22/10/2024 22/10/2024 E martë, 22 tetor 2024 – Shenjtori i ditës. Averki i Jerapojës, i barabartë me apostujt. Evlali i Lapitit. Oshënarët Loti, Rufi. 7 Djemtë e Efesit. – AVERKI I JERAPOJËS, I BARABARTË ME APOSTUJT – Shën Averki ishte episkop i Jerapojës (Ierapolit) në Frigji (pjesa perëndimore e Azisë së Vogël) nën perandorinë e filozofit dhe...
22 Οκτωβρίου, 2024 - 16:15

Averki i Jerapojës, i barabartë me apostujt. Evlali i Lapitit. Oshënarët Loti, Rufi. 7 Djemtë e Efesit

Διαδώστε:
Averki i Jerapojës, i barabartë me apostujt. Evlali i Lapitit. Oshënarët Loti, Rufi. 7 Djemtë e Efesit

E martë, 22 tetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Averki i Jerapojës, i barabartë me apostujt. Evlali i Lapitit. Oshënarët Loti, Rufi. 7 Djemtë e Efesit.
– AVERKI I JERAPOJËS, I BARABARTË ME APOSTUJT –
Shën Averki ishte episkop i Jerapojës (Ierapolit) në Frigji (pjesa perëndimore e Azisë së Vogël) nën perandorinë e filozofit dhe persekutuesit të të krishterëve Mark Aureli (161-180). Ky i fundit kishte urdhëruar që të kremtoheshin në të gjithë perandorinë festa madhështore për nder të perëndive pagane dhe i detyroi të gjithë të merrnin pjesë në to, me qëllim që të dallonte të krishterët që kishin guxim të mos i nënshtroheshin perandorit.
Kur banorët e Ierapolit ofronin sakrificat e tyre dhe jepeshin në shthurrjet e zakonshme të këtyre festave demoniake, Averki u tërhoq në shtëpinë e tij i vetëm dhe i lutej me lot Zotit që ta mëshironte popullin e paditur.
Kështu pati një vizion dhe mori nga një engjëll urdhërin për të prishur tempujt e Apollonit dhe të perëndive të tjera pagane. Plot fuqi nga ky urdhër hyjnor, Averki u ngrit dhe shkoi natën të rëzonte statujat e pashpirt.
Të nesërmen, duke zbuluar këtë spektakël, i cili tregonte kotësinë e kultit të tyre, banorët shpejtuan tek episkopi që ta vrisnin. Ai nuk u largua, por shkoi në treg për t’iu mësuar publikisht besimin e vërtetë. Ky guxim e shtoi tërbimin e turmës, por u ndal kur shenjti shëroi tre të demonizuar me ndihmën e një shkopi që më parë me anë të tij kishte rrëzuar idhujt.
Turma u qetësua, dëgjoi në fillim me frikë e më pas besuan me gjithë shpirt tek Krishti Perëndi. Pesëqind prej tyre u pagëzuan atë ditë. Nuk ishin vetëm banorët e atij qyteti që vrapuan tek shenjti për të mësuar apo shëruar, por edhe ata të krahinave fqinje. Mrekullitë që bëri Averki ishin të shumta, aq sa fama e tij arriti tek perandori në Romë. Mark Aureli e kërkoi shenjtin, pasi vajza e tij, e cila ishte në prag të martesës, vuante nga një frymë e keqe.
Gjatë udhëtimit të tij Averki shpërndau shumë të mira nga mrekullitë që bëri dhe nga fuqia e fjalës së frymëzuar. Kur arriti në Romë, e çuan në pallatin mbretëror ku perandoresha Faustina e priste me ankth e padurim. E bija sa e pa shenjtin pati të dridhura dhe tronditje të dhunshme. Demoni iu lut shërbëtorit të Zotit të mos e mundonte më shumë dhe ta lejonte të kthehej nga kishte ardhur domethënë ashtu si shenjti nga Frigjia. Averki e lejoi dhe e urdhëroi që të merrte me vete një masë gur tempulli që ndodhej në qytet dhe shërbente për kultin e paganëve.
Për çudi, të gjithë banorët të mbledhur pranë tij e panë demonin të dilte nga vajza dhe iu drejtua Azisë duke mbajtur një gur të madh, shenjë e fuqisë së të krishterëve mbi demonët. Si falenderim, perandoresha kërkoi ta mbulonte Averkin me ar, por ai refuzoi, dhe më pas si qëndroi në kryeqytet për të forcuar të krishterët me fjalën dhe mrekullitë e tij, mori urdhër nga Perëndia për të shkuar në Siri.
Në fillim shkoi në Antioki, pastaj në Apame dhe luftoi lavdishëm kundër herezisë së Markionit. Prej andej, çliroi Eufratin, shkoi në Nisib dhe përshkoi gjithë Mesopotaminë për të pastruar nga herezia krahinat ku kishte ende gjurmë.
Asnjë episkop i asaj kohe nuk kishte shpallur fjalën e Perëndisë në këto vende të largëta, prandaj Averkit iu dha edhe emri i barabartë me apostujt. Nga Mesopotamia, ai u kthye në Siliki, Likaoni, Pisidi, dhe u rikthye pas shumë vitesh në atdheun e tij.
Atje u prit me entuziazëm nga grigja e tij.
Vazhdoi të katekizonte, pagëzonte, të shëronte të sëmurë dhe të nxirrte demonë. Shkroi një libër mbi drejtimin shpirtëror për klerin. Pasi përgatiti pasues, shkoi në një mal të lartë për t’u lutur. Bëri të rridhte një burim me ujë të nxehtë dhe iu zbulua dita e fjetjes.
Zbriti atëherë në qytet dhe përgatiti varrin mbi të cilin gjendet i shkruar ky mbishkrim: “Qytetar i një qyteti madhështor, e bëra këtë varr kur isha ende gjallë për prehjen e trupit tim. Emri im është Averki. Jam dishepull i një Bariu të pastër i cili kullot delet e tij në male, lëndina, që shikon gjithçka. Ai më ka mësuar Shkrimet besnike të Jetës, më dërgoi në Romë për të soditur qytetin sovran dhe të shikoj Mbretëreshën e veshur me ar. Pashë këtu një popull që mban vulë të ndritshme. Pashë lëndinat e Sirisë dhe Nisibën e shkëlqyer.
Përshkova Eufratin duke patur gjithmonë si shoqërues Pavlin. Besimi kudo më drejtoi. Kudo më shërbeu një peshk nga burimi i pastër, shumë i madh, që peshkoi një virgjëreshë e pastër. Ajo e jep tek miqtë e saj për ta ngrënë. Ka një verë të këndshme që e jep bashkë me bukën…”. Ky mbishkrim ruhet edhe sot në një muze të Romës.
Si mbaroi përgatitjet për largimin e tij nga kjo botë, mblodhi të afërmit për t’iu thënë lamtumirë, dhe si ngriti sytë e duart drejt qiellit, fjeti për t’u bashkuar me korin e engjëjve.
* * * * *
– OSHËNAR LOTI-
Shën Loti u ushtrua në Egjipt në të njëjtën periudhë me shën Rufin. Tregohet një herë për një vëlla që kishte kryer një faj. Shkoi tek ava Loti i turbulluar, hynte e dilte pa mundur të ulej. Ava Loti i tha: “Çfarë ke, vëlla?” Ai iu përgjigj: “Kam bërë një gabim të madh dhe nuk mund ta pohoj para etërve.” Jeronti i tha: “Rrëfema mua dhe do ta mbaj.”
Atëherë ai i tha: “Rashë në imoralitet dhe për ta bërë këtë u flijova idhujve.” Jerondi e qetësoi dhe i dha zemër: “Ki besim, i tha, nuk ka ndonjë mëkat që ta tejkalojë zemërgjerësinë e Perëndisë, pendimi është i mundshëm. Shko, hyr në shpellë, ha vetëm një herë në dy ditë dhe unë do ta mbaj bashkë me ty gjysmën e fajit tënd.”
Pas tri javësh, ava Loti mori nga Perëndia sigurinë se e kishte pritur pendimin e vëllait. Dhe murgu iu nënshtrua deri në fund të jetës jerondit.
Një ditë, ava Loti u nis për t’i kërkuar këshillë ava Josifit. Pyetjes: “Ç’të bëj që të shpëtoj?”, jerondi tjetër, pasi u ngrit më këmbë, ngriti duart drejt qiellit, gishtërinjtë iu bënë si thika të zjarrta, iu përgjigj: “Nuk mund të bëhesh murg, nëse nuk bëhesh i tëri si ky zjarr që djeg”.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων