14 Ιουλίου, 2019

E diel, 14 korrik 2019 – Shenjtori i ditës

Διαδώστε:

E Diela e Etërve të Sinodit IV Ekumenik. Apostull Akila nga të 70-t. Oshënar Nikodhim Ajoriti. Trifoni në Sheqishtë (Fier).

– Oshënar Nikodhim Ajoriti –

Ishte shkrimtar i palodhur, theolog i shquar i shekujve të fundit. Lindi më 1749 nga prindër arkondë të pasur në ishullin Naksos (në mes të Egjeut), Anton Kallivurci dhe Anastasia, e cila më pas u bë murgeshë, Agathia. U edukua në vendlindje dhe në Izmir të Azisë së Vogël (1765-1770) dhe, kur u kthye në ishull në vitin 1770, me sa duket për shkak të përndjekjeve të turqve, depozitoi në kujtesën e tij kolosale një mori dijesh theologjike. Për më tepër atëherë u njoh me etër ajoritë, të cilët i zbuluan murgërinë.

Në një vizitë të shkurtër që bëri në ishullin Hidra, që banohet nga arvanitas, takon shën Makarin e Korinthit (17 prill) dhe lidhet me të. Këta të dy do të evidentohen më vonë si prijës të lëvizjes, e keqkuptuar atëherë, së “kolivadheve”.

Më 1775 lundron në Malin e Shenjtë. Qethet murg në Manastirin e Dionisit dhe, nga Nikolla që quhej, merr emrin Nikodhim. Meqenëse donte qetësi absolute, shpërngulet në një qeli afër Karies (“kryeqytet” i Athosit), ku kalon pjesën më të madhe të jetës së tij, jetoi edhe në vende të tjera, por për pak kohë, midis të tjerëve dhe për një vit jetoi i vetëm në një ishull të vogël e të shkretë.

Mban korrespondencë edhe me Patriarkun shën Grigor V (10 prill) etj., kopjon kodikë (dorëshkrime) që të siguronte jetesën dhe njëkohësisht studion. Formulon dhe koleksione, dhe më tepër se 100 vepra autentike dogmatike, “ndërtuese” (shpirtërore), kanonike, himnologjike, shpjeguese etj., në origjinal, të cilat kanë rëndësi edhe nga ana letrare.

Më të njohura janë “Filokalia”, shumëshpirtërore; “Për kungimin e vazhdueshëm”, vepër e cila bëri bujë, të cilën e kundërshtoi dhe e dënoi një patriark i tërhequr nga antikolivistët; “Evergjetinosi”, tërheqës; “Lufta e padukshme”, frytdhënëse; “Martirologji i ri”, i çmuar; “Timoni” me kanonet e së Drejtës kishtare; “Sinaksaristi” (jetë shenjtorësh) i përmbledhur; “Manuali këshillues” didaktik.

Duke qenë shëndetlig që nga 1805, oshënari asketik, i përulur, i sjellshëm dhe i varfër, fjeti më 14.7.1809 në Karies, ku ruhet edhe koka e tij.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë / Facebook

Διαδώστε: