18 Νοεμβρίου, 2024

Dëshmor Platoni. Dëshmor Romani. Dëshmor i ri Anastasi në Paramithi

Διαδώστε:

E hënë, 18 nëntor 2024 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
Dëshmor Platoni. Dëshmor Romani. Dëshmor i ri Anastasi në Paramithi.
– DËSHMOR PLATONI –
Shën Platoni jetonte në Angira, në Galati, në kohën e sundimit të perandorit Maksimian (285-305) dhe ishte vëllai i martirit të shenjtë Antioku. Ngaqë rrëfente publikisht besimin te Krishti dhe u jepte zemër të krishterëve të qëndronin të fortë gjatë përndjekjes, ushtarët e perandorit e kapën dhe e çuan para qeveritarit Agripini. I pathyer në bindjen e tij, megjithëse ishte i ri, u rrah nga 12 ushtarë, pastaj e shtrinë mbi një shtrat të përvëluar bronzi, ia shqyen mishrat, e dogjën dhe i bënë lloj-lloj torturash.
Duke parë si i përballonte tërë këto vuajtje, shumë paganë përqafuan besimin.
Në mes të mundimeve që po hiqte martiri i shenjtë iu lut Perëndisë dhe Fuqitë engjëllore iu përgjigjën: “Amin!”, dhe të gjithë spektatorët dëgjuan këtë dëshmi të mbështetjes së Kishës në qiell për betejat e atletit të shenjtë të Krishtit. Propozimeve të kota të tiranit, Platoni iu përgjigj: “Sepse për mua jeta është Krishti dhe vdekja fitim” (Fil. 1:21). Pas shumë vuajtjesh të tjera, ia prenë kokën dhe ai u nis për te shenjtorët.
* * * * *
– DËSHMOR ROMANI –
Shën Romani ishte nga Palestina dhe ushtronte funksionet e dhjakut dhe të ekzorcistit në Kishën e Qesarisë. Ai ndodhej në Antioki, më 303, kur perandori Dioklecian publikoi ediktet e persekutimit të përgjithshëm të të krishterëve. Kur pa shumë burra, gra dhe fëmijë të krishterë të braktisnin Perëndinë e vërtetë nga frika e vuajtjes dhe t’u sakrifikonin idhujve, ai s’mundi ta duronte këtë dorëzim dhe, duke ecur drejt tyre, i qortoi me zë të lartë. E kapën në vend dhe e çuan para gjykatësit.
Kur e pyetën, u tregua i guximshëm dhe, për të treguar marrëzinë e kultit pagan, kërkoi që të merrnin një fëmijë rastësisht nga turma dhe ta sillnin në mes të sheshit.
Kur fëmija erdhi, Romani e pyeti se cila ishte e drejtë: të adhuroje Perëndinë e vetëm dhe Krijuesin e botës që e rrëfejnë të krishterët apo perënditë e shumtë të idhujtarëve. Pa hezitim, fëmija u shpreh për Perëndinë e të krishterëve dhe e vuri në lojë gjykatësin me mençurinë e tij. Tirani u xhindos dhe e dorëzoi në tortura në prani të së ëmës. I munduar nga keqtrajtimet, fëmija kërkoi të pinte. Atëherë nëna e tij shpresëtare iu përgjigj: “Mos pi, biri im i shtrenjtë, nga ky ujë i prishshëm dhe kalimtar, po ngjitu me durim, që të pish ujin e gjallë dhe të përjetshëm të Mbretërisë së Perëndisë!”
Fëmijës ia prenë kokën, ndërsa Romanin e dënuan të digjej në zjarr. Shenjti e priti me gëzim këtë vendim dhe, me fytyrën që i shkëlqente, e la veten ta çonin në vendin e ekzekutimit. Por, meqë xhelatët vonuan të ndiznin kërcunjtë, ngaqë prisnin vendimin e perandorit, i cili ishte në qytet, martiri i shenjtë thirri: “Ku është zjarri që u përgatit për mua?” E morën dhe e nxorën para perandorit. Tirani kishte kuptuar se për të krishterët vdekja me martirizim është festë, sepse është hyrja për në jetën e përjetshme; kështu ai e vonoi çastin e çlirimit, me qëllim që ta nënshtronte atletin e Krishtit. Urdhëroi t’ia shkulnin gjuhën. Pa u turbulluar, shën Romani e nxori vetë gjuhën para xhelatit dhe, për çudi, pasi ia prenë, ai vazhdoi të lavdëronte Perëndinë e të mbështeste besimtarët e tjerë që martirizoheshin.
Pas këtij dënimi, e burgosën dhe e vunë në pranga për shumë kohë. Kur po kremtohej në gjithë perandorinë festa e sovranit, sipas një zakoni të vjetër, u shpall kudo lirimi i të burgosurve. Por Romani, me të dyja këmbët e thyera nga pesha e vargonjve dhe i shtrirë në dru, ishte i vetmi që e mbytën fshehtazi në qelinë e tij dhe siç kishte dëshiruar, mori kurorën e martirizimit.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: