19/10/2019 19/10/2019 DOKTRINA ORTHODHOKSE ETËRIT Kisha ka një numër shenjtorësh të cilët ishin teologë dhe mësues shpirtërorë, dhe që mbrojtën dhe shpjeguan doktrinat e Besimit të Krishterë. Këta shenjtorë janë quajtur Etërit e shenjtë të Kishës dhe mësimet e tyre janë quajtur mësimet patristike (Nga pater që do të thotë atë). Disa nga Etërit e shenjtë janë...
19 Οκτωβρίου, 2019 - 16:32
Τελευταία ενημέρωση: 19/10/2019 - 16:34

DOKTRINA ORTHODHOKSE

Διαδώστε:
DOKTRINA ORTHODHOKSE

DOKTRINA ORTHODHOKSE

ETËRIT

Kisha ka një numër shenjtorësh të cilët ishin teologë dhe mësues shpirtërorë, dhe që mbrojtën dhe shpjeguan doktrinat e Besimit të Krishterë. Këta shenjtorë janë quajtur Etërit e shenjtë të Kishës dhe mësimet e tyre janë quajtur mësimet patristike (Nga pater që do të thotë atë).
Disa nga Etërit e shenjtë janë quajtur apologjistë, sepse ata mbrojtën mësimin e krishterë kundër atyre që ishin jashtë Kishës dhe që e luftonin besimin e krishterë. Shkrimet e tyre janë quajtur apologji, që do të thotë “përgjigje” ose “mbrojtje”.
Të tjerë Etër të shenjtë, e mbrojtën besimin e krishterë kundër disa anëtarëve të Kishës, të cilët e shtrembëruan të vërtetën dhe jetën e krishterimit, duke zgjedhur disa pjesë të zbulesës dhe doktrinës së krishterë dhe duke mohuar aspektet e tjera. Ata që e shtrembëruan besimin e krishterë në këtë mënyrë dhe e prishën integritetin e Kishës së krishterë janë quajtur heretikë dhe doktrinat e tyre herezi. Fjala herezi do të thotë “zgjedhje”, dhe një heretik është ai që zgjedh, çfarë ai do, sipas ideve dhe mendimeve të tij disa pjesë të Traditës së Krishterë, ndërsa hedh poshtë pjesët e tjera. Duke vepruar kështu, heretikët jo vetëm që shkatërrojnë plotësinë e së vërtetës së krishterë, por gjithashtu ndajnë jetën e Kishës dhe shkaktojnë ndarje në bashkësi.
Duke folur në përgjithësi, tradita orthodhokse i shikon mësuesit e herezive jo vetëm thjesht si të gabuar dhe të paditur, por ajo i akuzon ata si të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre dhe si pasojë si mëkatarë. Një njeri thjesht i gabuar, ose që mëson çfarë ai beson që është e vërtetë dhe që nuk është kundërshtuar në gabimet e tij të mundshme, nuk është parë si heretik në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Disa nga shenjtorët dhe madje disa nga Etërit e shenjtë kanë disa elementë në mësimin e tyre që të krishterët e mëvonshëm i kanë konsideruar si të gabuara ose si jo të sakta. Kjo natyrisht, nuk i bën ata heretikë.
Jo të gjithë Etërit ishin mbrojtës kundër gabimeve ose herezive. Disa prej tyre ishin thjesht mësues të besimit të krishterë, duke zhvilluar dhe shpjeguar kuptimin e saj në një mënyrë më të thellë dhe më të plotë. Të tjerë ishin mësues të jetës shpirtërore, duke u dhënë instruksione besimtarëve rreth kuptimit dhe metodave të kungimit (bashkëpërjetimit) me Perëndinë, nëpërmjet lutjes dhe jetës së krishterë. Këta mësues, që ishin përqëndruar në përpjekjet e jetës shpirtërore, janë quajtur Etërit asketikë. Asketizmi ishte dhe është ushtrimi dhe stërvitja e “atletëve shpirtërorë”. Ata Etër të cilët ishin përqëndruar në mënyrat e kungimit shpirtëror me Perëndinë, janë quajtur Etërit mistikë; misticizmi është përcaktuar si përvoja e gjallë e bashkimit me Hyjninë.
Të gjithë Etërit e shenjtë, ndonëse të quajtur teologë, barinj, asketë apo mistikë, e kanë dhënë mësimin e tyre prej burimeve të përvojës së tyre të jetimit të besimit të krishterë. Ata mbrojtën, përshkruan dhe shpjeguan doktrinat teologjike dhe mënyrat e jetës shpirtërore prej përvojës së tyre personale dhe përjetimit të këtyre realiteteve. Ata shkrinë së bashku shkëlqimin e intelektit me pastërtinë e shpirtit dhe me shenjtërinë e jetës. Kjo i bëri ata që të quhen Etërit e shenjtë të Kishës.
Shkrimet e Etërve të Kishës nuk janë të gjitha të pagabueshme, madje është thënë që në disa prej tyre mund të gjendet diçka e diskutueshme. Megjithatë, në tërësi, shkrimet e Etërve janë bazuar në themelet biblike dhe liturgjike të besimit dhe jetës së krishterë dhe kanë autoritet në Kishën Orthodhokse dhe janë burime kryesore për zbulimin e kuptimin e doktrinës së krishterë.
Shkrimet e disa Etërve, të cilët janë miratuar dhe vlerësuar universalisht nga Kisha në të gjitha kohët, kanë një rëndësi të veçantë; si ato të Ignatit të Antiokisë, Ireneut të Lionit, Athanasit të Aleksandrisë, Vasilit të Madh, Grigorit të Nisës, Grigor Theologut, Joan Gojartit, Qirilit të Aleksandrisë, Qirilit të Jerusalemit, Maksim Konfesorit, Joanit të Damaskut, Fotit të Konstandinopojës dhe Grigor Palamait; dhe të atyre Etërve asketikë e shpirtërorë si Andonit të Egjiptit, Makarios të Egjiptit, Joanit të Shkallës, Isak Sirianit, Efraimit të Sirisë, Simeonit, Theologut të Ri dhe të tjerë.
Ngadonjëherë është vështirë për ne kur lexojmë shkrimet e Etërve të Kishës, meqenëse problemet e tyre ishin shpesh të komplikuara dhe stili i të shkruarit i ndryshëm nga i yni. Gjithashtu pjesa më e madhe e shkrimeve asketike dhe shpirtërore janë për një auditor murgëror dhe duhet të shpjegohen për t’u kuptuar nga ata që s’janë murgjër dhe murgesha. Megjithatë, është e rëndësishme të lexohen shkrimet e Etërve direkt. Leximi duhet të bëhet ngadalë, pak e nga pak, me kujdes dhe pa arritur përfundime të shpejtuara . . . në të njëjtën mënyrë që duhet lexuar edhe Shkrimi i Shenjtë. Ndër Etërit e Kishës, shkrimet e Shën Joan Gojartit janë shumë të qarta dhe mund të lexohen nga shumë vetë me një përfitim të madh shpirtëror, nëse do lexohen me kujdesin e duhur. Një libër i rëndësishëm për jetën shpirtërore dhe që ka qenë për shekuj libri që ka formuar jetën shpirtërore të orthodhoksisë është Filokalia, një antologji e shkrimeve shpirtërore, dhe nëse lexohet me kujdes mund të jetë shumë i dobishëm për një të krishterë të pjekur, që po kërkon më thellë në jetën shpirtërore.

 

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων