E diel, 13 tetor 2019 – Shenjtori i ditës.
– Dëshmorët Karpi, Papila, Agathodhori, Agathonika -.
Këta martirë të shenjtë jetuan në kohën e Decit (rreth vitit 250) dhe prokonsullit të Lindjes, Valerianit. Karpi ishte i biri i priftit idhujtar. Besoi në Krishtin, u pagëzua dhe më vonë u bë episkop i kishës së Pergamit, themeluar nga shën Joan Theologu. Papila vinte nga Thiatira. U katekizua dhe u pagëzua nga Karpi, i cili e dorëzoi dhjakon. Qëndruan bashkë për të përhapur fjalën e Perëndisë. Nuk iu bindën ediktit të perandorit, i cili urdhëronte t’u dorëzoheshin veshjet dhe enët e shenjta autoriteteve, kështu që i kapën dhe i çuan para prokonsullit Valerian. Rrëfyen Zotin pa frikë dhe deklaruan se ishin gati më mirë të duronin të gjitha vuajtjet, sesa të mohonin Krishtin për të adhuruar idhujt pa frymë.
I zemëruar nga kjo siguri, magjistrati i lidhi mbrapa kuajve dhe i bëri të vraponin para karrocës së tij nga Thiatira në Sardë, rreth 60 km. Kur arritën atje, i lidhën në një këmbalec dhe ua rropën lëkurën. Agathodhori, një shërbëtor i Karpit, i cili e kishte ndjekur atë, u sigurua nga një engjëll se kishte ardhur tashmë koha të rrëfente Krishtin Perëndi me gjakun e tij. Eci përpara xhelatëve dhe shpalli publikisht besimin. E shtrinë mbi një trekëmbësh bashkë me dy martirë të tjerë, dhe e goditën me shkopinj si të tërbuar, aq sa dhe vdiq. Edhe Karpin e varën në një këmbëz, por buzëqeshte kur e torturonin. Qeveritari u çudit me qëndrimin e tij, dhe e pyeti se cila ishte arsyeja. Shenjti i tha: “Pashë lavdinë e Zotit dhe u lumturova!”. Papilën e lidhën në katër këmbëza dhe e ngritën në një lartësi të madhe që ta qëllonin me gurë. Perëndia e mbrojti dhe e ruajti të paprekur në këtë provë dhe e çoi përsëri para guvernatorit bashkë me Karpin. I zvarritën me kurriz nëpër ferra, i goditën në bark dhe i hodhën si ushqim te bishat në amfiteatër. Atje, një luan foli me zë njeriu dhe qortoi egërsinë e persekutorëve, por këta mbyllën veshët që të mos dëgjonin ato që rrëfenin këto kafshë pa arsye.
Shenjtorëve iu veshën sandale hekuri dhe i hodhën në furrë të zjarrtë. Para se të jepnin frymë në nxehtësinë e flakëve brambullitëse, Karpi thirri: “Qofsh i bekuar, Zot Jisu Krisht, biri i Perëndisë, që më denjësove mua mëkatarin të marr pjesë në trashëgiminë tënde”. Në çastin kur ai dha shpirt, një zë gruaje u dëgjua: “Dhe unë gjithashtu, pashë gostinë e lavdishme, dhe dua të ulem atje e të marr pjesë!”. Me gjithë tentativat e kota të familjarëve të saj, të cilët i kujtonin detyrimet që kishte për fëmijën që kishte, Agathonika (disa thonë se ishte e motra e Papilës), mposhti dobësinë femërore dhe u hodh në zjarr duke thirrur: “Zot, ndihmomë, sepse po vij drejt teje!”. Pastaj dha shpirt dhe u ngjit në tendat qiellore për të gëzuar freskinë e vesës hyjnore bashkë me shokët e saj.
* * * * *
– Dëshmore e re Krisa –
Shën Krisa vinte nga një familje e krishterë, e varfër, por që i qëndroi besnike besës së të parëve të saj. Ajo jetonte në Slatina, fshat në zonën e Meglinës, në veri-perëndim të Shkupit. Ishte e bukur dhe një turk u dashurua aq marrëzisht pas saj, sa kërkoi me tërë mënyrat të joshte dhe ta kthente vajzën në besimin e vet. Nuk ia arriti dot qëllimit, ndaj e rrëmbeu dhe për tre muaj e dorëzoi në keqtrajtimet dhe fyerjet e disa turkeshave mizore të rrethit të tij. Shenjtorja ishte e mbushur me dashurinë për Krishtin, dhe kjo e ngriti mbi dobësinë e natyrës së saj dhe i duroi këto mundime me gëzim.
Kur prindërit vinin dhe e lusnin të pranonte martesën me turkun sa për të shpëtuar jetën, ajo u përgjigjej: “Ju që më kërkoni të mohoj Krishtin tim, Perëndinë e vërtetë, nuk jeni më prindërit e mi. Nuk ju njoh më si të tillë, por në vendin tuaj kam Krishtin si atë, Hyjlindësen si nënë dhe shenjtorët e shenjtoret si vëllezër e motra”. Kur turku e pa se nuk e kthente njeri, dashuria që kishte për të u kthye në egërsi çnjerëzore. E vari në një kanxhë dhe e torturoi me orë të tëra.
Në fund, u kërkoi njerëzve që e rrethonin të merrnin nga një shpatë ose thikë dhe të prisnin një pjesë nga trupi i martires së shenjtë, e cila dorëzoi kështu dhe shpirtin e saj te Perëndia.