Kisha Orthodhokse ka një traditë të pasur në ikonografi, si edhe në artet e tjera kishtare: muzikë, arkitekturë, skulpturë, qendisje, poezi, etj. Kjo traditë artistike, është bazuar në doktrinën orthodhokse të krishterë të krijimtarisë njerëzore, që është e rrënjosur në dashurinë e Perëndisë për njeriun dhe botën në krijim.
Meqenëse njeriu është krijuar sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe meqenëse Perëndia e deshi kaq shumë njeriun dhe botën, sa që i krijoi, i shpëtoi dhe i lavderoi ata me anë të ardhjes së Tij në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, shprehjet artistike të njeriut dhe bekimet dhe frymëzimet e Perëndisë, bashkohen në një krijimtari të shenjtë artistike, e cila me të vërtetë shpreh të vërtetat më të thella të vizionit të krishterë për Perëndinë, njeriun dhe natyrën.
Ikona është arritja më e lartë artistike e orthodhoksisë. Ajo është një lëçitje e Ungjillit, një mësim doktrinal dhe një frymëzim shpirtëror me linja dhe ngjyra.
Ikona tradicionale orthodhokse nuk është një pikturim i shenjtë. Nuk është një pikturim portretesh i disa shenjtorëve ose ngjarjeve të krishtera, në një mënyrë “fotokopjeje”. Përkundrazi, ajo është shprehja e realitetit të përjetshëm dhe hyjnor, shprehja e rëndësisë dhe e qëllimit të personit ose ngjarjes së pikturuar. Në lirinë e frymëzimit hyjnor, ikona paraqet subjektet e saj në të njëjtën kohë njerëzore dhe përsëri “plot me Hyjninë”, tokësore dhe përsëri qiellore, trupore dhe përsëri shpirtërore, “duke mbajtur kryqin” dhe përsëri plot me hir, dritë, paqe dhe gëzim. Në këtë mënyrë ikona paraqet një “realizëm” më të thellë se ai që mund të tregohet në riprodhimin e thjeshtë të jashtësisë fizike të personit apo ngjarjes historike. Kështu, në mënyrën e tyre unike, tipet e ndryshme të ikonave orthodhokse, nëpërmjet formave, stilit dhe mënyrës së tyre të pikturimit, si dhe nëpërmjet përmbajtjes dhe përdorimit aktual në kishë, janë një burim i pashterur zbulese të besimit dhe doktrinës orthodhokse.
Shprehja muzikore ashtu si edhe ikona është një zbulesë e pikëpamjes së krishterë orthodhokse. Por në këtë fushë ka një vështirësi më të madhe për shkak të humbjes në këto vitet e fundit të kuptimit liturgjik dhe shpirtëror të muzikës në kishë. Ashtu si kuptimi teologjik i ikonës tradicionale orthodhokse po rizbulohet, e njëjta gjë duhet të jetë edhe me muzikën orthodhokse. Procesi në këtë të fundit është më i ngadalshëm, më i vështirë dhe më pak i dukshëm tek pjesa më e madhe e njerëzve.
Arkitektura tradicionale orthodhokse gjithashtu shpreh doktrinën e Kishës, veçanërisht në theksimin në “Perëndia me ne” dhe në kungimin e plotë të njeriut dhe botës me Perëndinë, në Krishtin. Përdorimi i kubesë, forma e ndërtesës, vendosja e ikonave, përdorimi i veshjeve, etj., shprehin mësimin e kishës. Arkitektura tradicionale kishtare e Kishës Orthodhokse dhe punimet artistike, janë shprehje e doktrinës së krishterë orthodhokse të krijimit, shpëtimit dhe jetës së përjetshme.
Eshtë një ushtrim i rëndësishëm shpirtëror për të krishterët që të studjojnë ikonat e shenjta dhe himnet e liturgjisë së Kishës. Nga ato mund të mësohet shumë rreth Perëndisë dhe veprave të Tij ndër njerëzit, duke i soditur me kujdes dhe devotshmëri këto shprehje artistike të jetës dhe doktrinës së Kishës (Shih Vëllimin e II në Adhurimin)