E Diela e IX e Mateut Predikim nga Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati
E DIELA E IX E MATEUT Mateu 14, 22-34.
Bashkëbisedimi ynë me Perëndinë
“U ngjit në mal, veçan, që të lutet.” v.23.
Teksti i sotëm i Ungjillit, në fillim na shpie në shkretëtirë, ku, u bë ushqyerja e mrekullueshme e pesëmijë burrave. Zoti, siç dihet, atje shumoi pesë bukët dhe dy peshqit dhe u ngop ajo turmë e madhe njerëzish. Në vazhdim, duhej, që njerëzit të largoheshin me qetësi dhe këtë e mori përsipër vetë Zoti. U tha dhe nxënësve, që të largohen me anijen në anën tjetër të liqenit dhe Ai vetë mbeti derisa u larguan njerëzit. Atëherë, Zoti, “u ngjit në mal, veçan, që të lutet”.
I
Kjo frazë duhet të tërheqë vëmendjen tonë dhe të na ndërtojë shpirtërisht. Zoti, kur mbaroi punën e ditës, një punë e lodhshme, u tërhoq, që të komunikojë me Atin e Tij qiellor. La fushën dhe u ngjit në mal. Shkoi në një vend të lartë dhe të qetë. Dhe atje, brenda qetësisë dhe heshtjes së natës, filloi të lutet. U errësua mirë dhe Ai ishte atje vetëm. Ndjente një ngazëllim të pashprehur të lutej për shumë orë. Sigurisht, falënderoi Atin e Tij qiellor për ditën që kaloi. Njëkohësisht iu lutë të jehojë fjalimi i Tij në shpirtrat e njerëzve të etur.
Zoti lutet gjithmonë, por, veçanërisht, para ose gjatë ngjarjeve të mëdha dhe unike të jetës së Tij. Le të kujtojmë fillimin e jetës publike të Zotit Krisht. Dhe, madje, gjatë pagëzimit të shenjtë nga shën Joan Pagëzori në lumin Jordan, brenda atmosferës së lutjes, hapen qiejt; “u pagëzua edhe Jisui, edhe ndërsa ishte duke u lutur, u hap qielli, edhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të si pëllumb”, shënon Ungjillor Lukai. 3, 21.
Pas pak, kur bëhej fjalë të ftojë Apostujt e Tij të shenjtë, përsëri bie në gjunjë Mësuesi hyjnor. “Doli në mal të lutej, edhe e kalonte tërë natën duke iu lutur Perëndisë. Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, edhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, edhe i quajti apostuj”. Luka 6, 13. Një natë e tërë lutjesh i paraprin thirrjes së nxënësve. Nuk është vetëm nata, që e gjen Jisuin duke u lutur. E njëjta ndodh edhe me agimin. Madje,
para se të dalë dielli, para se të hedhë ngjyrën e purpurt mbi krijesën përreth, “para se të zbardhë”, Zoti lutet. Mark. 1, 35.
“Fjala” i fletë Perëndisë Atë, madje dhe në momentet e vështira të ecurisë së Tij mbi tokë. Në Jerusalem, në mes armiqve të Tij të egërsuar, ndërkohë, që ka parasysh, shumë qartë, orën e tmerrshëm të martirizimit, tronditet, por edhe lutet. “Tani shpirti im është i trazuar; edhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë”,dëgjojmë të thotë. Joanit 12, 27.
E njëjta gjë ndodh dhe në kopshtin e Gjethsemanisë. Ullinjtë e vjetër të kopshtit ishin dëshmitarët memecë, jo vetëm të agonisë së Zotit, por edhe të lutjes së flaktë. E mbyll jetën e Tij të shenjtë dhe të panjollëshme Çlirimtari ynë i kryqëzuar, ndërkohë, që buzët e Tij belbëzojnë përsëri fjalë lutjeje ndaj Atit të Tij qiellor: “O Atë, në duart e tua dorëzoj shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirt.” Lukai 23, 46.
* * *
Jisui u ngjit në mal për t’u lutur. Jisui lutet, por ne, çfarë bëjmë? Kjo frazë na thekson se, që të bëhet një lutje, kërkohet qetësi dhe përqendrim. Lutja është një qëndrim i brendshëm i shpirtit, është dëshirë. Është rezultati i gjithë jetës sonë. Nuk mund të jetë e ndarë lutja nga pjesa tjetër e jetës sonë. Ndryshe do të jetë hipokrite apo formale.
Shën Andoni i madh thotë, se “lutja më e mirë është ajo në të cilën nuk e kuptojmë se po lutemi”. Mos ndoshta kur marrim frymë e ndjejmë se marrim frymë? Vetëm nëse vuajmë nga astma apo kemi vështirësi në frymëmarrje. Vallë i kuptojmë rrahjet e zemrës sonë? Vetëm nëse na torturon një sëmundje e zemrës. Kështu dhe lutja duhet të jetë e shpeshtë, por dhe shumë e thellë dhe spontane, në mënyrë, që të veprojë si një natyrë e dytë dhe vetëm një tronditje të na kujtojë se diçka na mungon.
II
Kushte të lutjes. Dëshira për lutje ndërthuret dhe me parapërgatitjen shpirtërore për këtë palë shumë të hirshme të jetës sonë. Lutja, pra, është komunikimi i gjallë midis Perëndisë dhe njeriut, është një bashkëbisedim dhe lidhje midis Perëndisë së përjetshme, të tërëfuqishme dhe të tërëmirë, me njeriun e përkohshëm, të dobët dhe të varfër. Gjendja e njeriut që lutet ka si kusht shprestarinë, druajtjen përpara Krijuesit të madh.
Që t’i afrohet shenjtërisë së Perëndisë, duhet të lërë në tokë çdo egoizëm dhe mendjemadhësi, për të fluturuar lartë me dashurinë dhe përulësinë. Atëherë bashkë me ne lutet dhe engjëlli ynë mbrojtës, thonë Etërit e shenjtë. Sado i virtytshëm që të jesh, në atë orë të kujtosh dhe të kesh ndjenjën e mëkateve të tua. Asgjë për t’u shtirur. Lutja bëhet në mënyrë spontane me zemër të pastër dhe pa dinakëri. E pastër dhe për një arsye tjetër: sepse ka falur armiqtë, është pajtuar me ata dhe kështu ofron dhuratën tënde pa borxhe dhe pa ngurrim. Sepse, Perëndia, në lutje kërkon, mbi të gjitha, devotshmërinë dhe përkushtimin e shpirtit të njeriut.
Cilësia e lutjes është analoge me cilësinë e jetës sonë. Privilegji i lutjes këtu mbi tokë i përket vetëm njeriut. Qeniet e tjera nuk ndjejnë një nevojë të tillë, sepse nuk janë ikona të Perëndisë. Lutja kur bëhet saktë, shndërron dhe shenjtëron gjithë ekzistencën tonë. Asnjë orë e jetës sonë nuk është aq rezultative sa ora e lutjes.
Nevojitet ta ujisim me lutje pemën e jetës sonë. Pa këtë ujitje hyjnore, pema e jetës sonë nuk do nxjerri fryte. Akoma dhe çdo e mirë që të kemi, pa lutje, nuk do ruhet brenda nesh. Veçanërisht, nevojitet të theksohet se është i domosdoshëm bashkëbisedimi me Perëndinë para ngjarjeve të mëdha të jetës së njeriut. Në periudhën e zgjedhjes së profesionit. Të mira janë këshillat e njerëzve specialistë dhe me përvojë, por është i nevojshëm dhe ndriçimi i Perëndisë. “Tregomë o Zot udhën ku duhet të eci se më Ty e kam varur shpirtin.” Psalm 142, 8.
Jo vetëm atëherë, por edhe në qëndrimin tjetër të jetës, që quhet formimi i familjes. Me lutjen do të shmangim shkëmbin e gjykimit të jashtëm dhe me ndihmën e Perëndisë do të ketë themele të forta shtëpia e re. Një Liturgji hyjnore, një përqendrim në lutje, le t’i paraprijnë këtyre ngjarjeve të mëdha të jetës. Shumë prindër ankohen për zhvillimin e fëmijëve të tyre. Por, çështja e edukatës është së pari ndriçim hyjnor dhe frymëzim nga Perëndia. Por dhe në sprovat, ku tjetër do të përikim?
Apostull Pavli, që të lutej, kishte burgun, kusari, që shkoi në Parajsë, kishte kryqin, profeti Jeremia lutej i zhytur brenda një kënete, Danieli në gropën e luanëve, Jonai në barkun e balenës, Jovi mbi plehun. Kudo që të gjendemi, e drejta e vetme, që nuk mund të na e marrë dikush, është se mund të lutemi. Kemi gjithmonë brenda nesh, brenda vetes sonë, dhe kudo rreth nesh, Perëndinë tonë, dy personat, që takohen në lutje. Nga malli dhe mënyra që lutemi, duket niveli i besës dhe virtytit tonë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Shumë herë justifikohemi se nuk kemi kohë të lutemi. Por, nëse mendojmë, do të shikojmë se nga 1440 minutat, që gjenden brenda 24 orëve, nëse do të japim 15 apo qoftë dhe 10 minuta çdo mëngjes dhe darkë, as punët tona nuk do të mbeten mbrapa, as ne nuk do të humbasim. Përkundrazi. Fitojmë shumë. Mbrojtjen, bekimin dhe hirin e Perëndisë. Orën e lutjes nuk e humbasim, por e marrim mbrapsht, dyfish dhe dhjetëfish. Ashtu si Zoti edhe ne, kudo dhe kurdoherë, le të lutemi. U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 18.08.2019
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.