Arkimandriti Anastas Mamaj u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Shqipërisë si Ndihmës ipeshkvi i ri i Krugisë
Njoftim
Sinodi i Hirshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën kryesinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas, u mblodh sot më 9 dhjetor 2024 dhe zgjodhi me shumicë absolute votash Arkimandritin Anastas (Mamaj) si Episkop Ndihmës të Episkopatës së dikurshme të Krujës, i cili, sipas Statutit të Kishës, do të jetë anëtar i Sinodit të Hirshëm.
Hirotonisja e Episkopit të sapozgjedhur do të bëhet më 15 dhjetor 2024, në Katedralen Ngjallja e Krishtit, në Tiranë.
Jetëshkrim i shkurtër
Episkopi Ndihmës i sapozgjedhur i Krujës, z. Anastas (para Pagëzimit, Enkeled Mamaj), lindi më 6 gusht 1979 në Shqipëri, në qytetin e Vlorës, ku kreu shkollën nëntëvjeçare dhe të mesme. Në vitin 1999 ndoqi studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës. U diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të qytetit të lindjes dhe mori diplomë në Administrim Biznes (MSc) gjatë viteve 2001-2005. Në vitet 2005-2009 ka patur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2017 ka patur poste drejtuese në Union Bank.
Njëkohësisht, nga viti 2006 deri në vitin 2014 ka qenë anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat, deri në ndarjen e tij nga jeta. Në vitin 2017 ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe më vonë në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar LOGOS, ku mori diplomë (BSc) në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare në vitin 2023.
U hirotonis Dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas. Më 20 tetor 2019 u hirotonis prift dhe më 9 gusht 2020 mori titullin e Arkimandrit.
Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës së Shqipërisë. Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit Anastas në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Gjithashtu, është këshilltar në Institucionin Arsimor “Frymë Dashurie”. Nga data 3 dhjetor e këtij viti shërben edhe si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Përveç gjuhës amtare, ai flet edhe gjuhën greke, italiane dhe angleze.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.