27 Οκτωβρίου, 2022

DËSHMOR NESTORI

Διαδώστε:

E enjte, 27 tetor 2022 – Shenjtori i ditës.
Dëshmor Nestori. Prokla, e shoqja e Pont Pilatit. Dëshmoret Kapitolina, Erotisa. Ati i shenjtë Dhimitri në Basarabov.
– DËSHMOR NESTORI –
Nestori ishte nxënës i Shën Dhimitrit, dëshmorit të madh në Selanik. Informacione për jetën dhe martirizimin e tij na jepet në jetëshkrimin e shën Dhimitrit, që kremtuam dje.
* * * * *
– ATI I SHENJTË DHIMITRI NË BASARABOV –
Lindi në fillim të shekullit 13, në fshatin Basarabov, në krahinën jugore të Danubit, e cila në atë kohë i përkiste mbretërisë së Bullgarisë. Që fëmijë filloi të ushtrohej në virtyt me kreshmë dhe lutje.
Një ditë, siç po kulloste lopët, shkeli mbi një fole në bar dhe theu disa vezë që gjendeshin atje. I erdhi shumë keq, dhe vendosi si dënim që ta linte zhveshur këmbën që shkaktoi këtë për tre vjet, dimër verë.
Më vonë shkoi në një vëllazëri murgjërore, dhe si u nënshtrua në bindje, u tërhoq në një pyll dhe ngriti strehën e tij në një shpellë, pranë lumit Lomos, i panjohur nga njerëzit, dhe natë e ditë kërkonte Zotin me lot. Njohu që më përpara ditën e fjetjes së tij, kështu u shtri mbi dy pllaka guri dhe fjeti në paqe.
Shumë vite rrodhën më pas dhe njerëzit pothuajse e kishin harruar fare se atje ekzistonte një asket. Një ditë, kur u mbushën tre shekuj pas fjetjes së shenjtorit, një përmbytje bëri që ujërat e lumit të arrinin deri në shpellë. Rrjedha ngriti pllakat e gurit dhe nxori në sipërfaqe trupin e paprishur të shenjtorit.
Njëqind vjet më vonë, shenjti iu shfaq në ëndërr një vogëlusheje të paralizuar, dhe e porositi që t’u kërkonte prindërve të saj ta çonin fëmijën deri tek lumi që të shërohej.
Një grup i madh priftërinjsh nga ajo dioqezë e shoqëruan familjen e vajzës deri në vendin ku ishte varrosur shenjti, dhe për çudinë e të gjithëve, një dritë e mistershme u shfaq. Filluan të gërmonin, dhe gjetën trupin e paprishur të shenjtit i cili rrezatonte Hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili shëroi vajzën e vogël. Ata e morën trupin e shenjtit dhe e çuan në fshatin Basarabov, dhe mrekulli të tjera u kryen. Atëherë, i gjithë populli erdhi për të nderuar lipsanin e shenjtit. Episkopi i Vllahisë ndërtoi një kishë në fshat për nder të shenjtorit.
Në fund të luftës ruso-turke (1774), ushtria ruse kur arriti afër fshatit, gjenerali Pjer Saltikov urdhëroi të transferohej në Rusi lipsani i shën Dhimitrit, me qëllim që të ruheshin nga barbaritë e turqve. Kur kortezhi arriti në Bukuresht, një i krishterë me emrin Dhimitri Çatzi, mik i gjeneralit, nuk dëshiroi që trupi i shenjtit të çohej në Rusi, ndaj lejoi të merrej vetëm një dorë e shenjtit, e cila u dërgua në Lavrën e Shpellave në Kiev.
Trupi i shën Dhimitrit u vendos në katedralen e Bukureshtit, dhe nderohet si mbrojtësi i qytetit dhe i gjithë Rumanisë.
Çdo vit, më 27 tetor turmë e madhe njerëzish mblidhen në Bukuresht për të kremtuar përgjatë tri ditëve, festën e shën Dhimitrit të ri dhe nderojnë lipsanin e tij të çmuar që buron pa pushim erë miroje.
* * * * *
– PROKLA, E SHOQJA E PONT PILATIT –
Ndërsa Pilati kryesonte gjyqin për të gjykuar Krishtin, e shoqja, Prokla, i tha: “Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë” (Matth. 27.19). Por Pilati, duke preferuar më tepër t’i pëlqente popullit dhe të shmangte trazirat, nuk ia vuri veshin këtij paralajmërimi.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: