qëndronte pa fjetur për 3 muaj. I përsosur në jetën e përbashkët, shpirti i tij ishte i etur për ëmbëlsinë e vetmisë; prandaj dhe u tërhoq, pas 3 muajsh, në Skitin e Glosias, nën drejtimin e një murgu të shquar, i quajtur Grigori i Bizantit.
Nga pastrimi i pasioneve, mundi, përmes lutjes, të ngrihej drejt soditjes së mistereve të krijimit. Falë vetmisë dhe qetësisë së brendshme (isihias/hezikias), Grigori e përqendroi në çdo kohë mendjen e tij thellë në zemër, që të kërkonte emrin e Zotit Jisu me pendim, në atë mënyrë sa u bë i tëri lutje dhe lot që kullonin nga sytë e tij si ujëvarë.
Megjithatë, sulmet e shpeshta të piratëve turq e detyruan Grigorin dhe murgjit të braktisnin banesën e tyre. Së bashku me 12 murgj, shenjti vendosi të shkonte për t’u falur në Vendet e Shenjta dhe të gjente strehë në Malin Sina, por i dolën pengesa dhe s’arriti dot të realizonte këtë plan. Ndaj qëndroi për disa kohë në Selanik, ku mori pjesë në aktivitetet e një rrethi shpirtëror, të frymëzuar nga patriarku i ardhshëm, Isidori, i cili, duke përfituar nga përvoja e murgjve, u përpoq të përhapte praktikën e lutjes së Jisuit te besimtarët.
Më 1326, u hirotonis prift, pasi mori në një vegim sigurinë se ky ishte vullneti i Perëndisë. Më pas u nis për të themeluar një skit rreth Verias (Berries), ku gjatë 5 vjetëve u dha në asketizëm të ashpër: 5 ditë në javë kreshmonte, me agripni dhe lutje me lot dhe shfaqej vetëm të shtunën dhe të dielën, për të celebruar Liturgjinë Hyjnore, për të ngrënë bashkë me vëllezërit dhe që të bisedonte për tema shpirtërore me shokët e tij të asketizmit. Vazhdoi kështu të lartësohej në soditje dhe të hynte në një bashkim të ngushtë me Perëndinë në zemër.
Pas vdekjes të së ëmës, u kthye në Konstandinopojë dhe i mori motrat e tij dhe i solli në një skit pranë të vetit. Por qetësinë s’e pati për shumë kohë, sepse krahina shkatërrohej vazhdimisht nga sulmet e serbëve. Vendosi të kthehej në Athos, në qelinë e Shën Savës, pak më lart se Lavra. Ky qëndrim i ri ishte për të rasti për t’u izoluar më shumë nga njerëzit, për të biseduar me Perëndinë. Shkonte në raste të jashtëzakonshme në manastir dhe komunikonte me vizitorët e tij të rrallë vetëm të dielën dhe ditët e festave. Kështu, nga soditja e jashtme, Grigori arriti në vizionin e Perëndisë, në dritën e Shpirtit të Shenjtë dhe hyjnizimin, premtuar nga Krishti dishepujve të shkëlqyer.
Një ditë pa në ëndërr sikur ishte i mbushur me një lloj qumështi që vinte nga qielli, i cili, pasi e përshkoi, u shndërrua në verë dhe mbushi atmosferën përreth me erë të këndshme. Kjo ishte një shenjë, e cila i zbuloi se kishte ardhur tashmë koha t’u mësonte vëllezërve misteret që Perëndia i kishte zbuluar. Hartoi atëherë disa shkrime asketike dhe u caktua igumen i Manastirit të Esfigmenit (1335). Por zelli i tij dhe kërkesat shpirtërore që kishte nuk u kuptuan nga 200 murgjit që jetonin atje, kështu që pas një viti u kthye në skitin e vet.
Në atë periudhë, një murg nga Kalabria, Varlaami, kishte fituar famë të shkëlqyer në qarqet intelektuale të kryeqytetit, falë shkathtësisë për spekullimet arbitrare. I pëlqente, veçanërisht, të komentonte shkrimet mistike të shën Dionis Areopagjitit (3 tetor), por u jepte një interpretim filozofik, duke e bërë njohjen e Perëndisë objekt të arsyetimeve të thata dhe jo të përvojës. Pasi kishte njohur disa murgj të thjeshtë, ky humanist i brishtë ishte skandalizuar nga metodat e tyre të lutjes dhe vendit që i linin elementit të ndjenjës në jetën shpirtërore.
Varlaami gjeti rast për të shpifur për murgjit dhe t’i akuzonte për herezi. Hezikastët thirrën Grigorin, i cili hartoi shumë ligjërata polemike, në të cilat i përgjigjej akuzave të Varlaamit, duke e vendosur spiritualitetin murgëror në një sintezë të gjerë dogmatike. Ai tregonte se asketizmi dhe lutja janë shtegu i çdo misteri të Shpengimit dhe se janë mjet për këdo që kërkon të lulëzojë hiri që mori në pagëzim. Ai mbronte të mirën e themeluar nga metodat e përdorura nga hezikastët, për të përqendruar mendjen në zemër: sepse, pas Mishërimit, në trupat tanë të shenjtëruar nga misteret dhe nga Eukaristia e Trupit të Krishtit duhet të rikërkojmë hirin e Shpirtit.
Ky hir është lavdia e vetë Perëndisë, i cili, duke buruar nga trupi i Krishtit në ditën e Shpërfytyrimit (Metamorfozës), i çuditi dishepujt (Matth. 17) dhe që, duke shkëlqyer tani në zemrën e pastruar nga pasionet, na bashkon vërtet me Perëndinë, na ndriçon, na hyjnizon dhe na jep siguri të lavdisë që do të shkëlqejë në trupin e shenjtorëve pas Ngjalljes së përgjithshme. Duke siguruar kështu realitetin e plotë të hyjnizimit, Grigori nuk mohonte që Perëndia është absolutisht transhendent dhe i panjohur në esencën e Tij.
Në gjurmët e Etërve të shenjtë, por në mënyrë më të qartë, ai dallon te Perëndia esencën, në të cilën nuk merret pjesë dhe energjitë e përjetshme, krijuese dhe providenciale, përmes të cilave Zoti i bën qeniet e veta të marrin pjesë në Qenien, në Jetën dhe në Dritën e Tij, sidoqoftë pa futur asnjë ndarje në unitetin e natyrës hyjnore.
Për shën Grigorin, Perëndia nuk është, pra, koncepti i filozofëve, por është Dashuri, Person i gjallë dhe “zjarr që konsumon”, siç mëson Shkrimi, i cili bën gjithçka për të na hyjnizuar. Fillimisht, të njohura nga autoritetet e Athosit në Tomosin Agjiorit, përkufizimet e ndritura të shenjtit u adoptuan nga Kisha, e cila dënoi Varlaamin dhe bashkë me të humanizmin filozofik gjatë dy sinodeve, të mbledhura në Shën Sofi, më 1341.
Varlaami u dënua dhe gjeti strehë në Itali, por, megjithatë, polemika nuk ishte mbyllur. Grigori, i cili për të shkruar ligjëratat e tij kishte jetuar disa kohë i izoluar në një shtëpi në Selanik, gjeti me vështirësi kohë dhe u kthye në skitin e tij në Athos, sepse një nga miqtë e vjetër, Akindini, rimerrte thelbin e argumenteve të kalabrezit, duke e akuzuar Grigorin se po fuste risi me dallimin mes esencës dhe energjive. Fillimisht, arbitër mes Varlaamit dhe Grigorit, Akindini ishte një nga konservatorët formalë, të cilët kënaqeshin me përsëritjen e formulave të thjeshta për të dënuar “humanistët”, pa kërkuar të depërtonin në frymën e traditës.
Në atë kohë shpërtheu edhe një luftë e tmerrshme civile nga rivaliteti mes Dukës së madh Aleksi Apokavkos dhe ambiciozit Joan Kantakuzeni, mik i Pallamait. Patriarku Joan Kalekasi mori anën e Apokavkosit dhe, nëpërmjet Akindinit, i ngriti Grigorit një proces, pas të cilit e shkishëruan shenjtin dhe e dënuan me burgim. Gjatë 4 viteve të izolimit, Grigori nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij: mbajti një korrespodencë të gjerë dhe hartoi një fjalim të rëndësishëm kundër Akindinit.
Rreth vitit 1346, duke parë se përparësia po i kalonte Kantakuzenit, regjentja Ana e Savuasë mori mbrojtjen e shenjtit dhe e shkarkoi patriarkun, ditën e hyrjes triumfale të Kantakuzenit në kryeqytet. Ky emëroi si patriark Isidorin (1347-1350) dhe mblodhi një sinod të ri për të drejtësuar isihastët (hezikastët). Polemika gjeti një zgjidhje përfundimtare më 1351, gjatë mbledhjes së një sinodi të tretë kundër humanistit Niqifor Gregora. Në Tomosin sinodal, doktrina e shën Grigor Pallamait për energjitë e pakrijuara dhe për natyrën e Hirit u njoh si rregull i besës për Kishën Orthodhokse.
Isidori mori pjesë në dorëzimin e një sërë episkopësh të rinj dhe i besoi Grigorit fronin e Selanikut (mars 1347). Por, meqë qyteti ishte në duart e partisë zelote, kundërshtare e Kantakuzenit, mitropoliti i ri nuk hipi dot në fron. I strehuar për disa kohë në Limnos, ku tregoi devotshmëri heroike gjatë një epidemie, më në fund Grigori mundi të hynte në qytet, i shoqëruar me brohoritje, si Krishti kur hyri në Jerusalem.
Në veprimtaritë e tij të shumta baritore, besimtarët përfituan nga hiret e shumta që kishte fituar në vetmi. Bëri të shkëlqente në qytet drita që i ndriçonte zemrën dhe shpërndau me bollëk mësimet e tij shpirtërore, duke këmbëngulur në lidhjen e ngushtë që duhet të bashkojë lutjen dhe jetën e mistereve në jetën e çdo të krishteri. Me fuqinë e Krishtit, bëri shumë mrekulli dhe shërime.
Gjatë një udhëtimi për në Bizant, ra në duart e turqve dhe u burgos për një vit në Azinë e Vogël. Liria e pjesshme që kishte dhe fryma e tij e hapur i lejuan të hynte në biseda theologjike miqësore me theologë myslimanë dhe me birin e emirit Orkham. I liruar nga një shpërblim që erdhi nga Serbia, u kthye në Selanik, ku vazhdoi veprën e tij baritore dhe çudibërëse. U sëmur për një kohë të gjatë dhe, pak para fjetjes, pa shën Joan Gojartin t’i shfaqej e ta ftonte të bashkohej me korin e hierarkëve të shenjtë, kur do të kremtohej festa e tij.
Në vitin 1359, shenjti dorëzoi shpirtin te Perëndia. Kur dha shpirt, fytyra i shkëlqente plot dritë si shën Stefanit (Vep. 6-7). Perëndia tregoi, në personin e shërbëtorit të tij, të vërtetën e doktrinës së tij mbi realitetin e hyjnizimit nga drita e pakrijuar e Shpirtit të Shenjtë.
Shën Grigori u kanonizua më 1368 dhe, për mrekullitë e tij, konsiderohet si mbrojtësi i dytë i Selanikut, pas shën Dhimitrit.