10 Αυγούστου, 2019

Bota Shpirtërore – Çfarë janë Engjëjt e Shenjtë

Διαδώστε:

Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse, dhe ashtu siç pohon Simboli i Besimit, Perëndia është Krijuesi i “qiellit dhe i tokës dhe i gjithë të dukurave dhe të padukurave”. Në kapitullin e pestë ne kemi folur për gjërat e dukura. Tani do të flasim për Perëndinë si Krijuesi i gjërave të padukura, për ato gjëra që nuk shihen. Cilat janë këto gjëra? Para së gjithash janë engjëjt, si të mirët dhe të këqijtë. Engjëjt e Shenjtë dhe demonët e këqij. Shpirti i njeriut i përket kësaj kategorie të gjërave të padukura të krijuara nga Perëndia, sepse ai gjithashtu nuk mund të shihet. Megjithatë ne do të flasim më vonë për shpirtin e njeriut, kur të shqyrtojmë më gjatë krijimin e njeriut. Kështu le të flasim fillimisht se:

Çfarë janë Engjëjt e Shenjtë?

Engjëjt janë qenie shpirtërore, pa trup dhe të pavdekshëm. Ata nuk kanë një trup njerëzor ashtu si qeniet njerëzore por janë qenie shpirtërore dhe si rrjedhim janë të padukshëm. Ata nuk mund të shihen, ashtu si shpirti ynë, i cili është gjithashtu frymë, dhe nuk mund të shihet. Perëndia i krijoi engjëjt para se Ai të krijonte botën materiale. Kjo e vërtetë bazohet tek fjalët e Perëndisë drejtuar Jobit të drejtë: “Kur yjet u krijuan, gjithë engjëjt e mi lëshonin britma gëzimi” (Jobi 37:8). Që engjëjt janë krijim i Perëndisë shprehet qartazi në Shkrimin e Shenjtë: “Sepse në Të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken; frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të Tij dhe në lidhje me Të” (Kolosianëve 1:16). Fronet, Zotërimet, Principatat dhe Pushtetet janë emërtime të rendeve qiellore. Duke qënë se janë qenie jomateriale dhe frymore engjëjt mund të zhvendosen me lehtësi nga një vend në tjetrin; megjithatë ata nuk janë të kudondodhur si Perëndia, sepse ata gjithashtu janë krijesa të Perëndisë me aftësi dhe fuqi të kufizuara. Por duhet të theksojmë se fuqitë dhe aftësitë e tyre janë pa krahasim shumë më të mëdha se të njeriut. Dija e tyre është gjithashtu jashtëzakonisht e madhe në krahasim me dijen e njeriut; gjithsesi ajo kurrë nuk mund të krahasohet me gjithëditurinë e Perëndisë. Vullneti i tyre u testua kur Luciferi u rebelua kundër Perëndisë, dhe me anë të hirit hyjnor vullneti i tyre u rrënjos përfundimisht në të mirën, drejt së cilës ata priren në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë arsye ata quhen Engjëjt e Shenjtë. Në kohë të ndryshme – kur dëshironte Perëndia – ata u dërguan tek njerëz të shenjtë për të zbuluar tek ata vullnetin e Perëndisë. Në këto kohë ata morën forma njerëzore dhe folën me gjuhën njerëzore, sepse do të ishte e pamundur për ta të zbulonin vullnetin e Perëndisë nëse nuk do të merrnin formë njerëzore dhe nuk do të flisnin me gjuhën njerëzore.

Shënim: Sipas Shën Joan Damaskinoit “një engjëll është një esencë inteligjente në lëvizje të vazhdueshme, me vullnet të lirë, jomaterial, që i shërben Perëndisë, duke marrë prej hirit një natyrë të pavdekshme”. Kështu engjëjt janë frymëra – frymëra të pastra – jomateriale, qiellore, të patrup dhe të pavdekshëm. Prandaj ata quhen gjithashtu fuqi qiellore dhe patrup, dhe janë shumë më superior se njeriu, si në dituri ashtu dhe në fuqi, por në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen me Perëndinë për sa i përket diturisë dhe fuqisë së tyre duke qënë se ata vet janë krijesat e Tij. Engjëjt ndahen në tre grupe të mëdha hierarkike:

Serafimet – Qeruvimet – Fronet

Zotërimet – Fuqitë – Kryesitë

Pushtetet – Kryeëngjëjt – Engjëjt.

Shën Joan Damaskinoi vazhdon: “ata janë krijesa racionale dhe inteligjente, të pajisur me vullnet të lirë, të pavdekshëm jo nga natyra por nga hiri… Ata nuk kufizohen nga mure dhe dyer, nga brigje dhe male. Kur ata ndodhen në qiej nuk ndodhen në tokë; dhe kur ata dërgohen nga Perëndia në tokë nuk mbeten në qiell. Tre Engjëjve Shkrimi i Shenjtë iu referohet me emër: Mikaelit, udhëheqësit të popullit të Izraelit; Gabrielit, Engjëllit të Dhiatës së Re dhe Rafaelit. Prej të treve dy janë Kryeëngjëj.

 

Διαδώστε: