17 Ιουλίου, 2024

Dëshmore e madhe Marina. Dëshmorët Sperati, Veronika. Oshënare Marcelina në Milano

Διαδώστε:

E mërkurë, 17 korrik 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Dëshmore e madhe Marina. Dëshmorët Sperati, Veronika. Oshënare Marcelina në Milano.
– DËSHMORE E MADHE MARINA –
Martirja e shenjtë Marina jetoi nën sundimin e perandorit Klaudi (rreth vitit 270). Ishte nga Antiokia e Pisidisë, bija e priftit idhujtar Edesimos. E ëma i kishte vdekur kur ishte 12 vjeçe dhe vajzën e kishin besuar te një mëndeshë që banonte në fshat. Vizitat te të krishterët që jetonin në atëvend dhe dëshira e mirë e vajzës mbollën farën e besimit të vërtetë në zemrën e saj. Kur u bë 15 vjeçe, dashuria për Krishtin e kishte frymëzuar kaq shumë, sa mendonte vetëm një gjë: të kungohej përmes gjakut të sakrificës, ashtu si martirët e shenjtë e dhanë për dashurinë e Perëndisë. Nuk e mbajti të fshehur këtë dëshirë dhe s’pati frikë të shpallte me zë të lartë se ishte e krishterë dhe kundër idhujve; kjo nxiti urrejtjen e të atit, i cili e la pa trashëgimi.
Kur udhëtoi për në Antioki, prefekti i Azisë, Olibrios, takoi shenjtoren, e cila shoqëronte bagëtinë bashkë me vajza të tjera të fshatit. I magjepsur nga bukuria e saj, urdhëroi njerëzit e tij ta merrnin që të martohej me të. Kur e çuan në pallat dhe e nxorën para magjistratit, i cili i kërkoi t’i tregonte se kush ishte, vajza tha e vendosur: “Më quajnë Marina, bijë e prindërve të lirë të Pisidisë, por jam shërbëtore e Perëndisë tonë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, i Cili krijoi qiellin dhe dheun.” E futën në burg deri të nesërmen, kur do të zhvillohej një festë e madhe pagane.
E çuan përsëri në gjyq dhe e ftuan t’u sakrifikonte perëndive bashkë me pjesën tjetër të popullsisë. Marina iu përgjigj: “Do t’i sakrifikoj blatë lavdërimi Perëndisë tim, por kurrë idhujve pa gojë e pa shpirt!” Olibrios i bëri presion që t’i vinte keq për rininë dhe bukurinë e saj, por ajo iu përgjigj, se çdo bukuri mishore vyshket, ndërsa vuajtjet për Emrin e Krishtit e zbukurojnë shpirtin dhe e përgatisin për dasmën e përjetshme. Magjistrati i zemëruar urdhëroi ta shtrinin përtokë, ta godisnin me kamxhikë me gjemba dhe t’ia çanin mishin me thonj hekuri. Gjaku i shenjtores rrodhi lumë dhe e skuqi tokën, por ajo nuk nxori asnjë britmë dhimbjeje dhe qëndroi e patundur, sikur dikush tjetër të vuante në vend të saj. E torturuan për shumë orë, e çuan prapë në burg. Atje i lutej Perëndisë të mos e braktiste në sprovën e saj dhe në rrëfimin e besimit, ndërkohë që një tërmet rrënoi burgun, duke nxjerrë nga strofka një dragua të tmerrshëm: nga sytë e tij dilte zjarr e tym, gjuhën e kishte flakë të kuqe dhe kur shkonte përpara shenjtores lëshonte një fishkëllimë të frikshme.
E frikësuar, Marina iu lut Perëndisë, i Cili ia hoqi fuqitë satanait kur liroi të vdekurit nga Ferri me anën e Kryqit. Atëherë dragoi u kthye në një qen të zi e të neveritshëm. E fuqizuar nga Perëndia, shenjtorja rrëmbeu një çekiç, e kapi bishën duke i vënë këmbën në qafë dhe e goditi në kokë e në kurriz. Një dritë e shkëlqyer u përhap në burg, e cila buroi nga një kryq i stërmadh, mbi të cilin rrinte një pëllumb i bardhë. Pëllumbi fluturoi dhe qëndroi mbi supin e Marinës dhe i tha: “Gëzohu, Marina, pëllumb shpirtëror i Perëndisë, sepse e munde të Ligun dhe e mbulove me turp. Gëzohu, o shërbëtore besnike e Zotit, që E do me gjithë zemër dhe për të Cilin lë tërë kënaqësitë e përkohshme të tokës. Gëzohu dhe ngazëllohu, sepse erdhi dita për të marrë kurorën e fitores dhe të hysh e veshur denjësisht, bashkë me virgjëreshat e urta, në nusëroren e Dhëndritdhe të Mbretit tënd!”
Në mëngjes, Marinën e çuan për herë të dytë në gjyq, por ajo ishte e vendosur më tepër se kurrë. Olibrios urdhëroi ta zhvishnin dhe ta digjnin me pishtarë. Pas kësaj vuajtjeje, e futën me kokën poshtë në një pishinë me ujë. Pëllumbi u shfaq përsëri, duke mbajtur në sqep një degë palme dhekryqi i shndritshëm u ngrit mbi pishinë, ku shenjtorja doli e zgjidhur nga litarët. U dëgjua pëllumbi që thoshte: “Eja, Marina, që të gëzohesh në prehjen që është ruajtur për të drejtët!” Para kësaj mrekullie, shumë paganë të pranishëm rrëfyen Krishtin dhe i kërkuan shenjtores t’u mësonte doktrinën e Shpëtimit. Në kulmin e çmendurisë, qeveritari urdhëroi që t’u prisnin kokën edhe atyre bashkë me shën Marinën.
Kur arriti në vendin e ekzekutimit, Marina kërkoi nga xhelatët pak kohë për t’u lutur dhe si u kthye nga lindja, iu lut Zotit t’u jepte shëndet të shpirtit dhe të trupit atyre që do të kërkonin ndërmjetimin e saj. Sapo e mbaroi lutjen, thirri xhelatin të bënte punën që i kishin ngarkuar. I frikësuar, edhe ai rrëfeu Krishtin dhe nuk pranoi të vinte dorë mbi shenjtoren. Marina i tha atëherë: “Nuk do të kesh pjesë me mua nëse vonon të bësh atë që t’u urdhërua.” Dhe, dukeiu dridhur dora, ai i preu kokën. Një e krishterë me emrin Theotimi, e cila i kishte çuar fshehurazi ushqim shenjtores në burg, erdhi dhe e mori trupin e saj, që ta varroste denjësisht. Deri në kohën e kryqëzatave (1204), lipsanet e shën Marinës nderoheshin në Konstandinopojë, kurse më 1230 u rrëmbye në Venecia gjatë kryqëzatave.
Shenjtorja nderohet si mbrojtëse dhe shëruese e fëmijëve.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: