09 Αυγούστου, 2024

Apostull Matthia/Matia. 10 dëshmorët në Portën e Bronztë. Oshënar Psoi. Dëshmore grua Patricia

Διαδώστε:

E premte, 9 gusht 2024 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E HYJLINDËSES MARI (1 – 15 gusht)
Apostull Matthia/Matia. 10 dëshmorët në Portën e Bronztë. Oshënar Psoi. Dëshmore grua Patricia.
– APOSTULL MATTHIA/MATIA –
Se si Matia u bë një nga 12 apostujt, e mësojmë nga Veprat e Apostujve. Pas tradhtisë së Judës dhe Ngjitjes në Qiell të Zotit tonë, të 11 nxënësit bashkë me Shën Marinë ndodheshin në sallën e sipërme. Atëherë Petroja propozoi që të zgjidhej një tjetër në vend të Judës. Ai do të zgjidhej nga radhët e atyre që pasonin dhe i shërbenin Krishtit.
Propozimi i tij u pranua dhe u paraqitën dy kanditatët: Josifi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia. Atëherë duke u lutur thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij”. Atëherë hodhën short dhe shorti ra mbi Matian dhe ai iu shtua të 11 apostujve. Për jetën e mëpastajme të Matias dimë se predikoi Ungjillin në Etiopi, ku dhe u martirizua.
* * * * *
– 10 DËSHMORËT NË PORTËN E BRONZTË (9 murgj dhe Maria, patrice) –
Perandori Leoni III e intepretoi si një paralajmërim të kobshëm shpërthimin vullkanik në ishullin e Santorinit (726 ose 730) dhe përfitoi nga rasti për të shfaqur urrejtjen e tij ndaj ikonave të shenjta. Me pretekstin se do të “qetësonte zemërimin hyjnor”, nxori një edikt që ndalonte nderimin e tyre. Ushtarët u dërguan në Portën e Bronztë (Halki), që mundësonte vajtjen në pallat, me urdhrin të hiqnin ikonën e madhe, që paraqiste Krishtin në këmbë, dhe ta flaknin në zjarr. Një ushtar i Gardës Perandorake mori një shkallë dhe u ngjit për të hequr ikonën. Disa të krishterë aty të pranishëm, u sulën dhe e tërhoqën shkallën. Ushtari ra përtokë dhe turma e zemëruar e vrau në çast, duke thirrur me zë të lartë mallkime dhe fyerje kundër perandorit. Kur Leoni mësoi ç’kishte ngjarë, u inatos shumë dhe urdhëroi t’u pritej koka të gjithë përgjegjësve për këtë akt rebelimi. Por përgjegjësit ishte e vështirë të dalloheshin, pasi kishte qenë e pranishme një turmë e madhe, kështu që u arrestuan vetëm 9 murgj.
Pasi i kamxhikuan pa mëshirë, i futën në burg, nga ku dilnin vetëm një herë në ditë nga burgu, për t’u dhënë 500 të rrahura me purtekë. Atletët trima e duruan këtë ndëshkim për 8 muaj. Leoni, kur pa me sytë e tij durimin e tyre të jashtëzakonshëm, urdhëroi t’u bëhej një vragë në fytyrë me hekur të skuqur, pastaj t’u pritej koka në një vend të quajtur Kinegesion, së bashku me një patrice të quajtur Maria. Pasi i vranë, trupat ua hodhën në det. Këto ngjarje të ndodhura pas shkarkimit të patriarkut shën Gjerman (12 maj), shënjuan fillimin e persekutimit kundër ikonave të shenjtave dhe mbrojtësve të tyre.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: