EDIELA I E LUKAIT Luka 5, 1-11.
Bindja Ndaj Vullnetit Hyjnor dhe Shpërblimi i Saj
“Për hir të fjalës tënde do t’i hedh rrjetat” v. 34.
Jisu Krishti ndodhet në detin e Tiberiadhës. Shumë popull ka ardhur rreth Tij, që të dëgjojë fjalët e Tija dhe që të shërohet nga sëmundjet e Tija. Biri i Perëndisë komunikon me të gjithë. Por me disa nga dëgjuesit e Tij shfaqet më tepër. Shumë e shikojnë Zotin vetëm së jashtmi, e dëgjojnë dhe mahniten. Por qëndrojnë vetëm në këtë pikë. Disa përparojnë më shumë. Mes tyre është dhe Simon Pjetri.
Simoni me shokët e tij në breg të detit lajnë dhe pastrojnë rrjetat, të vrenjtur, në heshtje, melankolikë, ndërkohë që iu afrua Mësuesi hyjnor, i rrethuar nga turma. Ngjitet në varkë dhe vazhdon mësimin e Tij hyjnor. Dhe kur mbaroi, i drejtohet Simonit dhe i thotë: “Shko drejt thellësisë e hidhi rrjetat për peshkim”. v. 4.Dhe atëherë, ai, i lodhur nga nata e pafrytshme, i përgjigjet: “Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë”. v. 5.
Edhe neve, shpesh herë, Zoti na takon, melankolik dhe të dëshpëruar. Vështirësi individuale, pikëllime familjare, zhgënjime psikologjike dhe përpjekje të pafrytshme na sjellin në pozitën e Pjetrit. Sa herë dhe ne i hodhëm rrjetat, jo vetëm një natë, por ditë dhe muaj dhe vite u munduam, që të arrijmë diçka materiale apo diçka në sektorin tonë shpirtërorë dhe i nxorëm rrjetat krejtësisht të zbrazura? Përpara kësaj situate shpesh herë dëshpërohemi, nuk bëhet asgjë themi, dhe e braktisim përpjekjen.
Por, një ecuri e tillë është aq shumë e kundërt me sjelljen e Simon Pjetrit, kur Zoti i tha t’i hedhë përsëri rrjetat. Simoni nuk mbetet në konstatimin e përpjekjes së tij të pafrytshme tërë natën. Nuk parashtron argumente njerëzore ndaj Mësuesit hyjnor: Domethënë të thoshte, e përshtatshme është nata, nuk peshkojmë ditën; apo, unë e njohë pëllëmbë mbë pëllëmbë liqenin, dhe t’i më urdhëron t’i hedh rrjetat në thellësi! Por me besim dhe bindje të plotë i përgjigjet: “Për hir të fjalës tënde do t’i hedh rrjetat”. v. 5.
Le të vëmë re fjalëzën: “tënde”. Kjo është fuqia e Simonit. Qëndrimi i këtij personaliteti të madh. Kur Ti, o Zot, urdhëron, qoftë edhe nëse në sytë tanë njerëzorë urdhri yt duket si i prirur për të dështuar, unë do të të bindem. Shumë thjesht, do t’i hedh përsëri rrjetat. Do të shkoj prapë për peshkim.
Ky besim dhe kjo bindje me shumë gatishmëri dhe me shumë ngrohtësi, ndaj vullnetit hyjnor, kjo besa e tij e patundur, ishte magneti i madh, që tërhoqi bekimin me bollëk të peshkimit mbinatyror atë ditë. Atë që ndodhi, na e përshkruan me gjuhën e tij të gjallë duke shpjeguar këtë tekst shën Joan Gojarti: “Vraponin peshqit, thotë, kush do arrijë më parë t’i shërbejë urdhrit hyjnor. Peshqit e vegjël i kalonin të mëdhenjtë, mesatarët i mënjanonin më të mëdhenjtë, por edhe të mëdhenjtë i kalonin të vegjlit. Fundi i liqenit zbrazej. Dhe ndërkohë që rrjetat çaheshin, peshqit nga njëra anë binin mbi varkë dhe të tjerët nga ana tjetër prisnin të binin në rrjetë dhe nuk duronin të ishin larg”. Kaq shumë peshq, saqë u çanë rrjetat, varka rrezikonte të fundosej. Për herë të parë shfaqej një bekim i tillë i Perëndisë.
Vetëm se, disa, sot, nuk bien dakord dhe thonë: Me Perëndinë, zero. Me mjete të tjera, po. Të tjerë pretendojnë se, nëse zbaton dhe ruan urdhrat e Perëndisë nuk ke për të bërë prokopi në jetë. Nëse nuk thua gënjeshtra, thotë tregtari, nuk do ta shesësh mallin; nëse nuk e përzien mallin, e përsërit shitësi, nuk do të fitosh; nëse nuk vendos dhe disa produkte të dorës së dytë, por vetëm më të mirat, nuk do të mund të mbash veten, thotë zanatçiu; nëse punon me ndershmëri, nuk do të kesh gjithmonë punë, thotë punëtori; nëse paguan saktë, biznesi do të falimentojë, ngul këmbë kapitalisti, me një fjalë, tregti duke ndjekur vullnetin e Perëndisë nuk bëhet. Dhe para nuk ekzistojnë. Dhe nëse nuk ke shumë para, si do ta mbash veten? Do të vdesësh.
* * *
Kështu janë punët vallë? Jo. Pikërisht e kundërta ndodh. Nëse sot ekziston uria dhe varfëria dhe vdekja, shkaku nuk është sepse zbatojmë vullnetin e Perëndisë. Shkak është sepse e shkelim. Përndryshe durimi është virtyt. Të bindur, ishin dhe të gjithë njerëzit e mëdhenj, ata që u dalluan brenda shoqërisë dhe zunë pozitat më të mëdha të Kishës dhe të shtetit, ishin sipas rregullit të disiplinuar dhe të bindur. Të bindur ishin, natyrisht, ndaj të parëve të tyre. Të bindur ndaj ligjeve. Por të bindur dhe ndaj vullnetit të Perëndisë.
“Për hir të fjalës tënde do t’i hedh rrjetat” v. 34.
Pjetri bën bindje dhe ndodh mrekullia e madhe dhe e habitshme: Rrjeta e tyre mbushet me aq shumë peshq, saqë filloi të griset, ngaqë nuk duronte dot peshën e peshqeve. Mbushen që të dyja varkat, diçka që, ndoshta, nuk kishte ndodhur asnjë herë tjetër.
Ja, pra, shpërblimi i bindjes dhe i disiplinës ndaj urdhrit hyjnor. Shpërblim i dyfishtë, material dhe shpirtëror. Shpërblehen dyfish dhe Pjetri dhe bijtë e Zebedeut. Shpërblimi i parë ishin shumica e peshqeve që zunë. I dyti, dhe më i paimagjinueshmi, pas atij peshkimi të mrekullueshëm, ftesa e tyre në detyrën apostolike. U bëhet nderi më i lartë dhe më i madh, të ndjekin pas Jisu Krishtin, të bëhen Nxënësit e Tij, bashkëpunëtorët e Tij në veprën e Tij për shpëtimin e botës.
Do të mund të thoshte dikush se, zelli për punë i peshkatarëve, thjeshtësia e tyre, sinqeriteti i tyre, ndershmëria e tyre dhe bindja e tyre ndaj Krishtit, përbëri bazën, kushtin për detyrën apostolike. Dhe ne do të kemi vështirësi dhe dështime në punën tonë, në profesionin tonë. Por kjo nuk do të na ndalojë nga puna. Do të shkojmë në punën tonë, do mundohemi, do të djersijmë. Do të bëjmë çdo gjë, që varet nga ne, pa u zhgënjyer dhe pa u dëshpëruar kurrë, dhe Perëndia nuk do të na lërë të uritur, mjafton të jemi të ndershëm, punëtor, besnik dhe të përkushtuar me gjithë shpirt tek Zoti, të bindur dhe të disiplinuar ndaj urdhrave të Tij. Ndoshta nuk i kemi ato që duam, por kjo nuk është e keqe. Perëndia di më mirë se ne se çfarë është e dobishme dhe çfarë na dëmton. Thjeshtësia, varfëria, ndonjë herë dhe privimi, na frenojnë nga shumë parregullsi. Dështimi dhe sprova na sjellin më pranë Perëndisë, ndërsa pasuria dhe rehatia, na largojnë lehtë nga Perëndia.
Gjithashtu, dhe në përpjekjen tonë shpirtërore, nuk duhet të zhgënjehemi. Është e vërtetë se, shumë herë, ecim me hapa në vend në jetën shpirtërore. Dhe herë të tjera bëjmë mbrapa, lëkundemi, biem. Por duhet të ngrihemi menjëherë. Të pendohemi dhe me lutje të nxehtë të themi: O Zot, shiko, bëra sa mundesha. Gjatë gjithë jetës sime u përpoqa dhe përpiqem kundër së keqes dhe mëkatit. Përpiqem, që mos të të pikëllojë me jetën time, me shkeljet e mia. Por, shumë herë, nuk ia dal mbanë. Mëkati më mund dhe më sundon dhe më robëron. Ti, “që nuk njohe mëkat”, Ti “i dhembshur dhe përdëllyes”, Ti Perëndia i tërëfuqishëm, bëje mrekullinë Tënde, më ndihmo të shuaj dhe të mund “vrullet e pasioneve”, t’i bëj të vdekura gjymtyrët e mija “mbi tokë”.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Përfundimisht, le t’i lutemi Zotit: O Zot, përderisa Ti e dëshiron, do të vazhdojmë përpjekjen tonë të hirshme sado që rreth nesh mijëra zëra na pëshpëritin për luftën tonë paqëllim. Do të ecim me besën e palëkundur të Simon Pjetrit, me bindjen e guximshme të peshkatarit të munduar. Sado e privuar të jetë shpresa në sytë tanë njerëzorë, këmbëngulja në detyrë, vazhdimi i luftës, zëri i zemrës sonë, duhet të jetë dhe do të jetë ai i apostull Pjetrit: “Për hir të fjalës tënde do t’i hedh rrjetat”.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 22.09.2019