11 Νοεμβρίου, 2019

Dëshmor i madh Minai

Διαδώστε:

E hënë, 11 nëntor 2019 – Shenjtori i ditës.

Dëshmor i madh Minai, Viktori, Vicenti, Stefanidha. Oshënar Theodhor Studiti.

 

Martiri i shenjtë Minai luftoi për Krishtin gjatë persekutimit të Maksimianit(296-304). Ishte nga Egjipti dhe shërbente në ushtritë perandorake që ndodheshin në Koti të Frigjisë (Azi e Vogël), me urdhër të njëfarë Argjirisku. Veteran 50-vjeçar, Minai dallohej jo vetëm për forcën dhe burrërinë e tij, por edhe për urtësinë dhe vetëpërmbajtjen që kishte nga besimi në Krishtin. Në këtë kohë gjeneral Firmiljani mblodhi legjione të ndryshme, edhe atë të Minait, për t’i transferuar në vendet e berberëve (Afrika e Veriut).

Përveç misioneve të tjera, ushtarët i kishin ngarkuar të kapnin të krishterët që nuk pranonin t’u bindeshin urdhrave perandorakë. Minai u skandalizua aq shumë nga këto masa shtypëse, sa e hodhi rripin përdhe në shenjë dezertimi dhe u largua në malet afër Kotieonit, për t’u ushtruar në asketizëm dhe për të jetuar me bishat e egra, të cilat silleshin më butë se idhujtarët. Qëndroi për njëfarë kohe në heshtje dhe në vetmi, në lutje dhe në pastrimin e pasioneve.

Kur zemra e tij iu forcua më shumë në dashurinë për Krishtin, iu zbulua se kishte ardhur tashmë çasti për t’u martirizuar. Zbriti në qytet dhe një ditë, kur paganët po kremtonin një nga paudhësitë e tyre solemne, thirri para të gjithëve: “ Ta dini se ka vetëm një Perëndi të vërtetë: Krishti; dhe këto që ju adhuroni janë copa druri memece dhe të pandjeshme!”. Në fillim u befasuan nga guximi i tij, por pastaj u turrën dhe e kapën, për ta dorëzuar te qeveritari i qytetit, i cili e torturoi atletin e shenjtë të Krishtit para turmës.

Shenjti i tregoi pa frikë të kaluarën e tij dhe nuk pranoi asnjë propozim që i bënë për të rifituar vendin në radhët e ushtrisë. E fshikulluan rëndë dhe pastaj ia fërkuan plagët me cohë të ashpër. E varën në një këmbalec, ia rropën mishin dhe ia dogjën trupin me flakën e pishtarëve.

Kur pa të binte mishi i tij copa-copa, shenjti lavdëroi Perëndinë që u çlirua, nëpërmjet pjesëmarrjes në vuajtjet e Krishtit, nga tunika prej lëkure që i veshi Adami natyrës sonë (Gjen 3.21). Kaloi dhe vuajtje të tjera, pastaj me urdhër të qeveritarit ia prenë kokën. Para ekzekutimit, Minai u kishte kërkuar disa të krishterëve të fshehur, që kishin mundur t’i afroheshin, që t’ia transportonin mbetjet e trupit të tij në Egjipt, në atdheun e tij.

Tirani urdhëroi që t’ia digjnin trupin, por të krishterët arritën ta merrnin një pjesë të tij dhe e çuan në Egjipt, ku e varrosën denjësisht në një vend afër liqenit të Mariotit (43 km në jug-perëndim të Aleksandrisë). Për nder të martirit të madh, kisha që u ndërtua më pas mbi varrin e tij u bë qendër pelegrinësh të ardhur nga mbarë bota.

Pas largimit të tij nga kjo jetë, shën Minai nuk ka pushuar së qeni i pranishëm pranë besimtarëve: i mbështet dhe i ndihmon në rreziqe. Shfaqjet dhe mrekullitë e tij janë të panumërta. Ndër më të fundit, po sjellim dy. Gjatë turbullirave që pasuan revolucionin grek dhe shtypjes së përgjakshme nga otomanët kundër kryengritësve (1826), disa turq të Iraklios, në Kretë, vendosën të masakronin të krishterët që ishin mbledhur në katedralen kushtuar shën Minait për të kremtuar Pashkën. Ata u vunë zjarrin lagjeve të ndryshme të qytetit, për të tërhequr vëmendjen e forcave që ruanin rendin dhe e rrethuan kishën, duke u përgatitur që të hynin e të realizonin planin e tyre. Papritur u shfaq shën Minai, si një kalorës i frikshëm me shpatën zhveshur në dorë. Mbolli panik mes turqve dhe çliroi të krishterët nga rreziku. Në shenjë mirënjohjeje, besimtarët e Iraklios kremtojnë çdo vit, të martën e Pashkës, kujtimin e kësaj mrekullie.

Më vonë, gjatë betejave vendimtare që ndodhën në Afrikën e Veriut (1942), rastisi që trupat naziste të urdhëruara nga gjenerali Romel, në udhë për në Aleksandri, ndaluan pranë vendit të quajtur El-Alamein (deformim arab i emrit të shën Minait), ku gjendeshin edhe rrënojat e një kishe të vjetër kushtuar shën Minait (dhe sipas disave, varri i tij). Përballë mijëra gjermanësh, të armatosur deri në dhëmbë, gjendeshin forcat e dobëta aleate, mes të cilave edhe disa orthodhoksë. Përfundimi i përleshjes ishte i qartë. Megjithatë, kur ra nata, shën Minai u shfaq në mes të kampit gjerman në krye të një karvani devesh, identik ashtu siç paraqitet në një nga afresket e kishës, duke përshkruar mrekullitë e shenjtit. Kjo shfaqje i befasoi të gjithë dhe ngjalli panik tek gjermanët, aq sa fuqitë aleate korrën fitore. Si mirënjohje, ata restauruan kishën e shenjtit dhe themeluan një manastir të vogël.

* * * * *

– Dëshmor Viktori –

Shën Viktori ishte ushtar gjatë regjimit të Antoninit (rreth vitit 160). Ishte nga Italia, dhe u transferua në zonën e Damaskut. Atje e denoncuan te qeveritari ushtarak Sebastiani, se besonte te Krishti. Iu përgjigj pyetjeve dhe propozimeve të rrezikshme të dukës me mençuri të mbinatyrshme dhe u tregua i pathyeshëm, ndaj e torturuan. Ia thyen gishtat, pastaj e hodhën në furrë të ndezur, ku qëndroi për 3 ditë pa pësuar gjë të keqe.

Kur doli, e detyruan të pinte helm vdekjeprurës. Por, pasi nuk pati efekt, magjistari, që e kishte përgatitur, u bë i krishterë. I shtuan tortura të tjera: ia shkulën nervat, e hodhën në vaj të nxehtë, piu një përzierje bliri me uthull. Përfundimisht, ia nxorën sytë dhe e lanë të varur nga këmbët për 3 ditë, në fund të të cilave dha shpirtin te Perëndia dhe gjeti prehjen e përjetshme.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/facebook

Διαδώστε: