05 Αυγούστου, 2024

Dëshmor Efsigni. Hierodëshmor Fabiani i Romës. Shën Nona. Dëshmor Solevi. Dëshmor i ri Kristo nga Preveza

Διαδώστε:

E hënë, 5 gusht 2024 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E HYJLINDËSES MARI (1 – 15 gusht)
Dëshmor Efsigni. Hierodëshmor Fabiani i Romës. Shën Nona. Dëshmor Solevi. Dëshmor i ri Kristo nga Preveza.

 


– DËSHMOR EFSIGNI –
Shën Efsigni (Eusigni) lindi në Antioki dhe shërbeu si ushtarak për plot 60 vjet, gjatë qeverisjes së perandorit Konstanti I, të atit të Konsandinit të Madh, dhe më pas të Julian Paravatit. Kur ky i fundit shkoi të vizitonte Antiokinë, Efsigni 110 vjeçar shprehu dëshirën për ta takuar. Mbreti pranoi nga kureshtja për këtë ushtarak kaq të shkuar në moshë, por kur e pa u habit se si ishte ende në formë mjaft të mirë, dhe u dha urdhër shërbëtorëve që ta mbanin mirë e të përkujdeseshin për të. Efsignit nuk i bënë përshtypje përkujdesjet e trupit, shpalli se ishte i krishterë dhe më kot donin t’i ngjallnin e rinonin trupin, si mendësi e idhujtarëve.
Kur Juliani i dëgjoi këto, u zemërua dhe urdhëroi t’i prisnin kryet menjëherë. Atëherë shenjtori, i mbushur me gëzim, i tha: “Faleminderit, o mbret. Vdekja më kurseu gjithë këto vite në fushën e betejës, për të më goditur tani, për emrin e Perëndisë tim! Falënderoj Zotin për një fund të tillë të lumtur për një ushtarak të krishterë”.
Kështu, Efsigni mori kurorën e pafishkur të martirit në vitin 362.

 


– HIERODËSHMOR FABIANI I ROMËS –
Shën Fabiani ishte një laik i krishterë i përshpirtshëm, që jetonte në Romë në kohën e shërbimit episkopal të shën Anterit (236). Pak pas vdekjes së papës, ai mbërriti nga fshati, në kohën kur besimtarët me klerin po kryenin zgjedhjen e pasuesit të tij. Kur po thërrisnin emrat e njerëzve të famshëm, për shkak të një veprimi të Përkujdesjes Hyjnore, një pëllumb zbriti nga qielli dhe qëndroi mbi kryet e Fabianit. Populli pa në këtë shenjën e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, njësoj si ajo e Zotit në Jordan dhe thirri “I denjë!”. Megjithëse kundërshtoi, u fronëzua në fronin episkopal.
Për 14 vite e qeverisi Kishën e Romës me shumë urtësi, në një kohë relativisht të qetë. Kjo e lejoi të riorganizonte jetën e Kishës, të nderonte martirët e shenjtë dhe të qëndronte vigjilent për ruajtjen e besimit. Ishte një nga viktimat e para të persekutimit të Decit (250) dhe u varros pranë paraardhësit të tij në varrezën e Kalistit.


– SHËN NONA –
Nona ishte një grua shpresëtare, me besë të nxehtë e karakter të shkëlqyer. I shoqi, Grigori (shiko dt. 1 Janar), kishte rënë në mashtrimin e një sekti që besonin se i Shumëlarti ishte vetëm një person dhe jo Trinitar. Shenjtorja, me lutjet dhe durimin e saj arriti ta ktheje atë përsëri në besimin e vërtetë, dhe më pas Grigori u bë një ndër episkopët më në zë të Kishës.
Edhe bijtë e tyre, të rritur e të kultivuar me frytet e Shpirtit të Shenjtë u bënë yje të ndritshëm të Orthodhoksisë: shën Grigor Theologu (25 Janar), shën Qesari (9 mars) dhe Gorgonia. Kështu, shën Nona përbën shembull për të gjitha nënat që mundohen të përcjellin besimin e krishterë në familjet e tyre. Shenjtorja dha shpirt paqësisht, me shumë mundësi në vitin 374.

– DËSHMOR I RI KRISTO NGA PREVEZA –
Ishte djalë i ri 20 vjeç, bir i Prevezës. Shërbente në një anije tregtare. Në 5 gusht 1668 u ndodh në ishullin Ko, në detin Egje dhe shkoi për t’u rrëfyer përpara se të kungohej. Në rrëfim e sipër u gjend i thjeshtë, shpresëtar dhe i pastër si në trup, ashtu edhe në gojë, sipas kritereve të asaj kohe, që ishin shumë të rrepta.
Një jeniçer shau besimin tonë. Shenjti, i mbushur me zell hyjnor, iu kthye me të njëjtën përgjigje. Atëherë turqit e arrestuan dhe i kërkuan që të mohonte Krishtin. Kjo ishte mundësia e vetme që t’i falnin jetën për atë veprim që kishte bërë. Në vend të përgjigjes së pritshme nga ata, Kristoja i pështyu! Nuk e kishte Krishtin si një plaçkë për t’u tregtuar. Në këtë moment turqit iu vërsulën sipër dhe e therën.
Trupin e tij e lanë që ta hanin qentë dhe shpendët grabitqarë. Qëndroi 30 ditë i pavarrosur, por as u qelb dhe as u cenua nga qentë dhe shpendët.
Të krishterët e kuptuan mirë se çfarë lavdie kishte marrë në Qiell. E varrosën fshehtas pasi mbajtën disa pjesë të vogla për bekim. Atëherë, me këto pjesë u bënë mrekulli, u dëbuan demonë dhe shumë të tjera. Martiri i ri nderohet kryesisht në Prevezë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

 

Διαδώστε: