18 Απριλίου, 2024

DOLI NE QARKULLIM LIBRI LITURGJIK I UNGJILLIT TE SHENJTE

Διαδώστε:

Pas një punë intensive, sapo doli në qarkullim libri liturgjik i Ungjillit të shenjtë.
Ky libër është Ungjilli i shenjtë i fragmentizuar sipas një sistemi të hershëm fragmentesh (perikopesh), të përzgjedhura ose sipas vazhdimësisë, ku paraqiten këto dhe koha e leximit të tyre. Përmban në çdo fragment (perikope): kapitujt dhe vargjet, si edhe temat kryesore të perikopeve, si edhe referencat biblike nga Dhiata e Vjetër sipas tekstit të të Shtatëdhjetëve (Septuagintës).
Teksti i këtij botimi është përkthim në gjuhën shqipe i tekstit origjinal në gjuhën greke, bazuar në tekstin bizantin të botimit të Dhiatës së Re të Patriarkanës Ekumenike, si edhe në rishikimet e mëvonshme të tij. Botimi në shqip është bazuar në tekstin e Dhiatës së Re, të përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi në dialektin tosk (1879); ribotuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 1994; përpunuar së fundmi në gjuhën shqipe bashkëkohore nga një komision i posaçëm.
Ungjilli liturgjik lexohet në shërbesat kishtare vetëm prej klerikëve, sipas rregullave përkatëse, nderohet e temjaniset, puthet, nxirret në litani/procesion, vendoset gjithmonë në Tryezën e Shenjtë (Altar) dhe vishet me kujdes të veçantë me kapakë dhe ikona e zbukurime sipas traditës orthodhokse.
Ungjilli liturgjik në shqip vjen në dy formate përmasash: të mesëm dhe të madh. Libri në formatin e mesëm, mund të përdoret përveç klerikëve, edhe nga çdo besimtar laik për të lexuar, vetë ose me familjen, sipas një programi shpirtëror çdo ditë pjesën ungjillore të përcaktuar nga kalendari kishtar orthodhoks vjetor.
Kryepiskopi Anastas në mbyllje të shënimit të tij uron:
“…Ungjilli i shenjtë është përmbledhja e misterit të zbulesës në Krishtin. Për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për çdo anëtar të saj, Ungjilli le të jetë gjithnjë kriter absolut dhe busull e saktë për rrugëtimin e drejtë. Le të jetë burim jetëdhënës i forcës, i dashurisë dhe i shpresës, si edhe i kungimit tonë me Perëndinë Triadik.”

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

 

Διαδώστε: