09 Ιανουαρίου, 2023

Dëshmor Poliefkti. Oshënar Efstrati, çudibërës. Dëshmoret Andonina, Domna. Filipi, mitropolit i Moskës

Διαδώστε:

E hënë, 9 janar 2023 – Shenjtori i ditës.
Dëshmor Poliefkti. Oshënar Efstrati, çudibërës. Dëshmoret Andonina, Domna. Filipi, mitropolit i Moskës.

– DËSHMOR POLIEFKTI –
Në fillim të persekutimit të Decit (249-251), Poliefkti dhe Niarku, dy oficerë me origjinë greke, të legjionit të dymbëdhjetë romak, në atë kohë me vendqëndrim Melitinën në Armeni, kishin miqësi të ngushtë. Niarku ishte bërë i krishterë, ndërsa Poliefkti jepej pas idhujve, megjithëse ishte shumë i virtytshëm.
Kur u publikua edikti i parë i persekutimeve, i cili i detyronte gjithë ushtarakët të dëshmonin publikisht besnikërinë ndaj adhurimit zyrtar të perandorit, Niarku i tha Poliefktit se ky edikt do t’i ndante përgjithmonë. Poliefkti kishte pak njohuri për Jisu Krishtin, nga bisedat që kishte bërë me mikun e tij, prandaj iu përgjigj plot gëzim: “Jo, nuk do të ndahemi, se natën e kaluar m’u shfaq Krishti në vizion, më veshi me petk drite, pasi ma zhveshi rrobën ushtarake dhe më dhuroi një kalë me krahë”. Ai kuptoi se bëhej fjalë për largimin e tij për në qiell, në korin e lavdishëm të martirëve.
Ishte i krishterë prej kohësh, në gatishmërinë e mirë të shpirtit; i mungonte vetëm emri dhe vula hyjnore e pagëzimit. Nxitën njëri-tjetrin të përbuznin të mirat dhe gëzimet e prishshme të kësaj toke dhe të fitonin bukurinë qiellore. Kur Niarku i tregoi Poliefktit se martirizimi mund të zëvendësojë pagëzimin dhe gjithçka tjetër që ndihmon për të hyrë në ushtrinë e Krishtit dhe se nëpërmjet tij (martirizimit) Ai, Krishti dhe Mësuesi, mund të banojë te ne, atëherë, ai që digjej nga dëshira për t’u martirizuar, i tha: “Mendja ime nuk mendon më, veç gjërat e qiellit, kam para syve të shpirtit tim Krishtin, dhe madhështia e Tij më shkëlqen fytyrën. Le të shkojmë bashkë të vuajmë martirizimin, le të dalim për të lexuar ediktin e perandorit”. Kur arritën te regjistrimi, Poliefkti i guximshëm e grisi përpara turmës, vrapoi në mes të procesionit pagan dhe bëri copa idhujt që mbanin priftërinjtë.
E kapën menjëherë dhe e nxorën para gjyqit. E dënuan për sakrilegj. Asgjë nuk e ndalte për të deklaruar veten e tij si të krishterë. Pas xhelatëve të lodhur nga dhuna që kishin ushtruar ndaj tij, të cilët më kot ishin përpjekur ta bindnin, i vjehrri, Feliksi, qeveritari i krahinës, e la të reflektonte, duke i kujtuar të shoqen dhe fëmijët. “Cilën grua? Cilët fëmijë? tha ai, mendja ime nuk është më atje, ajo është kthyer drejt të mirave qiellore dhe të paprishshme. Sa për bijën tënde, nëse e ndien se duhet të më vijë pas, do të jetë e lumtur, përndryshe do të shkojë në humbje bashkë me ata që ju quani perëndi”.
E shoqja, Pavlina, i shkoi me lot: “Ç’është kjo marrëzi që të ka zënë? Kush të ka gënjyer të shkosh e të thyesh dymbëdhjetë perënditë tona?”. “Në qoftë se unë i kam mundur dymbëdhjetë perënditë e tua, iu përgjigj Poliefkti, s’ka më mjet për ty të gjesh perëndi këtu poshtë. S’të mbetet më, o Pavlinë, veç të vish pas meje dhe të adhurosh Perëndinë e vërtetë, që të shkëmbesh këtë jetë kalimtare me atë qiellore dhe të përjetshme”. Si konstatoi se atleti i Krishtit e sfidoi dashurinë për të afërmit dhe solli shumë idhujtarë në besim, gjykatësi e dënoi me vdekje.
Poliefkti shkoi drejt vendit të ekzekutimit me gëzim dhe fytyrë të ndritur, sikur fitonte lirinë, duke u dhënë zemër të krishterëve të tjerë. Kur pa Niarkun, e përshëndeti dhe i kujtoi premtimin që i bënë njëri-tjetrit. Pastaj tendosi qafën nën shpatë dhe u pagëzua me gjakun e tij. Më të zellshmit ndër besimtarë e varrosën trupin e shenjtit në Melitinë, ndërsa Niarku e thithi gjakun e tij me një rrobë dhe një vit më vonë e transportoi në qytetin e Kananiotëve.

– OSHËNAR EFSTRATI, ÇUDIBËRËS –
Ati ynë i shenjtë Efstrati lindi në Tarsia, qytezë në Bitini, dhe mori nga prindërit edukim të krishterë. Në moshën 20-vjeçare digjej nga dashuria për Perëndinë dhe zelli për t’ia përkushtuar jetën Atij, prandaj shkoi në Manastirin e Agaurëve, pranë qytetit të Prusës, ku dy dajat e tij, Vasili dhe Grigori, igumen, shkëlqenin në asketizëm dhe virtyt. Grigori i bëri të ditur të riut se jeta e murgjve është dhunë e vazhduar që i bëhet natyrës, dhe se kërkon jo vetëm zell rinor, por edhe këmbëngulje e burrëri në betejat e vazhdueshme kundër pasioneve dhe demonëve.
Efstrati i ra ndër këmbë me lot dhe i tha: “Ndonëse jam i padenjë për një thirrje të tillë, Perëndia më thirri. Kush mund që prej kohësh të ndizte në zemrën time një zjarr të tillë për jetën murgërore dhe të më japë forcë të braktis prindërit e mi? Perëndia që më drejtoi deri këtu, do të më japë forcë të sfidoj sprovat”. Para kësaj këmbënguljeje, Grigori e mori me gëzim, e qethi dhe i veshi skimën murgërore.
Rishtari iu kushtua bindjes dhe shërbimit ndaj vëllezërve me përulësi në frymë, duke hedhur tej vullnetin e tij dhe duke i zbuluar atit të tij shpirtëror në rrëfim çdo mendim që i vinte. I zbrazur nga çdo e mirë, mbante një pallto leshi dhe liri, e cila i shërbente si shtrojë për t’u çlodhur, sepse s’kishte qeli. Gjatë jetës së tij murgërore, kurrë nuk u shtri në kurriz, as në anën e majtë. Ruante vigjilencë konstante, ditë e natë, para Perëndisë. Përparoi shumë dhe u hirotonis prift. Pas vdekjes së Grigorit dhe pasuesit të tij, Efstathit, kushëriri i shenjtit, Efstrati, u vu nga vëllezërit në krye të komunitetit.
Në këtë kohë (813) Leon Armeni, pas fitores mbi bullgarët, rrëmbeu fronin e Konstandinopojës dhe rindezi persekutimin kundër ikonave të shenjta. Pasi braktisnin banesat dhe manastiret, të gjithë të krishterët, kryesisht murgjit, kërkonin strehë në male, shkretëtira ose shkonin larg në internime. Meqë nuk mundi dot të strehohej në një nga shpellat e malit Olimp, shën Efstrati u strehua te disa eremitë të njohur të kohës, sidomos te miku i tij, shën Joaniku i Madh (4 nëntor). Pas një ndalese në Konstandinopojë, ku u burgos dhe vuajti me shumë të tjerë keqtrajtimet e persekutorëve, u kthye në atdhe, por nuk mundi t’i mblidhte murgjit e shpërndarë dhe të merrte drejtimin e manastirit të tij, deri pas triumfit të Orthodhoksisë (842).
Shën Efstrati ishte shembull i gjallë i virtyteve murgërore. Ditën e kalonte me vëllezërit në punët e dorës, dhe pjesën më të madhe të natës, me lutje dhe metani. Gjatë Shërbesës së Mëngjesores rrinte më këmbë në shenjtërore dhe, që nga fillimi e deri në fund, përsëriste me vete: “Mëshiro, o Zot”.
Vizitonte shpesh qelitë që vareshin nga manastiri, për të inkurajuar vëllezërit. Gjatë udhës, nuk hezitonte t’i jepte ndonjë lypësi pallton ose kalin ndonjë ushtari që kishte humbur trupën e tij. Njëherë ia dhuroi viçin e vetëm të manastirit një fshatari shumë të varfër, të cilit i kishte humbur bagëtia. Kur u kthye nga Konstandinopoja, u shpërndau të varfërve të atyre anëve argjendin që perandori i dhuroi për të mbajtur manastirin.
Një ditë, ndeshi në rrugë një burrë, i cili, i dëshpëruar për mëkatet e tij, po bëhej gati të vriste veten. Shën Efstrati ia mori dorën, e vuri mbi qafën e tij dhe i tha: “Barra e mëkateve të tua që sot e tutje rëndon mbi mua, biri im. Ditën e Gjykimit, unë do të jap llogari për ty. Ndërsa ti, hidhe tutje këtë litar dhe shpreso te Perëndia”.
Me lutjen e tij, shën Efstrati shëroi të sëmurë, ngjalli të vdekur, shoi zjarre dhe kreu shumë mrekulli, duke dëftuar se, nëpërmjet ndërmjetimit të tij, Perëndia ishte i pranishëm me fuqi mes njerëzve.
Gjatë udhëtimit që kreu për herë të fundit në Konstandinopojë, anija u përplas me shkëmbinj. Vuri re se ajo po merrte ujë, u lut dhe gjithçka ndaloi. Kur mbërritën në port, zbriti i fundit, ndërsa anija filloi të fundosej. Mori rrugën drejt qelive që vareshin nga manastiri. Kur arriti, ndjeu t’i afrohej fundi, mblodhi vëllezërit për këshillim, u tha të mblidhnin fuqitë e të punonin për të mirat e përjetshme në besnikërinë e traditës së shenjtë; pastaj, duke ngritur duart dhe sytë drejt qiellit, dorëzoi shpirtin te Perëndia në moshën 95-vjeçare, pasi kishte kaluar 75 vjet në murgëri.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: