08 Οκτωβρίου, 2024

Dëshmore Pelagjia. Oshënare Taisia. Oshënare Pelagjia. Oshënar dëshmor i ri Ignati

Διαδώστε:

E martë, 8 tetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Dëshmore Pelagjia. Oshënare Taisia. Oshënare Pelagjia. Oshënar dëshmor i ri Ignati.
– OSHËNARE PELAGJIA –
Shën Pelagjia jetonte në Antioki në gjysmën e dytë të shekullit V. Ishte dhënë pas vallëzimeve dhe dëshirave të papastra. Ishte prostituta më e njohur në këtë qytet të madh dhe ishte pasuruar kaq shumë me shthurjen e saj, sa të gjitha i shpenzonte për të zbukuruar trupin me sende të çmuara dhe parfume epshndjellës, për të tërhequr viktima të reja në rrjetat e saj. Kishte mjaft skllevër dhe shërbëtorë që e shoqëronin kur shëtiste në qytet, ulur në karrocën e saj luksoze.
Një ditë, kryepiskopi i Antiokisë kishte ftuar Nonin, episkopin e Edesës (10 nëntor), njeri i shenjtë me fjalë frymëzuese e që shumë veta i kishte çuar në pendim dhe në dashurinë për virtytin, të predikonte në popull. Erdhi atje edhe Pelagjia bashkë me shpurën e saj.
Ndërkohë që të gjithë i larguan sytë prej saj, Noni duke qarë e pa këtë grua dhe tha: “Mjerë ne, dembelët dhe përtacët, sepse do na duhet të japim llogari në ditën e gjyqit që nuk i pëlqyem Perëndisë me zellin dhe kujdesin, ashtu si kjo grua e mjerë përpiqet të zbukurojë trupin e saj për një kënaqësi kalimtare”. E luti Zotin nxehtësisht për kthimin e saj.
Të nesërmen, teksa Noni komentonte Ungjillin e shenjtë gjatë Liturgjisë Hyjnore, Pelagjia u gjet përsëri atje. Fjalët e episkopit mbi gjyqin e fundit dhe përjetësinë e mundimeve në ferr depërtuan si një shpatë thellë në zemrën e vajzës së re dhe zgjuan brenda saj dashurinë për Dhëndrin qiellor. Sapo u kthye në pallat, i shkroi një letër episkopit, në të cilën i kërkoi ta pranonte dhe të mos e përçmonte për turpin e saj, nëse vërtet ishte dishepull i Atij që erdhi për të thirrur “jo të drejtët, por mëkatarët në pendim” (Matth. 9.13). Noni iu përgjigj se, nëse vërtet donte të pendohej, të shkonte në kishë, para gjithë asamblesë së klerikëve dhe të popullit për të rrëfyer fajet.
Pelagjia gjeti rastin dhe shpejtoi në kishë, duke harruar krenarinë e dikurshme. Pastaj ra në këmbët e episkopit dhe i lypi ta pagëzonte, me qëllim që demoni dhe zakoni të mos i kujtonin më jetën e saj të shthurur. I gjithë qyteti i Antiokisë u gëzua me pagëzimin e saj. Iu besua një murgeshe me emrin Romana dhe nisi luftën shpirtërore dhe jetën pendimtare. Me lutjen dhe shenjën e Kryqit i mposhti tundimet që i rikujtonin jetën e mëparshme mëkatare. Disa ditë pas pagëzimit, Pelagjia shpërndau gjithë pasurinë tek të varfrit dhe çliroi skllevërit.
E çliruar tani nga lidhjet me botën, ndryshoi veshjen, u vesh me rroba burri dhe u nis fshehurazi për të asketizuar në Palestinë, në Malin e Ullinjve. Qëndroi e mbyllur për shumë vjet në një qeli të vogël, në luftë të përditshme kundër pasioneve që kishin lëshuar rrënjë në trupin e saj dhe kundër kujdesit për parfumet dhe stolitë.
Edhe pse jetoi në vetmi, fama e saj u shpërnda ndër asketët e Palestinës, të cilët e mendonin se ishte burrë. Kur pendimtarja e shenjtë fjeti në paqe, të gjithë murgjit e krahinës u mblodhën për të nderuar lipsanin e saj dhe lavdëruan fuqishëm Zotin kur mësuan nga një dishepull i Nonit historinë e vërtetë të Pelagjisë, e cila u mëson atyre që janë zhytur në errësirën e mëkatit të mos dëshpërohen, por të rinisin me burrëri udhën e pendimit.
* * * * *
– OSHËNARE TAISIA –
Jetoi në Aleksandri në shekullin IV. Në moshën 17-vjeçare, vetë e ëma e dorëzoi në një shtëpi imoraliteti, ku bukuria e saj ndezi flakët e epsheve në zemrat e atyre që e shikonin. Shkoi shumë vjet kështu dhe grumbulloi pasuri të madhe.
Shën Serapioni i Sidonës dëgjoi të flitej për Taisinë mëkatare dhe mori nga Perëndia misionin për ta kthyer. U vesh si ushtarak dhe doli para Taisisë duke i dhënë një monedhë ari.
Hynë së bashku në dhomë dhe Serapioni i kërkoi pak çaste për të folur me të. I tregoi veshjen engjëllore që mbante veshur nën rrobën ushtarake dhe i shpjegoi arsyen se përse kishte shkuar ta takonte.
Mëkatarja erdhi në vete nga fjalët e murgut të shenjtë, i cili i tha se Perëndia është pafundësisht i mëshirshëm dhe pret pendimin e mëkatarëve që t’i presë në qiell me gaz. E lumura ra në këmbët e Serapionit dhe i kërkoi edhe një orë kohë, para se shenjti ta drejtonte në pendim.
Gjatë kësaj kohe, shkoi në sheshin qendror të qytetit dhe dogji veshjet, objektet e çmuara, mobiliet dhe çka kishte fituar. Thërriste kështu: “Ejani, ju të gjithë që ratë në mëkat me mua, ja ku po hedh në zjarr gjithçka që fitova prej tyre, që të pendohem”.
Pastaj erdhi drejt Serapionit, i cili e udhëhoqi për në një manastir virgjëreshash dhe e urdhëroi të qëndronte si e mbyllur në qeli, për aq kohë sa Perëndia do t’i tregonte, duke ngrënë vetëm një herë në dy ditë.
Qëndroi kështu për tre vjet dhe tërhoqi admirimin e të gjithëve për zellin që tregoi. Serapioni e pa pendimin e saj, shkoi në manastirin e shën Andonit të Madh dhe i kërkoi asketit t’i kërkonte Zotit nëse e kishte pranuar pendimin e Taisias.
Shën Andoni bashkë me dishepujt e tij u lutën tërë natën dhe falë një vizioni morën sigurinë që Taisia ishte gjykuar e denjë për mëshirën hyjnore.
Kur Serapioni u kthye në manastirin e virgjëreshave, i kërkoi Taisisë të dilte nga qelia, por ajo e konsideronte veten të padenjë dhe donte të qëndronte atje deri në fund të jetës.
Jetoi edhe 15 ditë me virgjëreshat e tjera dhe fjeti në paqe, duke e lënë shpirtin të fluturonte i lirë drejt korit të virgjëreshave që rrethojnë dhomën e Dhëndrit qiellor.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

 

 

Διαδώστε: