E Diela e Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik –
Debati i lindur nga mësimi i arianëve doli para vendimit të tërë Kishës në Sinodin që Konstandini thirri në Nikea, në vitin 325. Ky sinod, i njohur si Sinodi i Parë Ekumenik, dekretoi se Logos, Fjala dhe Biri i Perëndisë, është i pakrijuar dhe hyjnor. Ai është i lindur domethënë, i lindur prej Atit, dhe jo i bërë ose i krijuar prej Atij. Ai është i bashkëqenshëm (një esencë) me Atin (homousios). Ai është Perëndi i Vërtetë prej Perëndie të Vërtetë, Fjala e Perëndisë me anë të të Cilit u bënë të gjitha. Është ky Biri hyjnor i Perëndisë, i pakrijuar, i vetëmlindur, i Cili u bë njeri prej Virgjëreshës Mari si Jisu Krishti Mesia i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës.
Një të Diel, para festës së madhe të Pentikostisë, ne nderojmë Etërit hyjmbajtës që morën pjesë në Sinodin e Parë Ekumenik dhe formuluan doktrinën e Kishës sonë për një Hyjni Trihipostatike. Ky kristalizim i besimit tonë ka rëndësi, sepse lidhet me jetën tonë, sjelljen tonë dhe pritjen tonë për fundin tonë dhe fundin e historisë.
Atësia shpirtërore në jetën e Kishës është e rëndësishme në një mënyrë të veçantë. E përcakton me saktësi Apostull Pavli në Letrën e tij drejtuar Korinthianëve (1Kor. 4:15). “Edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të ungjillit” (1Kor. 4:15).
Ati shpirtëror, e çon besimtarin drejt Kishës, drejt Trupit të Krishtit. Brenda Trupit të gjallë, njeriu lind nga Shpirti i Shenjtë dhe bëhet pjesëmarrës, sipas hirit, i pranisë së ngjallur të Perëndinjeriut Krisht.
Sot ne nderojmë mësuesit e mëdhenj të besimit tonë, të cilët mësuan me jetën e tyre korrekte dhe me fjalën e shenjtë njeriun shpirtëror, që lind me fuqinë dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë. Dhe nuk i nderojmë vetëm në ditën e sotme, por edhe gjatë gjithë lutjeve tona, ne kërkojmë ndërmjetimin e tyre për Perëndinë Triadik, sepse edhe vetë u denjësuan të jetojnë dhe të predikojnë Ungjillin e Hirit. Në linjën e Etërve të Kishës sonë ndodhen edhe etërit shpirtërorë, që i udhëheqin bijtë e tyre në hirin dhe lirinë e Krishtit, në kungimin e Trupit të Nderuar dhe të Gjakut të Tij jetëbërës.
Ati sipas trupit u ofron bijve të tij gjërat e domosdoshme për mbijetesë; ati shpirtëror iu siguron bijve të tij të domosdoshmet për kapërcimin e jetës së tanishme dhe pjesëmarrjen në jetën dhe në gëzimin e Zotit tonë. Ati është i domosdoshëm për fëmijën, sepse i fal siguri, mbrojtje, stabilitet. Ati shpirtëror e çon fëmijën e tij shpirtëror në spirancën e besimit, në Perëndinë Triadik, e fut në Trupin e Krishtit tonë dhe i ofron siguri dhe fuqinë e pritjes me shpresë të Atit Qiellor. Ati shpirtëror i udhëheq fëmijët drejt Dhëndrit Krisht, për të jetuar të bashkuar në Trupin e Perëndinjeriut lavdinë e Mbretërisë së Tij.
Nderojmë Etërit e Kishës sonë dhe kërkojmë ndërmjetimet e tyre në çdo çast. “Me uratat e etërve tanë të shenjtë, o Zot Jisu Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. Amin!”
* * * * *
– Oshënar Kirili i Aleksandrisë –
Lindi në vitin 370 në Aleksandri. Shën Nikodhim Agjirioti në sinaksarin e tij thotë se Shën Kirili jetoi në vitet e mbretërisë së Theodhosit. Prindërit e tij ishin shumë besimtarë. Në kujdesin e xhaxhait të tij, Theofilit të Aleksandrisë, Shën Kirili studioi theologji dhe filozofi. Gjatë periudhës së ushtrimit të tij në shkretëtirë, Kirili u lidh me asketin e famshëm Isidor Pilusiotin të cilin e nderonte dhe e respektonte shumë. Rreth vitit 400 u hirotonis dhjak e më pas prift nga Theofili i Aleksandrisë.
Formimi i tij theologjik ishte kaq i lartë, saqë në vitin 412 u bë trashëgimtar i xhaxhait të tij në fronin e Patriarkut të Aleksandrisë. Sapo hipi në fron, ai përzuri nga perandoria heretikët dhe skizmatikët e quajtur novatianë. Këta të fundit, duke i përngjasuar farisenjve, e quanin veten të pastër dhe të drejtë. Vishnin rroba të bardha për të treguar gjoja pastërtinë e shpirtit të tyre. Gjithashtu thoshin se ata që bënin mëkat për vdekje pas pagëzimit, nuk duhet të hynin në kishë.
Shenjti kërkonte ndihmën hyjnore, për të larguar frymërat e këqija dhe demonët nga një altar i vjetër që ndodhej në Manuf. Edhe Patriarku Theofil kishte dashur ta pastronte këtë vend nga frymërat e këqija, por nuk kishte mundur sepse kishte hasur shumë pengesa. Kështu, shën Kirili iu lut Perëndisë t’i jepte ndihmën dhe fuqinë e Tij për t’i larguar demonët nga ai vend. Në ëndërr, një engjëll i Zotit, i tha që të dërgojë atje lipsanët e shenjtë të Anargjendëve të shenjtë Kir dhe Joan.
Pa u vonuar, shenjti zbatoi porosinë e engjëllit dhe menjëherë mrekullia u bë. Sapo solli lipsanet e Anargjendëve të Shenjtë, demonët u larguan. Në atë vend, i cili u bë më pas vend shërimesh, u ndërtua një kishë në emër të Anargjendëve. Kur u bë Sinodi III Ekumenik në Efes, në vitin 431 pas Krishtit, Kirili ishte kryetar dhe kontribuoi në rrëzimin e herezive të Nestorit për personin e Hyjlindëses. Sipas Nestorit, Shën Maria nuk kishte lindur Krishtin Perëndi, por Krishtin njeri, te i Cili më pas hyri Fryma e Shenjtë.
Kirili u njoh si theolog i madh dhe mbrojtës i orthodhoksisë kundër nestorianizmit.