Dokumentohet manastiri i Shën Marenës në Mokrën e Sipërme
Manastiri i Shën Marenës, në fshatin Llëngë u inspektua nga afër dhe u dokumentua nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë.
Manastiri ndodhet fare pranë fshatit Llëngë, në krahinën e Mokrës së Sipërme. Manastiri përbëhet nga një kompleks vendesh në pronësi të tij si kisha e Shën Marenës, Konakët, Najazma dhe shpella e Shën Marenës. Vendin kryesor në këtë kompleks e zënë kisha dhe konakët.
Kisha e Shën Marenës është një ndërtese e vogël njënefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor i hapur në formë harkade dhe një këmbanore me dy këmbana. Ambientet e brendshme të saj janë pikturuara të gjitha me afreske.
Kthina e altarit të kishës ndahet nga naosi nëpërmjet një ikonostasi prej druri 6,5 m i gjatë dhe 4 m i lartë, që për nga stili i dekorimit është i njëjtë me ikonostasët e kishave të Voskopojës dhe Vithkuqit. Tavani i kishës është prej druri dekorativ të pikturuar.
Afreskët e kishës janë ndarë në pesë breza horizontalë të pikturuar nga mjeshtri Kostandin Shpataraku. Ai ka pikturuar gjithashtu edhe disa ikona të ikonostasit, kryqin mbi të, dyert e bukura si edhe një balkadin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla. Motivet e pikturuara janë motivet kishtare tipike të kohës si skena nga jeta e Krishtit, Shën Marisë dhe vetë Shën Marenës së cilës i kushtohet kisha. Ato i përkasin që të gjitha periudhës së ndërtimit të kishës, pra vitit 1754.
Në objekt u realizua dokumentimi grafik dhe fotografik.
– ATSH
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.