08/09/2019 08/09/2019 – Lindja e Hyjlindëses Mari – Njeriu u krijua nga Perëndia dhe u vendos në Parajsë duke pasur si përkujdesje të tij të vetme frytdhënien shpirtërore dhe soditjen e Perëndisë, Krijuesit të tij nëpërmjet veprave të Tij. Por Adami u largua nga kopshti i lumturive nga smira e të ligut, që mashtroi Evën, gruan e...
08 Σεπτεμβρίου, 2019 - 17:29

E diel, 8 shtator 2019 – Shenjtori i ditës: Lindja e Hyjlindëses Mari. Dëshmorët Seviri, Artemidori

Διαδώστε:
E diel, 8 shtator 2019 – Shenjtori i ditës: Lindja e Hyjlindëses Mari. Dëshmorët Seviri, Artemidori

– Lindja e Hyjlindëses Mari –

Njeriu u krijua nga Perëndia dhe u vendos në Parajsë duke pasur si përkujdesje të tij të vetme frytdhënien shpirtërore dhe soditjen e Perëndisë, Krijuesit të tij nëpërmjet veprave të Tij. Por Adami u largua nga kopshti i lumturive nga smira e të ligut, që mashtroi Evën, gruan e parë dhe e bëri Adamin që të mëkatojë. Më vonë Perëndia i dha ligjin njerëzve me anë të Moisiut dhe e bëri të njohur vullnetin e Tij me anë të profetëve, për të bërë gati Bërjen njeri të Birit të Tij të vetëmlindur, Fjalës së Perëndisë, që do të na shpëtonte nga thonjtë e të ligut. Krishti, mori natyrën tonë njerëzore, por pa mëkatin, sepse vetëm Ai është pa mëkat, duke qenë Biri i Perëndisë. Për këtë arsye i bëri gati vetes një banesë të panjollëshme, një arkë të pastër, Hyjlindësen e Përmbishenjtë Mari, që edhe pse ishte e vdekshme dhe e dënuar me dënimin e stëretërve, ajo ishte e zgjedhura e Perëndisë përpara të gjitha kohëve për të qenë Eva e re, Nëna e Krishtit Shpëtimtar, burimi i shpëtimit tonë dhe arketipi i shenjtërisë së krishterë.

Nga i ati, e Tërëshenjta i përkiste linjës mbretërore të Davidit nëpërmjet djalit të tij Nathanit, që lindi Levin, që lindi Melkin dhe Panterin, që lindi Barpantheriin, që lindi Joakimin, që ishte i ati i Nënës së Zotit. Ana, gruaja e Joakimit, ishte edhe ajo nga linja e pasardhjes së Davidit, sepse ishte mbesë e Matthas, që ishte vetë nip i Davidit nëpërmjet pasardhjes së Solomonit. Mattha u martua me Marinë nga fisi i Judës dhe ata kishin një bir të quajtur Jakov, atin e Josif marangozit dhe tri vajza, Marinë, Sovinë dhe Anën. Maria lindi Salomenë, Sovia lindi Elisabetën, nënën e Pararendësit dhe Ana, Nënën e Perëndisë.

Perëndia në urtësinë e Tij tregoi shterpësinë e natyrës njerëzore përpara ardhjes së Krishtit, duke i lënë Joakimin dhe Anën pa fëmijë, derisa ata arritën një moshë të shtyrë. Joakimi, që ishte i pasur dhe besimtar, lutej pa pushim dhe i ofronte dhurata Perëndisë që Ai të çlironte gruan e tij dhe veten prej qortimit të njerëzve. Një ditë feste, ai shkoi në tempull për të paraqitur ofertën e tij, kur një nga anëtarët e fisit të Rubenit u kthye nga ai dhe tha: “Ti nuk lejohesh të ofrosh me ne, sepse nuk ke fëmijë!”. Këto fjalë e mërzitën Joakimin, i cili në vend të kthehej në shtëpi, shkoi në një mal i vetëm dhe qau për shumë kohë, edhe Ana gjithashtu po derdhte lot të shumtë në të njëjtën orë dhe po luste qiellin me përgjëratë. Perëndia ynë, që është i pasur në mëshirë dhe në përdëllime, i dëgjoi lutjet e tyre dhe dërgoi lajmprurësin e Mirësisë së Tij dhe të shpëtimit tonë, Kryeengjëllin Gavriil tek Ana. Ai i lajmëroi asaj se do të lindte në moshë të madhe, do të lindte një fëmijë, që do të lavdërohej në të gjithë dheun. Plot gëzim dhe habi, ajo tha: “Siç është e vërtetë që Perëndia jeton, çfarëdo që të jetë fëmija im, djalë apo vajzë, unë do t’ia përkushtoj Zotit, Perëndisë tim, për t’i shërbyer Atij tërë ditët e jetës së tij”. Edhe Joakimi u vizitua gjithashtu nga një engjëll, i cili i tha të çonte kopetë në shtëpi, për t’u gëzuar me gruan dhe fëmijët, sepse Perëndia kishte vendosur t’i japë fund turpit të tij.

Kur kaluan nëntë muaj, Ana lindi dhe e pyeti maminë: “Çfarë kam sjellë në këtë botë?”. “Një vajzë”, u përgjigj ajo. “Shpirti im është madhëruar këtë ditë”, tha Ana dhe e uli foshnjën në djep. Dhe kur erdhi dita e pastrimit të saj sipas Ligjit, ajo u ngrit, e lau e i dha gji foshnjës dhe e quajti atë Mari, një emër që pritej fshehtazi nga patriarkët, profetët dhe të drejtët, me anë të të cilit Perëndia do të zbulonte misterin e fshehur nga përjetësia.

Fëmija u rrit i fortë dhe nëna e saj e vendosi në tokë kur u bë gjashtë muajsh për të parë nëse ajo do të qëndronte më këmbë ose jo. Maria bëri shtatë hapa dhe u kthye në gjirin e nënës së saj. Ana e ngriti lart duke thënë: “Siç është e vërtetë që jeton Perëndia, ti nuk do të ecësh më në tokë, derisa unë do të çoj në tempullin e Zotit”. Nëna e saj e ruajti dhomën ku ndodhej fëmija si një vend të shenjtë dhe asgjë e keqe dhe e papastër nuk hyri aty. Për më tepër ajo pranonte vetëm vajza hebreje të linjës së pastër që të luanin bashkë me fëmijën.

Kur vajza mbushi një vjeç, Joakimi ofroi një banket të madh. Ai ftoi priftërinjtë, skribët dhe tërë Sinedrin e njerëz të shquar të Izraelit. Ai ua prezantoi Marinë priftërinjve dhe ata e bekuan duke thënë: “Perëndi i etërve tanë, bekoje këtë fëmijë të vogël dhe jepi asaj një emër të përjetshëm që të lavdërohet në tërë gjeneratat”. Dhe të gjithë pjesëmarrësit u përgjigjën: “Kështu qoftë! Amin!”.

Joakimi e paraqiti fëmijën edhe te kryepriftërinjtë për ta bekuar, të cilët thanë: “O Perëndi që madhështohesh pafundësisht, hidh vështrimin tënd mbi këtë fëmijë dhe fali asaj bekimin më të lartë dhe më të pakrahasueshëm”.

Atëherë nëna e saj e çoi fëmijën në vendin e shenjtë që e kishte përgatitur dhe i dha gji, duke kënduar këtë himn: “Do t’i këndoj Zotit Perëndisë tim, se Ai më vizitoi dhe e hoqi tej qortimin që më bënin armiqtë e mi. Sepse Zoti më ka dhënë frytin e drejtësisë së Tij. Kush ka për t’ua thënë tani bijve të Rubenit se Ana është një nënë? Mësoni, o dymbëdhjetë fise të Izraelit që Ana është një nënë!”. Pastaj ajo e la fëmijën në vendin e shenjtë që i ishte rezervuar dhe shkoi t’u shërbejë të ftuarve dhe lavdëroi Perëndinë e Izraelit.

 

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων